Deklarata
Kristo Frashëri: Akti ka qenë në Tiranë deri më 1962
Një vit më parë, teksa shkuam në shtëpinë e profesor Kristo Frashërit, për t’u konsultuar mbi fotografinë e rigjetur të Marubit, historiani shprehu dyshimet e tij mbi vërtetësinë e saj. Nga ana tjetër, na tha se ka një tjetër histori nga ajo që tregohet për fatin e Deklaratës origjinale të Pavarësisë, por që nuk do ta tregonte. “Do ta shkruaj”, tha profesor Frashëri, i cili ende nuk ka vendosur ta radhisë atë që pretendon të dijë. Vetëm pak javë më parë, në një intervistë dhënë për një të përditshme, historiani u shpreh se dokumenti origjinal ka qenë në Tiranë deri më 1962. “Dokumenti i Pavarësisë ka qenë në Tiranë deri në verën e vitit 1962. Për një arsye që s’dua ta them, na iku nga dora. I iku nga dora qeverisë. Tani as që jam në gjendje ta ndjek. Unë s’lëviz dot nga vendi. Ai që e kishte, na u lut që të mos e zinim në gojë emrin e tij. Dhe unë ia kam dhënë fjalën e s’e tregoj”, ishte shprehur profesori. Kjo deklaratë ngjalli mjaft diskutime në rrethin e studiuesve, të cilët e konsiderojnë si një detyrim moral dhe profesional tregimin e kësaj historie.
“Nuk kërkuam dot në Beograd, besoj se gjendet në Shqipëri”
Oliverta Lila
Deklarata origjinale e shpalljes së Aktit të Pavarësisë në vitin 1912, edhe pas 100 vjetësh, nuk është gjetur. Një vit më parë, në një intervistë për gazetën “Shqip”, Nevila Nika, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, pati deklaruar se kërkimet do të intensifikoheshin në këtë përvjetor të rëndësishëm. Për fat të keq, ende nuk janë në gjurmët e këtij dokumenti të lindjes së shtetit. Nika shprehet se ndër vite, historianët kanë neglizhuar në kërkimet për gjetjen e origjinalit, ndërkohë që sipas saj, një pjesë edhe kanë bërë deklarata abuzive.
Një vit më parë, në një intervistë për gazetën “Shqip” ju deklaruat se Arkivi i Shtetit do të kërkonte në disa arkiva të huaja për gjetjen e Deklaratës origjinale të Pavarësisë. Cilat kanë qenë rezultatet?
Për fat të keq, ende nuk e kemi Aktin origjinal të Pavarësisë. Në fakt, kërkimet nuk kanë qenë vetëm në këto muajt e fundit. Që në rastin e 95-vjetorit të pavarësisë, kjo drejtori bëri një apel publik që çdokush që do të dinte diçka mbi fatin e kësaj deklarate, të na ndihmonte. Pati një lloj lëvizje të vogël gjatë këtij viti me rigjetjen e fotos së aktit origjinal, bërë më 1937 nga Kel Marubi, fotografi zyrtar i mbretërisë, gjatë kremtimit të 25-vjetorit të Pavarësisë. Rezultoi se ishte pak më ndryshe në pamje nga botimi i bërë nga Lef Nosi. Letra dukej qartësisht që ishte me vija, dy njollat për të cilat ishte përfolur se mund të ishin shenja gishtash të firmëtarëve, u kuptua se nuk ishin të tilla. Akoma edhe më i qartë ishte imazhi në xhamin fotografik që u rigjet në Fototekën Marubi. Kjo nxitje erdhi nga dy djem të rinj, koleksionisti Niko Kotherja në Korçë që rigjeti foton dhe nga Luçiano Bedeni, drejtori i ri i Fototekës Marubi, i cili vuri në dispozicion xhamin. Deri këtu, kërkimet ecën mirë. Kjo konfirmon që deri në vitin 1937 jemi të sigurt që akti ka qenë, nuk ishte zhdukur, nuk ishte tjetërsuar dhe nuk ishte vënë dorë mbi të. Nga viti 1937 dhe më tutje ne kemi një periudhë letargjie. Vitet e luftës ishin problematike, por besoj se e ka pasur Lef Nosi, firmëtar i aktit, një personazh emblematik, i cili me dashurinë e tij të madhe për historinë e vendit, na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme dokumentesh. Lef Nosi duhet ta ketë mbajtur me reliket e tij të çmuara.
