Ministri i Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos ka anuluar në momentin e fundit vizitën e tij të planifikuar për ditën e sotme sot në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë.
Shkak për këtë janë bërë deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha gjatë fjalimeve me rastin e përvjetorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë lidhur me Shqipërinë etnike.
Ministria e Jashtme greke njofton se shkak i anulimit të kësaj vizite është bërë pikërisht një deklaratë e kryeministrit Berisha ditën e djeshme në Vlorë ku citohej Preveza.
“Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin e një klime të miqësisë, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, dhe në zhvillimin e nismave të përbashkëta në fusha me interes të përbashkët, si në sektorin politik, ekonomik dhe energjinë”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
Zyra e kryeministrit të Shqipërisë ka reaguar pas këtij vendimi me anë të zëdhënëses Mëhilli, e cila ka sqaruar deklaratën e bërë nga kryeministri dje në Vlorë ku u citua Preveza.
“Deklarata e kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”, – thuhet në sqarimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.
PDIU: Avramopulos mos të merret me shtrembërimin e historisë, por të zgjidhë çështjen çame
Anulimi i vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos në vendin tonë me rastin e festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, ka sjellë reagimin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila i ka bërë thirrje qeverisë greke, t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila sipas PDIU, është e vetmja që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke”.
“Kryediplomati grek nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj partie.
Më tej PDIU deklaron se ministri i Jashtëm grek nuk duhet të merret me shtrembërimin e historisë, duke krijuar incidente false.
“Për aq sa qeveria greke tenton të mbulojë diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim. Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe! Ministri i Jashtëm grek, në vend të tentojë të shtrembërojë historinë, duke krijuar incidente false, duhet të kontribuojë që të gjendet rruga e përbashkët e zgjidhjes së çështjes çame”, – përfundon deklarata e PDIU-së.
28 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)