Antibiotikët po humbin efikasitetin e tyre me një ritëm që njëkohësisht është alarmant dhe i pakthyeshëm, i ngjashëm me ngrohjen globale, thonë mjekët. Pamundësia gjithmonë e më e madhe e ilaçeve për t’u bërë ballë baktereve, është një nga problemet e shëndetit botëror
Si arrijnë t’u shpëtojnë antibiotikëve
Bakteri vrasës fshihet nëpër spitale dhe ka mësuar t’u shpëtojë edhe antibiotikëve. Ai po bëhet i paparashikueshëm duke u shndërruar në një emergjencë globale, aq sa infeksionistët nuk hezitojnë të flasin për pandemi. Askush nuk mund të përjashtohet nga alarmi klebsiella pneumoniae, një mikroorganizëm i aftë të vrasë rreth 40 për qind të personave që preken prej tij. Dhe këtë e bën kryesisht në shtretërit e reanimacionit dhe kirurgjisë. Në thuajse një të tretën e rasteve, ilaçet nuk arrijnë ta ndalin sepse po modifikon karakteristikat e tyre. Me pak fjalë ka rezistencë ndaj ilaçeve. Pamundësia gjithmonë e më e madhe e ilaçeve për t’u bërë ballë baktereve përfaqëson një nga problemet e shëndetit botëror. Përgjegjësi i sistemit shëndetësor anglez Dame Sally Davis ka përdorur kohët e fundit një shembull shumë të qartë për të dhënë kuptimin e emergjencës: “Antibiotikët po humbin efikasitetin me një ritëm që njëkohësisht është alarmant dhe i pakthyeshëm, i ngjashëm me ngrohjen globale”. Sipas vlerësimeve në Europë, më shumë se 25 mijë vetë humbin jetën çdo vit, sepse penicilinat dhe derivatet e tyre nuk arrijnë të kurojnë më. Klebsiella, e ardhur në Europë nga India duke kaluar përmes Anglisë, është bakteri që po shqetëson më shumë në këtë moment dhe rezistenca e tij ndaj ilaçeve është rritur nga
1,6% në 2009-n në 27% në 2011, thonë studimet. Dhe për vitin në vijim, mendohet se do ta kalojë 30 përqindëshin. Po ka edhe mikroorganizma të tjerë, gjithmonë në fushën spitalore, që po bëhen një problem madhor: Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus, për shembull. Kështu OBSH dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve kanë vënë në alarm të gjitha shtetet. “Përdoren shumë antibiotikë në mënyrë jokorrekte dhe bakteret zhvillojnë rezistencë, sepse nisin të mësojnë mirë armët që ne përdorim”, shpjegon mjeku
Giovanni Rezza, ekspert i sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në Itali. Problemi është më dramatik në spitale dhe infeksionet janë shumë të përhapura dhe prekin kryesisht njerëzit e brishtë, por lidhet edhe me vendin. “Bakteret rezistente në qarkullim po rriten në të gjitha nivelet”, vazhdojnë më tej mjekët. Faji për këtë mund të jetë edhe i mjekëve, që japin ilaçet e gabuara, të terapive që nuk çohen deri në fund dhe mbi të gjitha të kurës së antibiotikëve të marrë sipas dëshirës. Janë të shumtë ata që i marrin antibiotikët, madje edhe për probleme virale, kundër të cilave antibiotikët nuk bëjnë fare punë. Gjithmonë, për çdo problem, qoftë ky edhe i vogël apo i parëndësishëm, duhet dëgjuar mendimi i mjekëve. Madje sot dëgjojmë edhe për njerëz që i blejnë në internet. Bashkë me viagrën dhe ilaçet e tjera simuluese, antibiotikët blihen lehtësisht dhe pa asnjë lloj problemi në faqet e ndryshme në rrjet që i ofrojnë ato me çmim fare të lirë. Për mjekët, blerja online pa asnjë recetë, përtej rreziqeve të lidhura me sigurinë e ilaçeve, është e rrezikshme, sepse rrit më tej rezistencën. Në Angli, ku farmacitë mund të sheshin në rrjet disa lloj produktesh të veçanta, kohët e fundit ka shkaktuar shumë bujë fakti se në të ardhmen duhet të krijohet mundësia për t’i dërguar direkt në shtëpi antibiotikët. “Duke qenë se bëhet fjalë për një problem global, është e nevojshme që në të gjitha vendet duhet të ketë receta për ilaçe të tilla, siç janë antibiotikët. Kjo sepse nëse njëri ose dy prej tyre i japin me recetë, shtohet mundësia që ata të rrisin rezistencën. Kjo është shumëfish më e dëmshme”, thonë ekspertët. Prej vitesh, në të gjitha vendet e botës organizohen fushata të vazhdueshme sensibilizimi për të reduktuar në maksimum konsumin jo të nevojshëm të antibiotikëve. “Përdorimi pa kriter i këtyre medikamenteve përbën një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve, sepse në të ardhmen e afërt ka shumë mundësi që ta kemi gjithmonë e më të vështirë për të kuruar infeksionet e ndryshme. Kjo do të thotë që edhe sëmundjet që sot konsiderohen fare të vogla dhe të lehta, mund të shndërrohen në kërcënuese”, përfundojnë ata.