Sunizmi rrit fuqinë në Lindjen e Mesme
NEIL MacFARQUHAR, NYT
Për shumë vite, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Lindje të Mesme u sfiduan nga rritja e fuqisë së politikës shiite, një aleancë politike dhe ideologjike e mbështetur nga Irani që lidhte aktorë rajonalë shumë armiqësorë ndaj Izraelit dhe Perëndimit. Por kryengritjet, luftërat dhe ekonomiksi duket se e kanë ndryshuar panoramën e rajonit, duke krijuar kushtet për ngritjen e një aksi të ri, të udhëhequr nga aleanca e myslimanëve suni në Egjipt, Katar dhe Turqi. Ky triumvirat luajti një rol të rëndësishëm në përfundimin e konfliktit tetëditor mes Izraelit dhe Gazës, gjerësisht duke mbështetur Hamasin dhe duke e joshur atë të largohet nga linja Iran-Siri-Hezbollah, duke ofruar mbështetje diplomatike dhe ndihma të shumta.
Për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ky ndryshim dinamik ofron një shans për të izoluar Iranin dhe për të kufizuar aksesin e Teheranit në rajon dhe faktin që kjo gjë po e bën më të vështirë për Iranin të armatosë militantët në kufijtë e Izraelit. Por ky avantazh nuk është shumë i madh, duke marrë parasysh se udhëheqësit suni, megjithëse janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Uashingtonin, gjithsesi promovojnë ideologji radikale me bazë fetare që nxit ndjenjat antiperëndimore në rajon.
Hamasi, organizata që ka marrë raketa nga Irani për t’i hedhur kundër qyteteve veriore të Izraelit, i ndërpreu marrëdhëniet me aksin e Iranit dimrin e kaluar, kur publikisht mbështeti rebelimin kundër Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad. Por afrimi i Hamasit me aksin Egjipt-Katar-Turqi i dha frutet këtë vjeshtë.
“Kampi i ri ka më shumë asete për të ndarë se sa Irani politikisht, diplomatikisht dhe materialisht”, shpjegon Robert Malley, drejtor i programit për Lindjen e Mesme te Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “Vëllazëria Myslimane është shumë më pranë Hamasit se sa Irani nga pikëpamja ideologjike”, shton ai.
Konflikti në Gaza ilustron faktin se si aleancat e Lindjes së Mesme kanë evoluar që nga koha kur një valë islamike rrëzoi qeveri pas qeverie në janar 2011. Irani nuk kishte interes në arritjen e një armëpushimi, ndërsa Egjipti, Katari dhe Turqia, po.
Por është lufta për Sirinë faktori përcaktues në betejën e rigjallëruar mes sunive dhe shiave. Fituesi në këtë luftë do të kapë një kryqëzim të rëndësishëm rrugor. Tani për tani, duket se dallga po ecën kundër Iranit edhe këtu, dhe Teherani mund të humbasë aleatin e vet kryesor në botën arabe, Sirinë. Opozita e udhëhequr nga sunit duket se gjatë ditëve të fundit ka arritur suksese të konsiderueshme kundër qeverisë, duke kërcënuar sundimin dinastik të familjes Assad që ka sunduar këtë vend për 40 vjet në aleancë me Iranin. Nëse Assad rrëzohet, edhe aleati tjetër i Iranit, lëvizja Hezbollah në Liban, do të izolohet nga aleanca suite në një rajon që po bëhet gjithnjë e më sektar. Hezbollahu është prezantuar shpesh në botën arabe si “zemra e rezistencës”.
Dhe nëse ndryshimi duket se po i lë Shtetet e Bashkuara disi të çuditura, kjo është për shkak se ajo çfarë do të shfaqet pas rrëmujës, është e paqartë. Dukshëm udhëheqësit e vjetër, te të cilët u bazua Uashingtoni për të zbatuar vullnetin e vet, si Presidenti Hosni Mubarak i Egjiptit, kanë ikur ose kanë rënë në hije. Por në tërësi konfuzioni dominon në kuptimin se si duhet të trajtohet paradigma e re, ajo që mund të krijojë shoqëri të përmbushura me ideologji fetare që amerikanët e kanë të vështirë ta pranojnë. Realiteti i ri mund të ketë një Iran shumë më të dobët se deri tani dhe një Lindje të Mesme shumë më konservatore nga pikëpamja fetare në tërësi.
