Për herë të parë në dimër tentohet të kalohet Shtegu Verilindor


Gazmbajtësja Ob u nis nga Norvegjia në nëntor dhe u drejtua nga veriu i Rusisë në rrugën e vet drejt Japonisë. Ajo është një tanker me pajisje të veçanta dhe pritet të mbërrijë në fillim të dhjetorit në destinacion, 20 ditë më shpejt sesa rruga e zakonshme nga Mesdheu dhe Oqeani Indian.


Pronari i anijes thotë se ndryshimi i kushteve të motit dhe një treg shumë i luhatshëm i gazit e kanë bërë fitimprurës trafikun përmes Arktikut. E ndërtuar në vitin 2007 me një koracë të forcuar, gazsjellësi Ob mund të mbajë deri në 150 mijë metra kub gaz. Ajo u ngarkua me gaz të lëngshëm në Norvegji dhe u nis për nga deti Barents. Ajo shoqërohet nga një akullthyese ruse me motor me energji bërthamore përgjatë shumicës së udhëtimit të saj.


Anija ka një ekuipazh ndërkombëtar me 40 vetë dhe është përgatitur për këtë udhëtim për më shumë se një vit, ajo është nën pronësinë e kompanisë greke, “Gynagas”. “Është me të vërtetë një aventurë interesante”, thotë drejtori komercial i kompanisë, Tony Lauritzen. “Njerëzit në bord kanë parë arinjtë polarë gjatë udhëtimit. Deri tani gjithçka ka shkuar shumë mirë”.


Vendimi për të përdorur Shtegun Verior erdhi pas zbulimit shkencor të shkrirjes së akujve.


“Ne kemi analizuar shumë studime dhe ka një tendencë të qartë në faktin se kushtet e akullit po bëhen gjithnjë e më të favorshme për përdorimin e këtij kanali detar. Tani je në gjendje të arrish tregje shumë fitimprurëse duke kursyer 40 për qind të distancës, pra edhe 40 për qind të karburantit.”


Por shkrirja e akujve është vetëm një faktor. Një arsye tjetër e rëndësishme është zbulimi i gazit argjilor në SHBA. Impianti i gazit të lëngshëm në Hammerfest në Norvegjisë u zhvillua duke pasur ndër mend eksportet në SHBA. Por burimi i ri i gazit në Amerikën Veriore ka ulur kërkesën nga SHBA dhe Kanadaja. Ndërkohë kërkesa është rritur në Japoni ku energjia bërthamore po ulet në përdorim pas katastrofës së Fukushimës.


“Një faktor i rëndësishëm është se gazi tashmë shkon në lindje dhe jo në Perëndim”, thotë Gunnar Sander, një këshilltar në Institutin Polar të Norvegjisë.


“Zhvillimi i burimeve të gazit argjilor në SHBA e ka përmbytur tregun”, shton ai. Sipas mendimit të tij, shkaku kryesor është rritja e kërkesës për energji dhe jo shpejtësia e shkrirjes së akujve. Ka një pritshmëri se për shkak të ndryshimit të kushteve klimaterike, trafiku detar përmes Veriut do të rritet me shpejtësi. Por Sander thotë se shifrat janë ende minimale. Rreth 19 mijë anije kaluan Suezin gjatë vitit të kaluar, ndërsa në Shtegun e Veriut kaluan gjithsej 40 anije.


Në rast se teknologjia bën të mundur përdorimin e shtegut verior përgjatë vitit, harta gjeografike dhe e pushtetit të botës pritet të ndryshojë. Rusia do të jetë një vend përgjatë brigjeve të së cilës nuk do të gjendet më vetëm akull, siç është tani, por edhe një korridor tregtar i rëndësishëm për tregtinë lindje-perëndim.