Situata


“Kemi shpresa se do t’i fitojmë. Në të kundërt do të paguajmë vetëm e vetëm për të shmangur penalitetin në pikë”


Salih Tagani: Do të apelojmë tri nga çështjet e humbura


Altin Manallari


Mungesa e rezultateve dhe problemet e shumta jashtë fushës kanë zhytur Tiranën në krizë. Pas dy fitoresh radhazi, nën drejtimin e trajnerit të ri Alban Tafaji, humbja me Bylisin në Ballsh ka rikthyer alarmin e kuq në kampin bardheblu. Problemet që presin për t’u zgjidhur janë të shumta. Skuadra vuan në fushë, nuk arrin të dalë në lojën e saj dhe për rezultat duket se është shumë larg luftës për titull. Tashmë ka edhe tifozët kundër. Problemet me rrogat e prapambetura janë vetëm maja e ajsbergut, pasi klubi është i zhytur në një krizë financiare edhe për shkak të borxheve të trashëguara. Kjo ka detyruar administratën aktuale që të shpenzojë një pjesë jo të vogël të energjisë në shqyrtimin me detaje të çdo dosje të hapur. Në bashkëpunim me FSHF-në po “hetohen të gjitha kontratat e nënshkruara që nga viti 2008 e në vazhdim. Shifrat e borxheve të trashëguara janë stratosferike. Disa çështje janë humbur tashmë, të tjera janë në shqyrtim dhe të tjera që priten të hapen. Prej vitesh, në zyrat e klubit 24 herë kampion qëndron kërkesa për detyrimin prej 500 milionë lekësh të vjetra (350 mijë euro) për t’iu kthyer ish-presidentit Metush Seferi. Në fakt, klubi ka nisur të shlyejë disa lojtarë, duke u dhënë nga një këst të borxheve. Etogo, pasi ka fituar gjyqin (ku ka përfituar dëmshpërblim 33 mijë euro për prishjen e njëanshme të kontratës), ka marrë 8500 euro. Nga krahu tjetër, Heples pretendon 105 mijë dollarë, për të kaluar te Memelli, që pretendon të marrë 30 mijë euro. Ka dyshime edhe tek ekzistenca e kontratës së Santos, lojtar që te Tirana cilësohet si “fantazmë”. Fakti që mesfushori nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri dhe që vetë drejtuesit aktualë nuk e disponojnë marrëveshjen me të, i bën të shpresojnë që të evitojnë gjobën prej 35 mijë dollarësh. Një tjetër çështje është ajo e Pejiçit, i cili ka bërë padi në FIFA për 27 mijë euro të prapambetura, që pret të marrë si dëmshpërblim nga Tirana për moskorrektësinë e treguar gjatë sezonit 2010-2011. Por veç tyre, ka edhe gjyqe të hapura në Gjykatën e Tiranës, si ajo e Xhuliano Rrudhos, apo e ish-menaxherit Hektor Çomo, i cili pretendon 30 mijë euro dëmshpërblim. Por mbeten ato të Orjand Abazajt, Mlladen Zizoviçit dhe Ivan Gvozdenoviçit. Pretendime për rroga të prapambetura ka edhe ish-trajneri i Tiranës, Rudi Vata, i cili kërkon t’i shlyhen rreth 60 mijë euro. Ndërkohë që në klub ka mbërritur edhe një letër nga FIFA, e cila kërcënon Tiranën me heqje pikësh për kontratën e Heples, Debreçenit dhe të Xherri Santos, ky i fundit lojtar që s’ka shkelur kurrë në Shqipëri. Situatën ekzistuese e pranon edhe administratori Salih Tagani, të cilit i ka rënë në kokë ky hall. Ai, së bashku me të ngarkuarit e tjerë nga klubi, po merren në themel me këtë çështje, e cila mund të komprometojë ecurinë e skuadrës në këtë sezon. “Tani kemi thuajse gjithçka gati për të apeluar vendimet e çështjeve të humbura, është shprehur administratori Tagani. Për momentin na duhet të presim ardhjen e dosjeve të zbardhura nga FIFA. Tri nga çështjet e humbura që do të apelojmë janë ‘Heples’, ‘Santos’ dhe ‘Debreçen’, të cilat kemi shpresa se do t’i fitojmë. Në të kundërt do të paguajmë. Megjithëse ky do të jetë veprimi i fundit që do të bëjmë, vetëm për të evituar penalitetet në pikë”, ka deklaruar numri një i klubit bardheblu. Deri në vendimin e Apelit, Tirana vazhdon të qëndrojë në ankth.


 


Lista e borxheve



  • Metush Seferi (ish-president)   350 000 euro

  • Etogo (ish-lojtar)    24 500 euro

  • Helpes (ish-lojtar)  105 000 euro

  • Santos (ish-lojtar)  27 000 euro

  • Migen Memelli (ish-lojtar) 30 000 euro

  • Pero Pejiç (ish-lojtar)    27 000 euro

  • Xhulian Rrudho (ish-lojtar)     27 000 euro

  • Hektor Çomo (ish-menaxher) 30 000 euro

  • Rudi Vata (ish-trajner)    60 000 euro


 


 


Paralajmërimi


FIFA “kërcënon” me heqje pikësh Tiranën për kontratën e Heples, Situmës dhe të Xherri Santos, ky i fundit lojtar që s’ka shkelur kurrë në Shqipëri