Gjimnazistët në Maqedoni nisin festën me “Marshin e Shqiponjës”


Manifestimi i shqiptarëve të Maqedonisë për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka nisur me incidente të rënda, ku është djegur flamuri kuqezi. Teksa në Shkup ka nisur zyrtarisht “Marshi i Shqiponjës”, në Tetovë dhe në Strugë është djegur flamuri shqiptar.


“Marshi i Shqiponjës”


Festa nisi me një organizim të nxënësve të shkollave të mesme. Teksa pritej arritja e Kryeministrit shqiptar dhe atij të Kosovës, rinia shqiptare marshoi në rrugët e Shkupit me moton “Marshi i Shqiponjës”, duke shënuar për këtë qytet një nga ditët më të mëdha dhe më të hareshme në historinë më të re. Pikënisja e këtij marshi ishte Parku i Çairit, ndërsa si destinacion i fundit ishte Statuja e Shqiponjës, e vendosur për hir të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se ky manifestim është një shpërthim i rinisë shqiptare, që me vullnetin e saj po ndihmon të ndihet festa e 100-vjetorit të shtetit shqiptar kudo që gjenden shqiptarët. Ndërsa ceremonia zyrtare nisi rreth orës 18:00, me një koncert në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup. Në këtë aktivitet marrin pjesë edhe dy kryeministrat, ai i Shqipërisë, Sali Berisha dhe i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Për t’i uruar mirëseardhjen dy kryeministrave Berisha e Thaçi, ishte vendosur një billbord i madh, ndërsa dy flamuj të përmasave të mëdha, atij kombëtar dhe flamuri me logon e 100-vjetorit të Pavarësisë, janë vendosur edhe në qendrën tregtare “Mavrovasja”. Ky festim është shpërthim i rinisë shqiptare dhe pikëqëndrimin e kanë te monumenti i Shqiponjës, sepse Shqiponja i bashkon shqiptarët kudo që janë, pa marrë parasysh fe, krahinë, parti politike. Shqiponja është simbol i shqiptarëve. Ky marsh u realizua si vazhdimësi e ngjarjeve festive për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.


Shqiptarët, me dy shtete


Në nisje të fjalës së tij, Kryeministri i Kosovës përkujtoi të rënët në luftën e Çlirimit të Kosovës, si shenjë nderimi në këtë 100-vjetor, ndërsa e quajti Shkupin, kryeqyteti i vilajetit të Kosovës. Për Thaçin, ky 100-vjetor i gjen shqiptarët me dy shtete në rajon, si askush tjetër. “Sot duhet të kujtojmë vetëm ku ishim para 13 vitesh, Shqipëria në tranzicion, Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Preshevë edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre. Por mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK-ja që largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova, sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane. Mrekullia e UÇK-së erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, por pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Shqipëria përparoi edhe më shumë, sot e kemi në NATO. Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm. Do të jetojmë në një hapësirë të përbashkët e të integruar”, tha Thaçi.


Digjet flamuri kuqezi


Ndërkohë situata në Rajonin e Tetovës është tensionuar ndjeshëm, pasi Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Sipas policisë lokale, në orën 01:20 të mëngjesit të djeshëm, persona ende të paidentifikuar kanë djegur flamuj shqiptarë në afërsi të fshatit Sedllarcë e Epërme. Ndërsa në orën 05:00 të mëngjesit, një person i panjohur ka tentuar të grisë dhe të heqë flamurin tonë kombëtar të shpalosur te Shtëpia e Kulturës në Tetovë. Po kështu, incidentet janë shfaqur edhe në Strugë, ku është djegur flamuri kuqezi. E stolisur dhe e zbukuruar me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, Struga është zgjuar dje me flamurin e djegur në sheshin “Nënë Tereza”, në mes të qytetit. Sipas të dhënave, djegia e flamurit është vënë re nga kalimtarë të rastit rreth orës 09:00 të mëngjesit. Policët e Tetovës, të cilët për herë të parë janë angazhuar të ruajnë flamurin shqiptar, sipas agjencive lokale të lajmeve e kanë pikasur autorin që i ishte afruar flamurit, dhe e kishin ndalur atë për t’i kërkuar dokument identifikimi. Por personi ka nxjerrë thikën, duke goditur njërin prej policëve. Po ashtu, vetëm disa orë më vonë, persona të tjerë të panjohur kanë djegur flamurin kombëtar të shpalosur në njërën nga urat e autostradës Tetovë-Gostivar.


 


Tetovë


Portret gjigant për Arbën Xhaferin


Një portret gjigant është zbuluar të shtunën në qendër të Tetovës me figurën emblematike të Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi. Portreti, që është me përmasa 6 metra i gjatë dhe 4 i gjerë, u zbulua nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe Daut Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pas zbulimit të këtij portreti në Pallatin e Kulturës në Tetovë, u mbajt ceremonia solemne “100 vite pa Shqipërinë”, kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës, theksoi: “Gjatë promovimit para tetë muajve të projektit ‘100 vite pa Shqipëri’, ne paralajmëruam që ky projekt synon të artikulojë ekzistencën autentike, kulturore, politike dhe gjeografike të shqiptarëve të Maqedonisë në rrjedhat historike, në të tashmen dhe të ardhmen”. Të pranishmëve në ceremoni iu drejtua edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se 100 vitet e ardhshme do të jenë vitet e bashkimit të shqiptarëve: “100 vitet që vijnë, janë 100 vitet me Shqipërinë, janë 100 vite ndryshe nga këto që po kalojmë. Këto kanë qenë 100 vite të vështira edhe për Shqipërinë, kanë qenë 100 vite të përpjekjeve të jashtëzakonshme të një gjaku pa mbarim që është derdhur përpara shpalljes së Pavarësisë, pas shpalljes së Pavarësisë dhe në vazhdimësi.” Pas përfundimit të ceremonisë, në qendër të Tetovës është organizuar një koncert i madh për nder të shënimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar.