Berisha dhe Thaçi kthehen nga rruga pas trazirave që shpërthyen


Vendi ku ishte planifikuar përurimi i autostradës Kosovë – Shqipëri, u përfshi nga protestues që kërkonin lirimin nga paraburgimi të deputetit Fatmir Limaj. Protestat me kërkesat për lirimin e deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, anuluan planet për përurimin e autostradës “Ibrahim Rugova” që lidh Kosovën me Shqipërinë. Të organizuar nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 121 “Kumanova”, që komandohej gjatë luftës nga Fatmir Limaj, protestuesit bllokuan skenën e përgatitur për ceremoninë e përurimit. Më parullën “Nëse doni me festu Fatmir Limajn duhet me pru”, ata bënë që ceremonia të anulohet fare. Përurimi i autostradës ishte planifikuar nga Qeveria e Kosovës si një prej ngjarjeve kryesore në kuadër të kremtimeve që po mbahen në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës me nofkën “Çeliku”, ndodhet në paraburgim nën akuzat për krime lufte gjatë vitit 1999. Vendimi për dërgimin e tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve në paraburgim nxiti reagime të shumta në Kosovë. Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi paraburgimin e zotit Limaj si një veprim të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë. Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, nëpërmjet një komunikate, thekson se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet, por kërkon që politikanët dhe institucionet politike, të shmangin komentet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë. Në muajin maj të këtij viti, Fatmir Limaj dhe tre ish-bashkëluftëtarë të tij qenë shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999. Por, javën e kaluar, Gjykata e Lartë e Kosovës, vendosi kthimin e çështjes në rigjykim. Kundër rigjykimit kanë reaguar edhe pjesëtarët e njësive të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gjatë luftës ishin nën komandën e zotit Limaj, duke bërë përgjegjës edhe Kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Më 30 nëntor të vitit 2005, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 ishte akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Javën e kaluar, EULEX-i bëri të ditur se është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.


 


Protesta – Ceremonia solemne që ishte paraparë për në orën dhjetë nuk u mbajt, për shkak të protestave që bashkëluftëtarë të Famtir Limajt mbajtën, duke demoluar skenën solemne në të cilën pritej të mbanin fjalimet e tyre Hashim Thaçi e Sali Berisha


Parullat – Protestuesit, me brohoritjet “Liri për Fatmir Limajn”, kishin dalë për të kundërshtuar arrestimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij


Deklarata – Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të Autoudhës së Kombit, që ishte edhe moment i shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë


Brigada 121 – Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova” kanë reaguar ndaj deklaratës , siç e quajnë ata të pamatur dhe tendencioze të qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e protestës


 


 


Lugina


Preshevë, flamujt kuqezi pushtojnë komunën


Në Preshevë, që prej ditës së djeshme, po valon flamuri ynë kombëtar me shqiponjën dykrenare. Në orët e paradites është vendosur flamuri ynë kombëtar dhe po valon para objekteve institucionale respektivisht në objektin e Kuvendit komunal të Preshevës, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”


Me vendosjen e flamurit tonë kombëtar kanë nisur aktivitetet edhe në Preshevë për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas organeve komunale, flamuri ynë është vendosur në godinë për të nisur festimin e Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe njëkohësisht i paraprin edhe manifestimit të sotëm qendror në shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Manifestimi qendror do të mbahet në sheshin e qytetit të Preshevës ku do të mbahen një sërë aktivitetesh kulturore e artistike.


Marrë nga “Presheva Jonë”


 


 


“Vetëvendosja”


Parulla në Merdare: “Mirë se vini në Shqipëri”


Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan dje një aksion simbolik në Merdare. Aksioni kishte si qëllim vendosjen e flamurit kombëtar dhe një tabele ku shënohej “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”. “Ne zgjodhëm për ta vendosur flamurin kombëtar në Merdar, në përkujtim të betejës së Hasan Prishtinës 100 vjet më parë, i cili organizoi luftë mbrojtëse pikërisht në këtë zonë kundër forcave serbe që po sulmonin Shqipërinë”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”. Sipas komunikatës, me të filluar vendosja e flamurit kombëtar në një shtyllë pranë pikës kufitare në Merdar, Policia e Kosovës ndërhyri brutalisht për t’i penguar aktivistët. Gjatë ndërhyrjes së dhunshme nuk u kursye as ekipi i “Kosovapress”-it, kameramani i të cilit u përplas për tokë dhe u mbajt i arrestuar nga policia për rreth një orë. “Vetëvendosje” thekson se me gjithë këtë ndërhyrje, aktivistët ia arritën që të ngrenë flamurin kombëtar, si dhe të vendosin tabelën “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”, të cilat u hoqën më pas nga Policia e Kosovës, me t’u larguar aktivistët. “Është e çuditshme se si në të gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe sheshet e vendit është vendosur në mënyrë masive flamuri kombëtar, madje dhe Kryeministri e Presidentja janë duke marrë pjesë në aktivitete ku nderohet ai dhe i vetmi vend ku u ndalua të vendosej flamuri kombëtar shqiptar është pikërisht kufiri përballë Serbisë. Hashim Thaçi duhet ta dijë që nuk ka nevojë ta drejtojë flamurin kombëtar përballë Sali Berishës, por përballë Serbisë”, thuhet në kumtesën e “Vetëvendosjes”.