Kreu i Aleancës Kuqezi do ta dorëzojë peticionin e firmosur në Parlamentet e dy vendeve
Fatjona Mejdini
Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka bërë dje publike nga Kosova nismën e re të kësaj partie që lidhet me nënshkrimin e një peticioni për një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Këtë nismë, Spahiu e prezantoi gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje në Prishtinë, duke i bërë thirrje shqiptarëve në të dyja anët e kufirit t’i bashkoheshin kësaj nisme. “Peticioni do të nisë të nënshkruhet më 28 Nëntor në kufirin Shqipëri-Shqipëri, aty ku para 100 vitesh shqiptarët u ndanë aty, do të nisë bashkimi për realizimin e aspiratës shekullore të kombit shqiptar për bashkim”, bëri të ditur Spahiu, duke iu referuar kështu Morinit dhe pikës doganore që ndodhet aty. Sipas Spahiut, peticioni do t’i dorëzohet Parlamentit të të dyja vendeve dhe më pas qytetarët në të dyja shtetet do të votojnë pro ose kundër bashkimit. “Populli do të votojë bashkimin e dy pjesëve të Shqipërisë. Peticioni do të shkelë në të gjithë qytetet, fshatrat, komunat dhe lagjet e shqiptarëve”, deklaroi Spahiu. Sipas tij, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dështuan në bashkimin e shqiptarëve. “28 Nëntori në Morin do të mbledhë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe trojet etnike për t’i treguar faktorit politik të të dyja shteteve shqiptare se aspirata shekullore e shqiptarëve për bashkim kombëtar duhet të nisë. Aleanca Kuqezi denoncon në këtë 100-vjetor dështimin e Berishës dhe Thaçit për realizimin e bashkimit të shqiptarëve, pasi ky bashkim nuk mund të bëhet me deklarata sporadike vetëm në raste festash. Aleanca Kuqezi, prej themelimit të saj si lëvizje patriotike politike, është zotuar për të realizuar bashkimin e shqiptarëve, atë që nuk bënë dy qeveritë tona, do ta bëjmë ne si shqiptarë”, bëri të qartë kreu i AK-së. Madje, Kreshnik Spahiu i bëri thirrje ndërkombëtarëve të monitoronin të gjitha procedurat në të cilat do të kalonte ky proces. Spahiu deklaroi se tashmë kishte ardhur koha që doganat mes dy vendeve të hiqeshin, sepse ato nuk duhen më dhe se dy shtetet duhet të vijojnë tregtinë e lirë me njëri-tjetrin. AK dhe më parë ka organizuar peticione për referendum, siç ishte ai për censusin, pavarësisht se kjo nismë nuk është marrë parasysh nga Kuvendi i Shqipërisë.