Rosalinda çeli festimet në maternitetin e Tiranës, pas saj një nënë lindi trinjakë


Lorina Mixha


Rosalinda është bebja e parë që lindi në ditën e 100-vjetorit të pavarësisë. Pesha e saj është 2.5 kilogramë dhe gëzon shëndet të plotë. Përveç prindërve dhe të afërmve bebja e parë e pavarësisë ka gëzuar të gjithë shqiptarët, të cilët ishin kuriozë për të ditur gjininë e bebes që do të lindte në orët e para të mëngjesit më 28.11.2012.


Nëna e saj ka thënë dje se vajza ka dashur vetë të ketë ditëlindjen në festën e pavarësisë, pasi lindja e saj është prematurë, e parakohshme.


Rosalinda lindi dje në Tiranë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Ndërkohë që dje deri në mbrëmje kanë lindur edhe fëmijë të tjerë, mes të cilëve edhe trinjakë.


Edhe në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë janë regjistruar 10 lindje në ditën e Pavarësisë. Gjithsesi, numërohen në të dy spitalet 11 bebe me ditëlindje 28.12.2012.


Operacionet me planifikim nuk kanë qenë të shumta, pasi përveç mjekëve të urgjencës, për obstetrit dhe stafin mjekësor, 28 Nëntori ka qenë pushim, festë kombëtare.


Vizita


Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i shoqëruar nga drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Halim Kosova, ka vizituar bebet e para të lindura në 100-vjetorin e Pavarësisë.


Kreu i maternitetit, ka sqaruar se Rozalinda është fëmija i parë i lindur në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ajo erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në orën dy të mëngjesit të 28 Nëntorit. Fëmija peshon 2 kg e gjysmë dhe gëzon shëndet të plotë.


“Shumë e lumtur ndihem, dhe këtë ditë do ta kujtoj gjithmonë, sepse është festa e gjithë shqiptarëve sot, dhe vajzës time që lindi sot. Vajza quhet Rozalinda, donte që të lindte në ditën e festës së Shqipërisë”, tha Mbarime Ymeri, nëna e fëmijës.


Rozalinda dhe tetë bebe të tjera, kanë lindur deri në mesditën e 28 Nëntorit, në të dyja maternitetet e Tiranës. Nënat gëzojnë shëndet të plotë. Po kështu dhe 11 foshnjat e tyre janë të shëndetshëm. Një prej nënave këtë ditë lindi trinjakë të gjinisë mashkullore.


Dhurata


Ministri i Shëndetësisë, me rastin e festës së pavarësisë, përveç vizitës në maternitete u ka bërë dhuratë nënave të reja nga një tufë lule, duke uruar lindjen dhe 100-vjetorin e Pavarësisë për të gjithë shqiptarët.


Sakaq, dje pacientët në spitale dhe në mënyrë të veçantë shërbimet ku trajtohen dhe mjekohen fëmijët kanë pasur një meny festive me ëmbëlsira, gosti të veçanta dhe më të shijshme se në ditët e zakonshme.


Bashkë me bebet e pavarësisë edhe fëmijët në kryeqytet janë bërë pjesë e festimeve nga mëngjesi deri në mbrëmje.


 


Të dhëna


Rosalinda – Ishte bebja e parë që ka ardhur në jetë në mëngjesin e 28 Nëntorit. Rosalinda ishte bebja e parë që lindi në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë


Trinjakët – Në mesditën e djeshme në Tiranë një nënë ka lindur trinjakë. Të tre fëmijët gëzojnë shëndet të plotë dhe do të festojnë ditëlindjen në festën e Pavarësisë


Dhurata – Kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, u ka dhuruar nga një tufë lule dje nënave të cilat lindën në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke i uruar për lindjen dhe për 100-vjetorin e Pavarësisë