Prindërit: I blemë tekstet me lekë borxh. Të na japin paratë. Pa rimbursim transporti, edhe mësuesit e rretheve
Shpresa Mezini
Sanije Leka, mamaja e një nxënëseje që mëson në shkollën “Faik Konica” thotë për gazetën “Shqip” se nuk është rimbursuar për tekstet shkollore, ndonëse është një familje që jeton me ndihmë ekonomike.
Burime në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sqarojnë se procesi ka ecur normalisht, ndërsa disa prindër pohojnë tërësisht të kundërtën.
Sipas ministrisë, rimbursimi i teksteve shkollore për ciklin 9-vjeçar ka nisur në fillim të muajit nëntor, ndërsa pritet të përfundojë në fund të tij.
Po ashtu, mësuesit të cilët jetojnë në një qytet por punojnë në një tjetër, nuk kanë marrë ende rimbursimin e transportit, rreth 1800 lekë në muaj.
Librat
“Kam shkuar për ditë me radhë në drejtorinë arsimore, por nuk kam marr asnjë lekë. S’di pse na gënjejnë. Paratë që bleva librat i kisha marrë borxh, ndërsa tani na kanë lënë peng. Si unë ashtu edhe bashkëshorti im jemi të papunë, përfitojnë asistencë sociale. Po na sorollasin pa arsye. Di që shumë familje i kanë marrë paratë, vetëm unë jo”, tha zonja, e shqetësuar që nuk ka marrë ende rimbursimin për tekstet shkollore të vajzës së saj, e cila është në klasën e VI. Ndonëse deklaratë reale, Ministria e Arsimit nuk ka një përgjigje zyrtare për “ngërçin” e krijuar. Sipas të dhënave thuhet se fondi që arrin në vlerën e 200 milionw lekëve në total shpërndahet nga drejtoria e financave në Ministrinë e Arsimit në drejtoritë arsimore apo në zyrat rajonale arsimore. Nuk dihet ende se cila nga hallkat nuk po funksionon si duhet. Por procesi i rimbursimit është bllokuar dhe nuk ka nisur për një pjesë të familjeve që listohen në kategorinë e përfituesve. Edhe pse jemi në muajin nëntor, ata nuk i kanë marrë ende paratë që u takojnë, sipas legjislacionit në fuqi.
Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit mësohet se rimbursimin në masën 100 për qind e përfitojnë kategoritë më në nevojë dhe që pamundësinë ekonomike e vërtetojnë nëpërmjet dokumentacionit të dorëzuar pranë drejtorive arsimore përkatëse, ndërsa në masën 50 për qind, familjet që jetojnë me minimum jetik.
Mësuesit
Arsimtarët, të cilët udhëtojnë me linjat e transportit interurban po e paguajnë vetë biletën vajtje – ardhje çdo ditë nga shtëpia për në punë. Bëhet fjalë për të gjithë ata mësues, të cilët marrin autobus apo furgonë për të shkuar në punë, pasi banojnë në qytet, por punën e kanë në fshat. Sipas mësuesve të fshatit, rimbursimi për biletat dhe koston e transportit duhet të ishte bërë në fillim të muajit shtator, me çeljen zyrtare të vitit shkollor.
Masa e pagesës për transportin interurban për mësuesit në zonat rurale është 1800 lekë të reja çdo muaj. Kjo merret si shtesë mbi pagën bazë. Ndërkohë që më pak marrin mësuesit e dispozicionit, të cilëve u duhet të udhëtojnë më rrallë, pasi punojnë me orare të reduktuara si mësuese zëvendësuese, të njohura si arsimtare të dispozicionit.