Rebelët mposhtin forcat qeveritare dhe deklarojnë se po luftojnë korrupsionin e Kabilës


Qyteti i Gomas në Kongo, Afrika Qendrore, u zhyt këto ditë në kaos. Energjia elektrike u ndërpre dhe furnizimi me ujë është i paktë. Burgjet janë zbrazur dhe plehrat nuk mblidhen më. Nga burgjet janë liruar mbi 1200 vrasës, dhunues dhe ushtarë të parregullt mes shumë kriminelëve. Ky është përshkrimi që bën “New York Times”.


Tashmë ushtarët rebelë që pushtuan qytetin javën e kaluar, po shkojnë shtëpi më shtëpi duke arrestuar njerëz. Shumë prej të arrestuarve janë zhdukur.


“Nëse nxjerr pakënaqësinë më të vogël, ata të zhdukin”, tha një i papunë i quajtur, Luke.


Gjatë javës së fundit, rebelët kanë qenë të pandalshëm, kanë kapur qytet pas qyteti, pasi zaptuan kryeqytetin e provincës dhe po mposhtin ushtrinë keqfunksionale të Kongos, ushtarët e dehur të së cilës qarkullojnë me granata krahu. Shefi i shtabit të ushtrisë u pezullua nga puna, pasi u zbulua se u kishte shitur municione të ushtrisë gjuetarëve të elefantëve.


Përleshje po shfaqen në të gjithë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin. Turmat po luftojnë rrugëve duke djegur ndërtesat e qeverisë dhe duke kërkuar rrëzimin e Presidentit të dobët dhe gjerësisht të urryer, Joseph Kabila.


Kongo HartaEdhe një herë kaosi po mbizotëron në Kongo. Dhe një pyetje shqetësuese është se pse – pas miliarda dollarësh të shpenzuara për trupa paqeruajtëse dhe pas ligjit të fundit të miratuar në Kapital Hill për të shkëputur lidhjet mes tregtisë ilegale të mineraleve dhe kryengritjes, si dhe të gjithë ndihmës ekonomike dhe kapitalit diplomatik – ky komb i stërmadh në zemër të Afrikës po zhytet sërish aty ku qe më shumë se dhjetë vjet më parë kur ushtri të huaja dhe rebelë grabitqarë qarkullonin lirisht?


“Ne nuk e kemi prekur ende rrënjën e problemit”, thotë Aloys Tegera, drejtor i Institutit Pole, një qendër kërkimore në Goma. Ai thotë se destabiliteti kronik në Kongo i ka rrënjët te tensione shumë rajonale mbi tokën, pushtetin dhe identitetin, veçanërisht përgjatë kufijve me Ruandën dhe Ugandën. “Por askush nuk dëshiron të merret me këto çështje për shkak se janë tepër të komplikuara”, shton ai.


Zgjidhja më realiste, thotë një analist tjetër vendës, nuk është një proces formal paqeje i udhëhequr nga diplomatët, por “një paqe mes të gjithë kapedanëve, si ajo që Don Corleone vendosi në Nju Jork”.


Problemet e Kongos janë qelbur përgjatë viteve dhe janë plagë që nuk janë shëruar kurrë tërësisht. Por javën e kaluar, situata u bë alarmante, kur disa qindra rebelë marshuan mbi Goma, kryeqyteti i provincës Kivu dhe një nga qytetet më të rëndësishme në vend.


Rebelët, që njihej si M23 janë një paradoks i armatosur rëndë. Në njërën anë, ata janë barbarë. Grupimet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar se si kanë therur civilë, kanë përzënë fshatarët nga barakat e veta në mes të natës dhe i kanë vrarë me një plumb në kokë.


Në anën tjetër, M23 duket se janë administratorë të aftë, shumë më të organizuar sesa qeveria e Kongos, gjë që shihet në një vizitë në bazën e tyre në Rutshuru, një qytet i vogël 70 kilometra larg Gomës. Në këtë qytet nuk ka plehra nëpër rrugë siç ka në pjesën tjetër të Kongos. Rrugët e pashtruara janë sheshuar. Sloganet nëpër rrugë shkruajnë “M23 Ndal Korrupsionin”. Rebelët duket se anojnë edhe nga ambientalizmi, pasi kanë mbjellë mijëra pemë gjatë muajve të fundit për të luftuar erozionin.


“Ne nuk jemi një rebelim”, thotë Benjamin Mbonimpa, një inxhinier elektrik që tashmë është administrator rebel. “Ne jemi një revolucion”.


Synimi i tyre, thotë ai, është të rrëzojnë qeverinë dhe të ndërtojnë një sistem politik më të barabartë dhe të decentralizuar. Kjo është arsyeja se pse nuk kanë pranuar të negociojnë me Kabilën, megjithëse presioni mbi ta po rritet për të pranuar një kompromis. Presioni po rritet veçanërisht nga vendet perëndimore.


