Kryeministri Berisha mbërriti në mbrëmje në Vlorë, për të festuar me qytetarët shpalljen një shekull më parë të pavarësisë. Kryeministri përjetoi me emocion të veçantë pritjen e jashtëzakonshme që iu rezervua nga qytetarët, të cilët e shoqëruan në një pjesë të rrugës nga Levani deri në hyrje të qytetit.


Mes entuziazmit të qytetarëve, Kryeministri Berisha drejtoi një dedikim të veçantë: “Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora  e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!”

Ky dedikim i Kryeministrit Berisha, i shkruar në pergamenë, do të vendoset e ruhet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.


Më herët gjatë ditës së sotme, kreu i PS ka qenë i pranishëm në një sërë evenimentesh të rëndësishme të organizuara nga Bashkia e Vlorës, siç ishte edhe vlerësimi i figurave të rëndësishme si Rexhep Qosja apo ish ambasadori Withers, ku ka shprehur vlerësimin më të madh për bashkinë  e Vlorës, që edhe pse në kushte të vështira, ia arriti të festojnë me dinjitet dhe ashtu siç i takon këtë përvjetor shumë të rëndësishëm.

27 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)