Deshtë dhe qengjat
Therja e 2 mijë bagëtive po bëhet në rrethe, sot nis paketimi dhe shpërndarja. Ruli: Prodhimet shqiptare
Ministria e Bujqësisë: Pjesa më e madhe janë dhuratë prej blegtorëve e biznesmenëve të fushës
Lorina Mixha
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, mbajti suspancë për qytetarët dhe për të gjithë shqiptarët që do të zgjedhin të festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë në Tiranë. Madje zyrtarisht ka parapëlqyer të luajë “blofin”, duke dhënë deklarata dhe informacione jo të sinqerta…
Ndërsa një pjesë e mirë e qytetarëve menduan se kreu i Bujqësisë ia ka bërë fjalën dysh Kryeministrit për porosinë e mishit të pjekur, Ruli ka marrë kohë për të bërë negociata e për të kërkuar nga fermat shqiptare e bizneset desh e qengja falas për festën e pavarësisë. Zyrtarisht, dje Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së konsumatorit ka sqaruar se deshtë dhe qengjat do të piqen e do të shërbehen në rrugët e kryeqytet për rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kreu i Bujqësisë ka arritur të sigurojë 1 mijë qengja e 1 mijë desh, sipas porosisë së Kryeministrit të vendit dhe madje projektin e ka zbatuar me nikoqirllëk të pashoq, duke mos nxjerrë edhe shumë para nga “qesja” e fondit të bujqësisë.
“Deshtë e qengjat po theren në thertore të licencuara, po grumbullohen nga e gjithë Shqipëria dhe po ruhen në ambiente frigoriferike, për të ruajtur sigurinë ushqimore. dhe janë prodhime të fermave shqiptare”, ka deklaruar zyrtarisht Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Fatura financiare
Mesatarisht në tregun e shumicës, atje ku shiten produkte të mishit, bagëti e freskët e therur, e pastruar dhe e ndarë në copa, një dash kushton rreth 20 mijë lekë të reja, ndërsa një qengj rreth 10 mijë lekë të reja. Sipas kasapëve dhe tregtarëve të mishit rezulton se një dash i cilësisë normale me një peshë nga 15 deri në 25 kg shitet me 20 mijë lekë, ndërkohë që një qengj ka mesatarisht peshën 9-10 kg, dhe kushton më pak se dashi. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm për blerjen e bagëtisë së imët, 1 mijë desh e 1 mijë qengja, fatura financiare që duhet të vendoste në dispozicion Ministria e Bujqësisë për blerjen e tyre është rreth 30 milionë lekë të reja.
Sot pritet që të zbardhen detaje të tjera për vendet ku do të shërbehet mishi i pjekur i deshve dhe i qengjave, si dhe vendet ku do të piqet bagëtia e imët, me rastin e festave dhe si do të menaxhohet shpërndarja, pasi sipas sinoptikanëve, festa e 28 Nëntorit do të gdhihet e ngryset me reshje shiu.
Shpërndarja
Ende nuk është vendosur përfundimisht se ku do të shërbehen pjatancat me mish të pjekur, por deri tani, sipas të dhënave, do të vendosen në disa nga sheshet kryesore, ku bashkia e Ministria e Kulturës kanë parashikuar aktivitete. Konkretisht është menduar qendra, disa pika në bulevardin kryesor, rruga “Murat Toptani”, rruga “Myslym Shyri”, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Elbasanit.
Pavarësisht negociatave të suksesshme të Rulit për sigurimin e bagëtisë së imët, në pjesën dërrmuese dhuratë nga sipërmarrësit e fermave, Bujqësia ka ende punë deri në servirjen e mishit në pjata.
Duhet të negociojnë për kuzhinierët që do të gatuajnë e do të pjekin mishin, duhen para për materialet me të cilat do të piqet mishi, si dhe është ende në diskutim grupi i kamerierëve që do të shërbejnë produktin përfundimtar.
Ministri nikoqir
Fatura financiare që duhet të vendoste në dispozicion Ministria e Bujqësisë për blerjen e mishit, dhe që Ruli e kurseu, është rreth 30 milionë lekë
Të dhëna
Tiranë
Kryeqyteti – Tirana ka festuar dje 100 vjetorin e ngritjes së flamurit. Në prani të pasardhësve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë është vendosur Mozaiku i Flamurit Kombëtar, i punuar me gurë natyralë
Toptani – Në këtë ceremoni, i ardhur nga SHBA ka përshëndetur nipi i Refik Toptanit: “I them faleminderit Bashkisë, që sot mua një nip i Toptanësve, më jepet rasti pas 50 viteve të uroj vendin tim”
Mozaiku – “U nisa me mendimin për të respektuar gjithashtu të parët tanë, që kanë luftuar në çdo betejë, në çdo fushë të tyre, duke mbajtur edhe penën, edhe mendjen, edhe shpatën”, tha autori Gëzim Hidri
Kuvendi – 26 nëntori do të kujtohet edhe si dita e krijimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare me miratimin e të zgjedhurve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e Presheva
Memoriali – U përurua dje në prani të Kryeministrit dhe 13 kryetarëve të komunave nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, Memoriali i Shqiponjës, simbolit të shqiptarëve