Kryetari i PS-së përkujton 100-vjetorin me emigrantët në Greqi
Fatjona Mejdini
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje në Athinë, ku mes emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, bëri thirrje për bashkim në emër të një Shqipërie më të mirë. Ai ishte dje i pranishëm në kryeqendrën greke për të festuar me emigrantët 100-vjetorin dhe për të ndarë me ta vizionin për Shqipërinë e së ardhmes. I shoqëruar nga krerët e bashkive Tepelenë, Lushnjë, Ballsh, Pogradec e Sarandë, por edhe deputeti nga Taulant Balla e sekretari për Rininë, Erion Veliaj, Rama deklaroi se ka ardhur koha që Shqipëria të ndjekë një tjetër politikë ndaj emigrantëve.
Thirrja
Edi Rama u bëri thirrje emigrantëve që jetojnë aty të marrin pjesë në ndryshimin e madh që do të ndodhë në Shqipëri në mesin e vitit 2013, kohë e cila përkon dhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ai i ftoi emigrantët në shtetin fqinjë për t’u bërë pjesë e votimeve në qershor, nisur nga nevoja për të ndryshuar dhe qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj emigrantëve dhe transformimin e Shqipërisë në një vend më të mirë për të jetuar. “Kam shumë shpresë, kam shumë besim se ju, bashkë me shumë të tjerë do vini, që së bashku ne ta bëjmë realitet për tërë Shqipërinë, për familjen tonë, atë që bëtë ju për veten dhe për familjet tuaja”, deklaroi Rama duke u bërë thirrje emigrantëve të vinin në qershor në Shqipëri për të votuar. Ai vlerësoi sakrificat e shqiptarëve ndër vite në emigracion, duke theksuar se një ditë Shqipëria duhet t’ju kthente borxhet që u kishte.
“Shqipëria u ka të gjithëve ju një borxh shumë të madh. Pa punën dhe pa ndihmën tuaj Shqipëria nuk do ta kishte përballuar dot varfërinë, papunësinë dhe sidomos krizën e tmerrshme ekonomike të shkaktuar nga keqqeverisja. Ndihma jua ka qenë e domosdoshme për qindra, mijëra familje, që falë jush kanë mundur t’u mbijetojnë problemeve të panumërta që kanë në Shqipëri”, theksoi Rama, përpara qindra emigrantëve që kishin mbushur sallën ku u zhvillua takimi.
Premtimet
Rama deklaroi se PS do të ndryshonte marrëdhënien mes shtetit shqiptar dhe çdo shqiptari në emigracion. “Ne duam që shteti shqiptar të mos i zvarrisë emigrantët në radhët e stërgjata dhe të mbushura me korrupsion të konsullatave dhe të ambasadave. Ne duam që shteti shqiptar të investohet për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e çdo emigranti në Greqi, në Itali e kudo qoftë”, deklaroi Rama në formën e një premtimi. Ai gjithashtu foli dhe për kontributin e punës së tyre, duke theksuar se do ishte e udhës që ata ta përfitonin pensionin, ashtu siç çdo qytetar tjetër. “Duhet që kontributet e tyre të mos shkojnë dëm, por përkundrazi, kur ata të jenë në moshën e pensionit, të marrin diçka nga ky stërmundim i jashtëzakonshëm”, theksoi ai. Rama foli dhe për krizën greke, duke e quajtur atë një rast për shqiptarët të kontribuonin në vendin e tyre. “Ju jeni këtu në një vend që kalon një krizë shumë të madhe. Dhe ju sot jeni me të drejtë të shqetësuar për shumë të reja dhe të rinj shqiptarë, fëmijët tuaj, që mbarojnë universitetin dhe s’kanë punë. Ndërkohë që Shqipërisë i duhen sa më shumë të reja dhe të rinj që kanë mbaruar universitete serioze, jo si universitetet e Saliut me diploma të blera”, deklaroi Rama. Ai theksoi se të rinjve të lindur ose të rritur në emigracion duhet t’ju jepej shansi të kontribuonin për një Shqipëri më të mirë. “Ne duam që t’u japim mundësi këtyre të rejave e të rinjve që të vijnë në Shqipëri, të kontribuojnë për shtetin shqiptar, të kontribuojnë për shoqërinë shqiptare. Të kontribuojnë me atë çka kanë mësuar në universitet, por të bëhen edhe një urë që lidh Shqipërinë me të gjithë ju, një urë më shumë”, deklaroi Rama.
Detaje
TVSH – Rama deklaroi se emigrantët nuk e gjejnë Shqipërinë as në televizionin shtetëror. Ai kërkoi një program të posaçëm në këtë televizion për ta
Sakrificat – Kreu i PS-së deklaroi se shqiptarët emigrantë duhet të shpërbleheshin për sakrificat e tyre në momentin kur u larguan nga vendi