Mandati i Kukësit
Gjiknuri takon ambasadorët: Numri i deputetëve, jo nga Kolegji
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste informon trupin diplomatik shqiptar, si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare lidhur me manovrat e paligjshme dhe njëkohësisht të rrezikshme për një proces zgjedhor ligjor e të ndershëm që qeveria është duke bërë nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga eksperti i kësaj fushe, Bledi Çuçi, janë takuar dje paradite me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Komisionit Europian, për t’i informuar ata lidhur me ecurinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus mes palëve, por që duket se nuk po ecën në të njëjtën mënyrë edhe gjatë zbatimit praktik të tij. Ballafaqimi ishte në nivel ekspertësh, të ambasadës së SHBA-së, të Britanisë, të BE-së, OSBE-së, Holandës. Gjiknuri, pas takimit, deklaroi se kishte paraqitur shkeljet që pretendohen prej PS-së se po kryhen nga Ministria e Brendshme lidhur me lëvizjen demografike të popullsisë dhe me shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve. “U shpjeguam përfaqësive diplomatike situatën e krijuar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve. Dhamë argumentet tona, të gjithë analizën që kemi bërë dhe që është paraqitur edhe në KQZ, por në mënyrë më të përmbledhur për ta. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, për të kuptuar cili është problemi dhe për të parë çdo të bëjmë më tutje”, është shprehur deputeti socialist.
Analizat e PS-së mbi të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme janë bërë prezent te faktori ndërkombëtar, duke u depozituar një dosje atyre. Partia Socialiste, ditët e fundit ka kundërshtuar idenë e ndarjes së mandateve sipas qarqeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pas mosarritjes së një konsensusi në KQZ. Më herët, në një prononcim publik, sekretari Damian Gjiknuri theksoi se në Kodin Zgjedhor është parashikuar qartë dhe prerë se mandatet përcaktohen nga KQZ-ja dhe nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do të bëjë ndarjen e mandateve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013-s. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të miratonte disa ditë më parë, projektaktin e Ministrisë së Brendshme për ndarjen 140 mandateve. Tre anëtarë të këtij komisioni votuan kundër projektvendimit, me pretendimin se shifrat e lëvizjeve demografike të popullsisë nuk janë të sakta në qarqe të caktuara. Kjo sillte heqjen e një mandati në Qarkun e Beratit, duke ia shtuar Qarkut të Kukësit.
Beteja
Mandatet dhe beteja e numrave
PS-ja disponon një material zyrtar nga Ministria e Brendshme, i majit të këtij viti, ku sipas tyre, mbi bazën e formulës së Kodit Zgjedhor, Qarku i Beratit përfiton 8 deputetë, ndërsa ai i Kukësit 3 deputetë. Katër muaj më pas, Ministria e Brendshme ka depozituar një listë të përditësuar të popullsisë, duke sjellë që Berati të mbesë me 7 deputetë dhe ndërsa Kukësi me 4 deputetë. Për këtë, PS-ja pretendon se janë shtuar në mënyrë fiktive 682 shtetas në katër komunat e Qarkut të Kukësit, që njihet si bastion i PD-së.
Kukësi – Qarku i Kukësit është beteja kryesore mes PS-së dhe PD-së. Përplasja për mandatet ka përfunduar në dyert e Kolegjit Zgjedhor
862 shtetas – PS-ja pretendon se pas majit, janë shtuar 862 shtetas në Qarkun e Kukësit, kjo solli më pas edhe heqjen e mandatit të tetë të Beratit