Dhunimi i të miturit nga një efektiv policie, sepse tentoi të vidhet një flamur, ka sjellë reagimin e Policisë së Shtetit. Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka sqaruar se ditën e djeshme, menjëherë pas marrjes dijeni për veprimet e kundërligjshme të kryera nga një punonjës policie gjatë shoqërimit të një të mituri, është bërë pezullimi nga detyra i këtij punonjësi.


“Nga ana e Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar ecuria disiplinore për shkeljet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës. Policia e Shtetit garanton opinionin publik se, si një shërbim në ndihmë të komunitetit, është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit publik në respekt të plotë të ligjit dhe të lirive e të drejtave të qytetarëve dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje apo abuzim nga ana e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës, por ndaj tyre do të merren masat e parashikuara në ligj”, përfundon njoftimi.


27 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)