Sot do hamë mishin e do të shijojmë ëmbëlsirën e pavarësisë


Lorina Mixha


Sot është ditëlindja e Shqipërisë! U mbush 100 vjet shet!


Një ditë më parë qytetarët, vizitorët, shqiptarët e ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse, fëmijët nisën festimet me “uniformën” kuqezi, si flamuri.


Shumica e nxënësve të shkollave e kishin bërë me fjalë për të veshur bluza me flamurin kombëtar apo për ta vënë atë si shall. Kryeqyteti ka qenë “në zjarr”. Koncertet, vizitorët, atmosfera, zbukurimet dhe çdo gjë këto ditë, e dje në mënyrë të veçantë “vuloseshin” me stemën e flamurit. Dekori i ëmbëlsirave që bliheshin në dyqane, suvenirët, pakot për dhurata dhe çdo gjë nga detajet e vogla e deri tek ato të mëdhatë u stolisën me ngjyrat kuqezi.


Ne zemër të qytetit, është vendosur një shqiponjë me përmasa të mëdha ku qytetarët, vizitorët e turistët të mund të bëjnë një foto për të pasur një foto në albumin e kujtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.


Po ashtu, fëmijët kanë pasur mundësinë të kërcejnë dhe këndojnë nën muzikën me motive patriotike përgjatë paradites së djeshme në rrugën Murat Toptani.


Të huajt janë bërë përqafues të festës, duke vendosur qeleshen në kokë, duke blerë flamuj të vegjël apo duke mbajtur në duar suvenirë të zbukuruar me flamurin kombëtar.


Të ardhurit nga qytetet e tjera e nga të gjithë trojet shqipfolëse kanë parë paradën e kuajve dhe kalorësve të veshur me kostume popullore të ardhur nga Mitrovica. Ata janë nisur më pas për në Sheshin e Flamurit në Vlorë.


Mesditën e djeshme këta kalorës janë pritur nga kreu i bashkisë, Lulzim Basha, dhe nga qindra qytetarë që me telefona bënë foto e xhiruan video amatore.


Nën ethet e pritjes së ditëlindjes së Shqipërisë, institucionet kanë bërë gati gostinë. Sot do të hamë mishin e do të shijojmë tortën 13 tonë me një sipërfaqe 550 metra katrorë.


Pas orës 18:00 kur do të bëhet edhe inaugurimi i saj, qytetarët do të shërbehen me ëmbëlsirën e pavarësisë, përgatitjet e së cilës kanë nisur në fillim të javës.


Mishi është bërë gati do të vendoset në pjatanca sot e do të jetë gosti për të gjithë ata që zgjodhën Tiranën si kryeqendër të festimeve.


Në hyrje të xhamisë së Tabakëve qëndron një tjetër shqiponjë e inauguruar për ditëlindjen e Shqipërisë. Ajo u ndërtua me gur natyral enkas për festën. Turistë e vizitorë kanë zgjedhur këtë shqiponjë si vend më të përshtatshëm për foto artistike.


Dje, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, u ka dhuruar të rinjve të kryeqytetit një cd me 36 këngë patriotike të mbledhura në arkiv.


“Poshtë përçarja, rroftë bashkimi! Shumë prej këtyre këngëve ne i dimë përmendësh, i mësojmë, por shumë prej kanë humbur në pluhurin e kohës apo janë ndaluar për një kohë të gjatë për arsye ideologjike, prandaj Bashkia e Tiranës mori iniciativën t’i gjurmonte këto këngë, të gjente regjistrime të vjetra apo t’i riprodhonte ato dhe t’i sillte në këtë format”, tha Basha.


Festimet kanë vijuar gjatë gjithë ditës në rrugën pedonale “Murat Toptani” me panairin produkte shqiptare koncert me këngëtarë të rinj.


Kutitë me të cilët qytetarët blinin ëmbëlsira paketoheshin të gjitha me flamurin kombëtar. Gjithçka, biznesi, të rinjtë, artizanët, veshjet e fëmijëve, çdo gjë dje mbante ngjyrat kuqezi, gjithçka e stolisur me shkabën krenare, çdo produkt dje parapëlqehej të “vulosej” nga flamuri kombëtar kuqezi.


Gëzuar ditëlindjen Shqipëri!


 


Këngët patriotike


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka përzgjedhur që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, t’u japë një dhuratë të rinjve të kryeqytetit, një përmbledhje me 36 këngë patriotike, një numër i madh prej të cilave dëgjohen për herë të parë. Dje ka nisur shpërndarja e CD-ve, në të gjithë shkollat e mesme të kryeqytetit


 


Memoriali


Është inauguruar për festën e Pavarësisë Memoriali i Shqiponjës, simbolit të shqiptarëve. Shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra do të qëndrojë në qytetin e Tiranës, në rrethrrotullimin e doganës dhe sheshi do të mbajë emrin “Shqiponja”