Italia përfaqësohet nga kryeparlamentari Fini. Ivanov anulon vizitën
Në manifestimet për shënimin e 100–vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Serbinë zyrtare do ta përfaqësojë ndihmësministri i Jashtëm, Zoran Vujiç
Ylli Pata
Tre shtetarët më të lartë të vendeve të Bashkimit Europian që do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar do të jenë Kryetari i Parlamentit të Italisë, Gianfranco Fini, Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa. Nga Bashkimi Europian, por edhe në cilësinë e një zyrtari të lartë të një vendi fqinj do të jetë në festime edhe shefi i diplomacisë së Greqisë, Dimitris Avramopulos. Siç mësohet nga protokolli i shtetit, gjatë ceremonisë zyrtare që do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, e cilat fillon në orën 10.00 e do të përmbyllet në darkën zyrtare në Pallatin e Brigadave, do të jenë disa personalitete të rëndësishme europiane, të rajonit, por edhe të vendeve të tjera të botës, si nga Lindja e Mesme edhe nga Azia. Nga rajoni, Mali i Zi paraqitet me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, përkatësisht Presidentin Filip Vijanoviç, ndërsa Kroacia gjithashtu do të sjellë një zyrtar të lartë siç është Kryeministri, Zoran Milanoviç. Prezente në ceremoni do të jetë edhe Serbia, me një zyrtar të një niveli më të ulët. Në manifestimet për shënimin e 100–vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Serbinë zyrtare do ta përfaqësojë ndihmësministri i Jashtëm, Zoran Vujiç, dhe ambasadori serb në Tiranë, Mirolub Zariç, bëri të ditur për agjencinë Beta, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Milosh Todoroviç. Përfaqësuesit e Serbisë do të marrin pjesë në manifestimet e shumta të parapara nga Tirana zyrtare për pjesëmarrjen e diplomatëve të huaj në Tiranë dhe në Vlorë. Ndërkaq, një problem në protokollin e personaliteteve nga rajoni ka shkaktuar vendi fqinj, Maqedonia, pasi Presidenti i këtij vendi ka anuluar vizitën në Tiranë.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgj Ivanov ka anuluar vizitën e tij në Tiranë, ku do të merrte pjesë në festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, raporton agjencia maqedonase MINA. Kabineti i Presidentit ka njoftuar se vizita është anuluar për shkak të incidenteve të fundit. Presidenca e Maqedonisë nuk ka dhënë detaje për këtë anulim, por Presidenti Ivanov po e anulon këtë pjesëmarrje pas incidenteve të javës së shkuar të Nikolla Gruevskit në Tiranë. Makina e Kryeministrit maqedonas u sulmua me vezë, ndërkohë që disa të rinj dogjën flamurin e Maqedonisë në Tiranë. Edhe vizita e Kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë në Shkup u shoqërua me tensione. Ndërkaq, siç mësohet nga protokolli i shtetit, prezent në ceremoninë e sotme do të jetë edhe nënkryetari i Parlamentit të Francës, por edhe drejtues të lartë nga disa vende europiane. Nga vendet arabe do të jenë përfaqësues krerët e dikastereve të Kulturës së Kuvajtit dhe emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa do të marrin pjesë edhe drejtues të organizatave të njohura botërore si UNESCO dhe UNDP-ja. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, që prej kohësh u bëri ftesa shumë personaliteteve botërore që të vizitonin Shqipërinë për jubileun e pavarësisë. Berisha ftoi ndër të tjera Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili u mendua se do të ishte një nga personalitetet që do të jenë në Tiranë më 28 Nëntor, por që nuk ndodhi për arsye të axhendës së Kryeministrit turk. Ndërkohë, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, vizitoi Tiranën në ditën e parë të këtij muaji, edhe me rastin e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë ku dha dhe mesazhet e rëndësishme në emër të SHBA, gjatë fjalës që mbajti në Parlamentin e Shqipërisë. Një e ftuar e rëndësishme ka qenë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, por Berlini zyrtar do të përfaqësohet nga një numër i rëndësishëm anëtarësh të Bundestagut(Parlamentit) gjerman.