Në një konferencë për shtyp, objekti i të cilës ishte përmbledhja e atyre çka kishin ndodhur në evenimente me rastin e celebrimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Berisha përshëndeti të gjithë ata që u bënë pjesëmarrës dhe i dhanë kësaj feste gjigante, “më e madhja e shekullit, sipas tij, përmasat e saj të jashtëzakonshme. Një përshëndetje të veçantë kryeministri drejtoi për të gjitha personalitetet botërore që morën pjesë dje në festimin e 100 vjetrit e pavarësisë.


“Ishin 57 përfaqësues nga 57 vende mike tha kryeministri dhe 12 përfaqësues të organizatave më të fuqishme botërore që dërguan përfaqësuesit e tyre për të festuar më 28 Nëntor, 100 vjetorin e Pavarësisë me shqiptarët. Falënderoj edhe vendet që u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre”, – tha Berisha.


Më tej kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë ata studiues, publicistë, historianë dhe gazetarë, që me botimet e tyre plotësuan një nga synimet e këtij jubileu, që ishte rishkrimi i historisë së Shqipërisë, të cilën tashmë çdo shqiptar mund ta lexojë ashtu siç duhet të jetë.


Kryeministri ka falënderuar në mënyrë të veçantë gjithë shqiptarët, nga të gjitha trojet, të cilët me masivizimin dhe qytetarinë e tyre sollën një entuziazëm të madh gjatë kësaj feste.


“Qytetarët shqiptarë e nxorën jashtë çdo imagjinate, për përmasat, entuziazmin, rregullim në të gjitha aspektet. Mirënjohje meritojnë këtu të rinjtë e të rejat që nuk e lëshuan flamurin nga dora, bënë gjithçka me harenë e tyre, e bënë këtë festë më të gëzueshmen e vendit”, – tha ai.

29 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)