Dalim edhe një herë te çështja e shumëdiskutuar e dy kutive që Lef Nosi kishte lënë në Bankën e Shqipërisë. A e kishte vënë atje Nosi dokumentin e pavarësisë?
Në momentin që Lef Nosi u arrestua, u konfiskua menjëherë biblioteka dhe arkiva e tij. Kuptohet që diçka duhet të ketë humbur, mbi diçka duhet të jetë vënë dorë dhe diçka tjetër është përdorur për aktakuza kundër tij, ndonëse ata nuk kishin nevojë për argumente shtesë për ta dënuar. Ka dy mundësi: një pjesë të kenë humbur për shkak të pakujdesisë apo paditurisë së atyre që kanë vënë dorë dhe tjetra është që mund të jetë vënë dorë në atë pasuri të jashtëzakonshme që Lef Nesi për vite të tëra të jetës së tij ia kishte kushtuar në të gjitha drejtimet, si etnograf, muzeolog, filatelist. Rezulton një inventar se çfarë i kanë marrë nga pullat, por nuk gjendet asgjë për dokumentet. Ka një zbrazëtirë në këtë periudhë, sepse nuk ekzistonte arkivi. Biblioteka Kombëtare, drejtor i së cilës në atë kohë ishte shkrimtari Haki Stërmilli, merrte libra, por dokumentet ishin paksa jetim. Instituti i Shkencave që doli nga Instituti i Studimeve Shqiptare, i cili ka funksionuar gjatë periudhës së pushtimit italian dhe gjerman, kishte krijuar një seksion të vogël të arkivit, por ndërroi dy herë ndërtesë. Arkivi i Shtetit krijohet me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 1949. Duhet të kuptoni se që nga viti 1945 deri në ‘49 çfarë mund të ketë ndodhur. Është periudha që kishim marrëdhënie të mira me jugosllavët e ku anije me “dokumente pa vlerë” dërgoheshin atje. Në bazë të dëshmive të familjarëve të Nosit, ai e ka pasur Aktin e Pavarësisë në një këllëf lëkure. Dokumentet që u morën nga kasetat e Lef Nosit nuk i ka shqyrtuar një partizan i thjeshtë, sepse kishte edhe atëherë persona me shkollë, të afërt me regjimin që ia dinin vlerën e një akti e një dokumenti të tillë. Që prej asaj kohe, nuk dihet më se çfarë ka ndodhur.
Pse ka pasur një heshtje kaq të gjatë nga historianët?
