Politika ka festuar sërish e ndarë ditën e Çlirimit të vendit. Partia Socialiste dhe aleatët e saj ishin bashkë në vendosjen e kurorave me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në nderim të dëshmorëve të rënë për liri, ndërsa LSI-ja më vete. Homazhet kanë nisur nga Presidenti i Republikës, i cili mëngjesin e sotëm ka nderuar kujtimin e gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë.


Në fund të ceremonisë solemne, kreu i shtetit në një prononcim për gazetarët u shpreh se në këtë 100 vjetor të Pavarësisë një nderim i veçantë u kushtohet atyre që u ngritën, u bashkuan pa dallim feje e ideje dhe ranë në luftë për çlirimin e vendit. I pyetur për festimin ndaras të ditës së Çlirimit, presidenti Nishani ka theksuar se ai është i vendosur të respektojë Kushtetutën. “Çështjet e këndvështrimit të partive politike janë çështje të tyre. Presidenti i Republikës, më shumë se kushdo tjetër duhet të respektojë përcaktimet ligjore dhe atë çka Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në legjislacionin e ligjit përkatës. 29 nëntor, në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë është festa kombëtare, e cila kujton çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”, ka thënë Nishani.


Rama: 29 Nëntori, ditë për të qenë krenar


Pak para mesditës, kreu i opozitës Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë socialistë dhe aleatët e PS-së u bashkuan në vendosjen e kurorave me lule në monumentin  “Nënë Shqipëri”. Pas homazheve në nder të të rënëve, Rama deklaroi se: “29 Nëntori është dita tjetër e madhe që ka shënuar njëherë e përgjithmonë në historinë e Shqipërisë mundësinë për të qenë krenar se në orët më të vështira bota i pa shqiptarët në krahun e duhur të historisë dhe lufta Nacional Çlirimtare është një nga trashëgimitë edhe për brezat që do të vijnë. Dita e djeshme tregoi se ne kishin me vete një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të lexuar me krenari dy faqe të shkuara por edhe për të parë nëse e ardhmja jonë do të jetë akoma edhe më e çmuar nëse e kemi guximin që ta rilindnim Shqipërinë. Dhe ne e kemi guximin që ta rilindim Shqipërinë”,- tha Rama.


Kreu i PS-së ka përshëndetur edhe lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.”Kjo ditë ka një ogur në mënyrën më të bukur të mundshme pas shpalljes së pafajësisë përfundimtare për luftëtarët e UÇK-së. Është një moment i jashtëzakonshëm pasi që prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroikën e luftërave të saj janë fashitur njëherë edhe përgjithmonë.  28 Nëntor i qëndron 29 Nëntori si vazhdimi i një historie të shkruar nga njerëz që besuan në një ëndërr dhe për ëndrrën e tyre sakrifikuan edhe jetën”, theksoi Rama.


Meta: Mirënjohje dhe nderim për ata që luftuan për liri


Rreth orës 11:00, në memorialin “Nëna Shqipëri” zhvilloi homazhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, i cili në fjalën e tij përpara mediave theksoi se 28 dhe 29 nëntori do të qëndrojnë përjetësisht në historinë e Shqipërisë, siç qëndrojnë dy kokat e shqiponjës në flamurin kombëtar. Ai theksoi se sot është dita për të shprehur mirënjohje dhe nderim për të gjithë patriotët që luftuan për lirinë dhe çlirimin e vendit, por njëkohësisht përsëriti apelin e tij për bashkëpunim mes forcave politike për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.


Berisha: 29 Nëntori me ligj është festë, por unë ndjek programin e partisë sime


Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun slloven Janez Jansa, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se është i vendosur të respektojë programin e PD-së për çështjen e datës së Çlirimit, pavarësisht se me ligj njihet 29 nëntori. “Kryeministri nuk ka të bëjë me axhendën e Presidentit. Presidenti është kryetari i shtetit dhe natyrisht, në natyrën e tij duhet të konsiderojë të gjitha ndjeshmëritë. E vërteta është se me ligj është ashtu, por Kryeministri është njëkohësisht kryetar i një partie dhe ka një program të asaj partie, të cilit i përmbahet”, ka thënë Berisha.


29 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)