Opozita ngre pretendimin për draftin se ministri bëhet drejtuesi kryesor i shërbimit sekret


BLEDAR HOTI


Komisioni i Sigurisë vijon përplasjet për çështjen e ligjit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Opozita ngriti pretendimin se AIM-i po dublon shërbimet e tjera, duke tejkaluar kompetencat e SHISH-it. “Ministri shndërrohet në fakt në drejtorin suprem të AIM, me të njëjtat kompetenca si drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror. Neni 5 i projektligjit është një ndër nenet më delikate dhe tinëzare të këtij projektligji. Ka për qëllim krijimin një organi paralel në Republikën e Shqipërisë. Synimi është i qartë, krijimi i një organi jo thjesht mbështetës të forcave të armatosura, por një organ që ushtron veprimtari zbulimi e kundërzbulimi me juridiksion dhe kompetenca të njëjta ose më të mëdha se SHISH, në varësi të ministrit të Mbrojtjes”, tha Ilir Gjoni, deputet i PS. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe socialisti Gazmir Bizhga, i cili deklaroi se AIM kthehet në instrument i drejtpërdrejtë i ministrit në punën e përditshme. “Ky ligj i bërë me kaq nxitim disa muaj para zgjedhjeve, do të jetë një instrument i pakontrolluar edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor”, u shpreh Bizhga. Këto qëndrime të opozitës u kontestuan nga ana e mazhorancës. “Nëse duam të bëjmë politikë hajde të bëjmë politikë, por unë mendoj se për draftin kanë punuar ekspertët prej dy vitesh. Neni 5 është vlerësuar nga të dy palët si nen që nuk mbivendoset në detyrat e një shërbimi tjetër. Nga ana e teknikës legjislative është i shkruar mjaft saktë. Është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, deklaroi relatori i draftit, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Rezart Tërshana, në lidhje me këto përplasje u shpreh se “drejtori i përgjithshëm i AIM ka një sërë kompetencash e detyrash të përcaktuara në nenin 10, të cilat qëndrojnë të ndara nga ato të përcaktuara për ministrin e Mbrojtjes”. Ditën e djeshme komisioni shqyrtoi 10 nga 80 nene që ka drafti në total. Sipas draftit, Shërbimi Informativ i Ushtrisë kthehet në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes dhe drejtori i tij zgjidhet nga presidenti me një mandat 5-vjeçar. Neni 5 i draftit ka këtë përmbajtje: “1. Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes është agjenci e inteligjencës, kundërinteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes, në funksion të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë. 2. AIM është person juridik publik e buxhetor, që ka stemën dhe flamurin e vet, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Kjo agjenci mban numrin kodik dhe atë luftarak, sipas përcaktimeve të autoriteteve ushtarake. AIM është në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me struktura varësie në territoret ku kryejnë veprimtarinë Forcat e Armatosura, brenda dhe jashtë vendit. Struktura, organika dhe rregullat e funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Procedurat standarde të inteligjencës, kundër inteligjencës dhe sigurisë së AIM përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes”.