Historianët që punuan në botimin e parë të Historisë së Shqipërisë, në fund të viteve ‘50, duhet ta kishin kërkuar. Ndonëse atëherë shumë nga këta personazhe të rëndësishëm patën fat tragjik, u dënuan apo persekutuan, kjo nuk i ndalonte historianët të citonin qindra dokumentet që ata kishin lënë, edhe pse ishte e kuptueshme që regjimi nuk u lejonte të përmendnin emrat e tyre. Por nuk ju falet fakti që atyre nuk iu bën përshtypje që nuk e kanë këtë akt në dorë. Vitet kalonin e po ashtu kujtesa për këtë ngjarje. Në vitin 1962, kur qeveria shqiptare u prish me sovjetikët, filloi t’i mëshonte nacionalizmit. Në 50-vjetorin e pavarësisë, një kremtim i madhërishëm, për herë të parë pati dekorime për veprimtari patriotike, pavarësisht se personazhet nuk kishin pasur të bëjnë me komunizmin. Sot duket qesharake, atëherë ka qenë një gjë e madhe sepse edhe vetë familjarët e Ismail Qemalit, të cilët kishin pësuar një sërë tragjedish, ishin keqtrajtuar politikisht dhe ishin nëpërkëmbur, filluan të përmendeshin. Të gjithë e kuptojnë se po të ishte ekspozuar Akti i Pavarësisë, nuk mund të ekspozohej i plotë se shumë prej firmëtarëve kishin pasur një jetë në devijim nga ajo që thoshte Partia, kishin ikur nga vendi, ishin burgjeve, kishte shumë tragjedi në atë copëz letër për ata njerëz që sakrifikuan. Por po ta kishin, regjimi ishte mësuar të retushonte, të hiqte foto e të shtonte. Nuk iu falet historianëve të asaj kohe që nuk u kujtuan se ku ishte ky akt i pavarësisë. Nga viti 1962 deri në ‘92 kaloi sërish një periudhë 30-vjeçare ku asnjeri nuk foli. Të vjen akoma më keq që edhe nga ‘92 në 2012, ne kemi bërë shumë përpara. Historianëve nuk u falet kjo shkujdesje për këtë copëz letër kaq të rëndësishme. Papritur e pakujtuar, sot dëgjojmë versione nga më të çuditshmet që unë si studiuese, si historiane dhe arkiviste jam e prirur t’i besoj dhe madje edhe të bëjmë kërkime me drejtimet që na japin. Për fat të keq, një pjesë e tyre janë shumë abuzive, nuk janë të vërteta. Ata mund t’i fajësosh edhe për krim, sepse krim nuk është vetëm kur humb jetë njeriu, pasi për ne shqiptarët ajo copëz letër është më shumë se sa jetët tona. Ka njerëz që bëjnë nihilistin apo interesantin, duke thënë se nuk është gjë. Ka edhe që në vitin 2012 na thonë se e kanë parë, por nuk e tregojnë. Kjo nuk është një sjellje që i nderon.
Është aluduar që Aktin e Pavarësisë e ka pasur Ferid Vokopola dhe nuk e ka dorëzuar. A mund të jetë e vërtetë?
Ferid Vokopola është njeri i nderuar me shumë kontribute dhe nuk besoj që e ka treguar dhe e ka marrë prapë. Edhe nëse kjo do të kishte ndodhur, ata që e panë nuk duhet ta kishin lejuar, sepse ishte detyrim qytetar e për më tepër që kishin të gjitha mundësitë ligjore për ta shtrënguar. Ai njeri ka dorëzuar me qindra dokumente dhe nuk do të mbante Aktin e Pavarësisë. Falë tij dhe Lef Nosit ne kemi mundësi të përshkruajmë gjithë periudhën e 1912, ‘13, ‘14.
Një nga pikësynimet tuaja qenë arkivat e Beogradit. Mundët të kontrollonit në to?
Ne nuk shkuam në arkivat e Beogradit, sepse atje ka edhe një lloj shtrëngimi e mbylljeje, sepse edhe nëse gjendet atje, ky dokument është dhënë nën dorë, ose si dhuratë simbolike. Mund të jenë edhe në arkivin vetjak të Josif Broz Titos. Ndonëse më duket paksa e pajustifikuar që të gjendet në arkivat e Beogradit, nuk e përjashtoj mundësinë për të kundërtën. Një kërkim e bëmë edhe në arkivat e Italisë, por nuk rezultoi asgjë. Mendoj se Lefi nuk e ka lëshuar kurrë për ta çuar jashtë shtetit. Mundësitë më të shumta janë që ky dokument i rëndësishëm të ketë mbetur brenda Shqipërisë. Shpresojmë që të mos e kenë grisur.
