Vendoset shtatorja e komandanti legjendar i UÇK-së, 6 metra e lartë
Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari është përjetësuar në bronz, në kryeqytetin shqiptar. Me një ceremoni ushtarake, siç i ka hije një komandanti, Bashkia e Tiranës organizoi dje inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, 6 metra i lartë.
Krahas truprojës së nderit të ushtrisë shqiptare, merrnin pjesë edhe 23 ushtarakë të forcës së sigurisë së Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Rifat Jashari kanë zbuluar shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari. Më pas, personalitetet e larta, të ardhura nga të gjithë trojet shqiptare, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, Kryeministrat Berisha e Thaçi, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, familja Jashari, ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kosovës, Kryetari i BDI Ali Ahmeti, Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa vendosën kurora me lule, para shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se:
“Të gjithë e dimë, se kur shumëkush nga ne ndoshta do të jetë tretur, Adem Jashari do të qëndrojë këtu, i paplakshëm dhe i paperëndueshëm, sepse heronjtë, heronjtë e mirëfilltë si ai, e mundin kohën dhe e shtrëngojnë fort në putrat e tyre prej luani.
Dhe për shekuj, ky emër dhe kjo legjendë e vërtetë, do të ngjallë adhurim dhe shtangie, adhurim për ne dhe shtangie për këdo që do të guxonte t’i shkaktonte dhimbje kësaj toke, sepse prej dhimbjes, kjo tokë ka dëshmuar se di të ringjallë çlirimtarët e dhimbjes dhe nismëtarët e lirisë së mohuar. Tirana është sot krenare, që e ka Adem Jasharin sërish në gjirin e vet”
Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari ka apeluar për bashkim, si mënyrën e vetme, për ta çuar amanetin e të rënëve, aty ku ata e dëshironin:
“Dëshiroj që populli shqiptar, gjithmonë të jetë i bashkuar dhe bashkë t’ia arrijmë qëllimeve tona. Për ata që luftuan deri më tani, t’ua çojmë amanetin e tyre, ku ata dëshiruan!”
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, për realizimin e kësaj shtatoreje: “Gjatë tërë vitit, ne festuam dhe kremtuam bashkarisht dhe shpesh me Kryeministrin Berisha, anë e kënd Shqipërisë dhe Kosovës. Festuam dhe kremtuam anë e kënd në Maqedoni e Preshevë, edhe në viset shqiptare në Mal të Zi, kremtuam edhe në diasporë, por ky tubim sot, pas atij në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Drenicë, Karadak, Dukagjin e kudo, është tubimi që i jep kuptim manifestimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sepse komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i dhanë kuptim shqiptarizmit, i dhanë kuptim përmbylljes me sukses të shekullit që lamë pas, për t’i hapur një horizont të ri të ardhmes së kombit shqiptar, horizontin e shekullit të ri, e shekullit të bashkimit të kombit shqiptar”