Burgjet hapin sot dyert, ndërsa 160 të tjerëve u ulet dënimi. Kush preket


Sokol Çobo


Ligji për dhënie amnistie me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë hyn sot në fuqi, ku 220 të burgosur do të lënë qelinë, ndërsa përfitojnë ulje ¼ të dënimit 160 të burgosur. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha dje zyrtarisht se qindra persona me liri të kufizuar do të përjashtohen nga ndjekjes penale, vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit, sipas kritereve të dispozitave të ligjit të amnistisë. “Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në njoftimin e burgjeve, që përcakton edhe kategoritë dhe kriteret për të përfituar amnisti. Sipas saj, përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në dy vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 shtator 2012, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji. Gjithashtu përfitojnë personat e dënuar ndaj të cilëve gjykata me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim. “Përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, personat e dënuar me burgim, të cilëve në datën 28 nëntor 2012, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit. Gjithashtu edhe të dënuarat femra që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç dhe të dënuarit meshkuj, që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, të dënuar për krime që shkojnë deri në dy vite burg, përfitojnë nga amnistia. Gjithashtu, edhe të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, përfitojnë, me përjashtim të atyre që kanë dënuar për vrasje e krime të rënda”, pohon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.


Sipas saj, të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti sipas paragrafit 1 të këtij neni, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji (krimet e rënda. Në rastin e personave përsëritës, të dënuar për të njëjtën vepër penale, nuk zbatohet zbritja.


Nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës të kryera me dashje, vrasje e mbetur në tentativë, vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale, vepra kundër lirisë së personit, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues etj. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.


 


Përjashtohen nga amnistia të dënuarit që vuajnë dënimin:



  • Për krime kundër jetës të kryera me dashje

  • Vepra me dashje kundër shëndetit

  • Krime seksuale

  • Krime kundër fëmijëve

  • Krime kundër martesës dhe familjes

  • Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike,

  • Krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues

  • Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtete të tjera

  • Organizimi dhe pjesëmarrja në banda kriminale


 


Lirohen – 220 persona që gjenden në sistemin e burgjeve


Të lirë – 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative


Jashtë hetimit – 876 persona, të cilët deri më datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë


Amnistia më 28 Nëntor – Qeveria ka ngarkuar ministrin e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes dhe Prokurorin e Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji. Ndërkohë, ligji në fjalë botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 28 Nëntor 2012.


Pushohen hetimet – “Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat dhe për kallëzimet, që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale të kryera deri më datën 31 gusht 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të lehtë”, thotë qeveria, duke përcaktuar se do të ketë edhe çështje që kanë shkuar në gjykim që mund të pushohen.