Rebelët M23 besohet gjerësisht se mbështeten fshehtazi nga Ruanda, e cila ka një histori të gjatë të përzierjes në Kongo, fqinji i saj i bekuar me flori, diamante e pasuri të tjera minerale. Qeveria e Ruandës e mohon këtë aludim apo akuzën se po përpiqet të aneksojë Kongon Lindore. Por në të shkuarën, Ruanda ka mohuar shumë herë se ka ndihmuar rebelët dhe në fund ka dalë se po gënjen.


Shumë njerëz në Goma nuk e pëlqejnë faktin se ushtarët e M23 janë të lidhur me Ruandën dhe ushtarët që flasin gjuhën e Ruandës qarkullojnë nëpër rrugë sikur ta kishin qytetin nën pronësi. Por urrejtja kundër Kabilës duket se është më e madhe.


“Ai na trajton ne si fëmijë rruge”, thotë Kalimbiro Kambere, një oficer policie që fiton vetëm 50 dollarë në muaj, pavarësisht se ka 37 vjet shërbim. “Askush nuk dëshiron të luftojë për të”.


Shumë pak vende në botë sundohen kaq keq sa Kongo. Ndërhyrjet e Perëndimorëve nuk kanë ndihmuar shumë – që nga viti 1880 kur Mbreti Leopold i Belgjikës e ktheu këtë vend në një kamp të stërmadh pune për të prodhuar gomë dhe fildish sa më shumë të qe e mundur, deri te dhuna e fundit në Goma, e cila mund t’i ketë rrënjët te ndonjë keqllogaritje e kryer nga ambasadorët e Perëndimit.


Nëntorin e kaluar, Kabila konkurroi për t’u rizgjedhur. Ai qe gjerësisht i papëlqyeshëm, i dyshuar se ka vjedhur miliona apo miliarda dollarë nga marrëveshjet për shfrytëzimin e mineraleve duke lënë rrugët, urat, spitalet dhe shkollat në gjendje të mjeruar.


Gjatë zgjedhjeve, agjentët e tij u kapën me presh në duar duke mbushur kutitë e votimit me vota, ndërsa ushtarët e tij hapën zjarr ndaj mbështetësve të opozitës që protestonin. Por diplomatët perëndimorë, megjithëse shprehën pakënaqësi, nuk shkuan më tutje.


Shumë aktivistë kongolezë dhe perëndimorë thonë se trupi diplomatik i kërkoi Kabilës pas kësaj të arrestonte Bosco Ntaganda, një gjeneral që fliste gjuhën e Ruandës dhe që kishte pseudonimin Terminatori, i cili ka qenë drejtues i shumë grupimeve brutale rebele dhe që kërkohej prej vitesh nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte.


“Kabila i bëri llogaritë gabim: thotë Tegera. “Kështu veproi edhe Perëndimi”. Në mars, kur Kabila filloi përpjekjet për arrestimin e Ntaganda dhe kërcënoi me pushim nga puna rebelët ruandezë që qenë inkorporuar në ushtrinë kombëtare, ata bënë kryengritje. Ata rezultuan shumë më të fuqishëm nga sa priste qeveria dhe OKB thotë se ata shpejt morën përforcime nga Ruanda. Filluan të pushtojnë qytetet njëri pas tjetrit, derisa kapën Gomën, ku furnizimi me energji qe ndërprerë gjatë luftimeve. Në secilën prej betejave, ushtria qeveritare u mposht. Trupat e ushtarëve të qeverisë tashmë gjenden nëpër rrugët e qytetit, babai apo djali i dikujt po kalbet në ndonjë ferrë. Fshatarët kalojnë pranë tyre dhe vijojnë më tutje. Për ta, fukarallëku është diçka e zakonshme.


Të premten, Alfonse Kiburara qëndroi para kasolles së tij në një kamp të OKB-së për të shpërngulurit e luftës. Shirat kanë filluar të jenë të përditshëm tashmë këtu. Familja e tij mblidhet kruspull në dyshemenë e ftohtë dhe të lagësht prej balte të barakës. Kjo qe hera e dytë këtë vit që familja Kibururas u detyrua të mbledhë plaçkat dhe të shpërngulet me nxitim larg luftimeve. Alfonse thotë se në çastin që djali i tij pesëvjeçar dëgjoi të shtëna, ai e dinte se çfarë duhej të bënte, të ndihmonte prindërit të mblidhnin plaçkat dhe t’ia mbathnin.


“Kjo nuk është hera e parë që ne dëgjojmë të shtëna me armë”, tha ai.