Zhvillimet


Ivanov – Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, refuzoi ftesën e homologut të tij Bujar Nishani për të ardhur në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit


Marrëdhëniet – Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë kishin hyrë në një fazë të re bashkëpunimi dhe nuk dihet sesi do të vijojnë të jenë pas kësaj përplasjeje


Sebepi – Deklaratat e Berishës për territorin janë ato që kanë “nxehur” më shumë fqinjët tanë dhe për më tepër të artikuluara nga drejtues të qeverisë


Kryeministria: Deklarata ishte vetëm historike


“Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”


Fatjona Mejdini


Deklarata që Kryeministri Berisha bëri dy ditë më parë në Vlorë për t’u shkruar në pergamenë dhe për t’u vendosur më pas në muzeun e këtij qyteti, krijoi dje një incident diplomatik mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shkas u bë deklarata e Kryeministrit Berisha, e cila konsideroi si troje shqiptare ato nga Preveza deri në Preshevë. Pasoja e parë e këtij incidenti ishte anulimi i vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos në Tiranë dje, ku ishte ftuar të merrte pjesë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme greke sqaron se vizita është anuluar, për shkak të deklaratës së papranueshme të bërë nga kreu i qeverisë shqiptare dhe se madje kjo çështje do të diskutohej edhe me Kryeministrin grek Antoni Samaras. Ky është rasti i dytë i incidenteve me fqinjët që krijohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. I pari ishte me anulimin e vizitës së Presidentit maqedonas, si rezultat i deklaratave që Kryeministri Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, bënë në Shkup pak ditë më parë. Kjo situatë është komentuar edhe nga mediat botërore. Agjencia italiane e lajmeve ANSA, deklaron se Tirana zyrtare riluan me kartën e Shqipërisë së Madhe dhe se kjo i shërben si një strategji Kryeministrit Berisha për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Incidenti


Çdo gjë ndodhi kur Kryeministri Berisha në datë 27 nga Vlora bëri një përshëndetje për qytetarët e këtij qyteti, për ta kthyer më pas në pergamenë dhe për ta vendosur në muze. “Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë:


Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, më 28 Nëntor të vitit 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën Aktin e Pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!”. Kjo deklaratë solli edhe anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në Tiranë dje. Në sqarimin e saj për këtë anulim, Ministria e Jashtme greke thekson se ai ka ardhur për shkak të kësaj deklarate të papërshtatshme të Kryeministrit Berisha, e cila ka prekur interesat e Greqisë. Menjëherë pas këtij anulimi, zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, sqaroi se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”. Nuk dihet ende se cila do të jetë pasoja e vërtetë e kësaj deklarate në marrëdhëniet mes dy vendeve.


Jehona


Përsëritja e një incidenti të tillë me fqinjët ka nxitur agjencitë e huaja të lajmeve të bëjnë një analizë në lidhje me shkaqet. Agjencia ANSA i konsideron këto përplasje rezultat i një politike të re që po luhet nga Shqipëria dhe Kryeministri Berisha për arsye elektorale. “Në dritën e analizës së analistëve, kjo rishfaqje e nacionalizmit më shumë se sa me një projekt real, lidhet me çështje të brendshme, me zgjedhjet që pritet të jenë të ashpra dhe të ngushta. Kryeministri Berisha po shfrytëzon çdo shfaqje publike për të fituar pikë popullariteti përballë rivalit të opozitës, Edi Ramës, me të cilin nuk ka mundur të qëndrojë përkrah as me rastin e këtyre ceremonive zyrtare”, thekson agjencia.


Ftesa – Ministri i Jashtëm grek, Avramopoulos, është ftuar në Tiranë nëpërmjet telefonit nga homologu i tij Edmond Panariti


Delavekuras – Lajmi i anulimit është bërë prezent nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras


Samaras – Kjo përplasje pritet të bëhet çështje shtetërore, pasi do të diskutohet me Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras


 


Reagimi


PDIU: Athina nuk ka pse të trembet nga patriotizmi


Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet deklaroi dje se qeveria greke nuk ka pse të trembet nga patriotizmi shqiptar i përligjur nisur nga faktet historike. Në deklaratën e ardhur nga kjo parti, bëhet e qartë se pala greke duhet t’i japë sa më shpejt zgjidhje çështjes çame. “Ministri i Jashtëm grek nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë greke t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila është e vetmja çështje që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke. Për aq sa qeveria greke tenton të mbulojë diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim”, theksohet në këtë deklaratë, duke shtuar se “Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe!”.