Sakaq, islamikët kanë fuqizuar në Egjipt, Libi dhe Tunizi, ndërsa opozita në Siri udhëhiqet nga rebelët suni, përfshirë edhe një numër në rritje xhihadistësh, disa të identifikuar si simpatizantë të Al-Kaedës. Katari, vendi ku gjendet baza më e rëndësishme ushtarake e SHBA-së në rajon, financon islamikët nëpër rajon.
Në Egjipt, Presidenti Mohamed Morsi dha dorëheqjen si anëtar i Vëllazërisë Myslimane vetëm kur u bë kreu i shtetit, por sërish mbetet ngushtësisht i lidhur me lëvizjen. Turqia, një model për shumë myslimanë, ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin, por po dobëson autoritetin e gjeneralëve, të cilët kanë qenë aleatë të fortë të amerikanëve.
“Shtetet e Bashkuara janë pjesë e një panorame që ka ndryshuar gramatikisht”, thotë Malley nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “SHBA-ja është kapur në mes të rrëzimit të radikalëve të moderuar të vjetër dhe ata të rinjtë që identifikohen me besnikërinë sektare.”
Aksi suni në rritje nuk i ka vendosur vetëm shiat në disavantazh, por edhe udhëheqësit e shkollës së vjetër që dikur u bënë aleatë të Uashingtonit.
Anëtarët e gardës së vjetër në Autoritetin Palestinez me vështirësi po përpiqen të mbeten të rëndësishëm në një kohë kur lufta e tyre 20-vjeçare për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të tokave palestineze ka qenë e pasuksesshme.
“Hamasi ka argumentuar gjithmonë se është e ardhmja e ndryshimeve në rajon, për shkak të natyrës së saj revolucionare dhe se është pjesë e grupimeve politike dhe fetare që kanë fituar revolucionet”, thotë Ghassan Khatib, ish-zëdhënës i qeverisë.
Autoriteti Palestinez pritet të kërkojë në OKB pranimin e Palestinës si një shtet joanëtar. Rezoluta pritet të miratohet, por analistët thonë se është shumë pak dhe shumë vonë në krahasim me çfarë ka ndodhur në rajon. Autoriteti po mbetet prapa, ndërsa Hamasi po rritet. Emiri i Katarit i ka ofruar Gazës që është bërë simbol i rezistencës, 400 milionë dollarë ndihma. Katari duket se nuk ka ndër mend të dhurojë shuma të tilla për t’i parë të shkrumbuara nga bombardimet pas pak vitesh.
Mubarak kishte një qëndrim shumë jomiqësor ndaj Hamasit, të cilët janë aleatë me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit. Presidenti aktual Morsi, ka ndryshuar shumë pak gjëra nga politika e Mubarakut, por ai dërgoi Kryeministrin gjatë bombardimeve në Gaza për të ngritur moralin. Në total, dhjetë ministra të Jashtëm, përfshirë ato të Turqisë dhe Egjiptit, vizituan Gazën gjatë luftimeve.
Egjipti, Katari dhe Turqia dëshirojnë një Lindje të Mesme më të qetë dhe stabile, gjë që besojnë se mund të realizohet duke i dhënë fund pushtimit izraelit. Por qeveritë e reja islamike nuk flasin shumë për zgjidhjen me dy shtete, gjë që nga analistët interpretohet si plan për të arritur një armëpushim afatgjatë.
“Ndërsa Hamasi afrohet më shumë me Turqinë, Egjiptin dhe Katarin, ajo do të jetë gjithnjë e më pak një lëvizje ‘rezistence’, sepse këto tri vende nuk dëshirojnë rezistencë”, thotë Talal Atrissi, një akademik libanez. Këto vende nuk do të furnizojnë armë dhe kjo gjë besohet se do të shtyjë Hamasin të ruajë kontaktet me Iranin. Ndërkohë, Hamasi dhe Hezbollahu, që kanë qenë dikur aleatë, janë tashmë gjithnjë e më shumë larg njëri-tjetrit.
Rreziqet mbeten gjithsesi të shumta. “Këto janë lëvizje populiste që kanë më shumë interes për opinionin publik vendas se sa regjimet e mëparshme”, shpjegon Rashid Khalidi, një profesor i studimeve arabe në Universitetin e Kolumbisë. “Para revolucionit arab kishte një situatë të ngrirë, ku ishte e lehtë të shihje se si do të shkonin gjërat”, shton ai.