Dënohet me gjobë Florian Ç., kushëriri i parë i Elton Deliut, që u vra në vitin 2008 së bashku me nënën e tij
Merr peng dhe kërcënon me jetë “borxhliun” e djalit të hallës së tij, Elton Deliu, i cili është vrarë disa vite më parë në banesë së bashku me nënën e tij, ndërsa Gjykata e Tiranës e dënon me gjobë 300 mijë lekë. Florian Ç., akuzohet se ka marrë peng Syrja Xhelin, pasi pretendon se ky i fundit i kishte borxh kushëririt të tij, të vrarë në 2008-n, një shumë prej 20 mijë eurosh. Burime nga gjykata bëjnë me dije se kallëzuesi Syrja Xheli prej disa muajsh ka pasur konflikt me Florianin. Ky i fundit i kërkonte një shumë të konsiderueshme parash dhe Syrja Xheli nuk pranonte t’ia jepte, duke pretenduar se ky lloj borxhi nuk ekzistonte. Si pasojë e kësaj, në ditët e para të muajit prill të këtij viti, Floriani ka ndaluar me një mjet tip “Benz Mercedes”, përpara dyqanit të Syrja Xhelit dhe i ka kërkuar atij që të shkonte me të në makinë, për të sqaruar një mosmarrëveshje që kishte lindur mes tyre. Ai i ka kërkuar të hipte në makinë dhe të shkonin që të sqaronin problemin me Enver Ç., i cili ishte xhaxhai i të pandehurit. Xheli ka hipur në automjet dhe gjatë rrugës Floriani nuk ka shkuar në drejtim të lokalit të xhaxhait të tij, siç i kishte premtuar, por ka marrë një rrugë tjetër, pikërisht në drejtim të fshatit Mëzez të Komunës Kashar, për te lokali që kishte në pronësi. Sapo ka arritur aty, është drejtuar për te garazhi, duke e futur makinën brenda. Një shok i të pandehurit, E.D., ka nxituar për të mbyllur qepenin e garazhit, ku kishte futur makinën i pandehuri dhe brenda së cilës ndodhej edhe Syrja Xheli. Sipas këtij të fundit, nën kërcënimin e një arme zjarri pistolete, i është kërkuar që të kthejë shumën e parave prej 20 mijë eurosh, duke i lënë dhe një datë për kthimin e tyre. Në kushtet e presionit, ai ka pranuar se i ka pasur borxh Elton Deliut një shumë prej 150 000 lekësh dhe asnjë qindarkë më tepër. Pas kësaj, kallëzuesi pretendon se është qëlluar me shkop bejsbolli në shpatulla dhe në krahun e djathtë. Gjithashtu ai ka thënë përpara organit të akuzës, se është lidhur në makinën e Florianit, brenda në garazh, duke e lënë atje për më shumë se një orë. Pas kësaj, e ka urdhëruar që t’i paguante shumën prej 20 mijë eurosh, deri në 14 prill të 2012-s, në të kundërt do ta vriste. Më pas është lënë i lirë që të kthehet në banesë. Pavarësisht kërcënimeve, Xheli nuk ka bërë kallëzim, sepse ka menduar ta sqarojë këtë problem me babanë e të pandehurit, shtetasin K.Ç. Pasi ka biseduar me të, edhe ky i ka kërkuar që t’i kthehej shuma prej 20 000 eurosh. Më pas shumë i shqetësuar dhe i frikësuar, pasi ka biseduar me bashkëshorten dhe kunatin e tij, ka marrë shumën prej 150 000 lekësh dhe ka shkuar t’ia japë K.Ç., por ky i fundit nuk e ka pranuar, pasi donte që t’i kthehej shuma prej 20 mijë eurosh. Me datën 15 prill 2012, përpara dyqanit të Syrja Xhelit, ka ndaluar përsëri automjeti i Florianit, por nga makina, e cila drejtohej prej tij, ka zbritur shtetasi Erlind Ç., kushëriri i kërcënuesit dhe i ka kërkuar shpjegime për tejkalimin e afateve dhe mospagimin e huas, duke e kërcënuar. Sërish ata i kanë kërkuar që të hipë në makinë, por në këtë moment, kunati i tij, Shpëtim Dervishi, ka njoftuar policinë. Menjëherë policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, e më pas ia ka kaluar materialet Prokurorisë së Tiranës. Florian Ç., e ka mohuar akuzën për rrëmbim dhe kërcënim, të ngritur nga Syrja Xheli. Po ashtu, në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen, E.D. është shprehur se nuk është e vërtetë që të ketë mbyllur derën e garazhit të lokalit. Ai thotë se në ditët e para të muajit prill, makina e Florianit është futur në garazhin e lokalit dhe se në makinë ka qenë edhe Syrja Xheli. Pas kësaj ai është ngjitur lart, në katin e dytë të lokalit dhe nuk i ka parë më personat e përmendur. Ndërkaq bashkëshortja e Syrjait, Vjollca Xheli, thotë se prej disa muajsh kanë qenë të shqetësuar nga problemi që i ka lindur bashkëshortit të saj me familjen e Florianit. Sipas saj, në fillim të muajit prill, makina e 27-vjeçarit ka ndaluar para dyqanit të tyre dhe bashkëshorti ka hipur në mjet. Kur është kthyer, ajo ka konstatuar se Syrja Xheli ishte i skuqur, i shqetësuar dhe më pas ka parë shenja të zeza në krahë dhe kurriz. Ajo kishte mësuar nga bashkëshorti, se i riu e kishte rrahur, e kishte lidhur dhe e kishte kanosur duke i thënë se, nëse nuk sillte shumën prej 20 000 eurosh do ta vriste. Prokuroria e Tiranës, pasi ka mbledhur të gjitha provat e mundshme, ka dërguar në gjykatë kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të Florian Ç., i akuzuar për veprën penale “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “vetëgjyqësi”, duke kërkuar dënimin me gjobë, në masën 300 mijë lekë. Në bazë të provave dhe dëshmive të personave të lartpërmendur, Gjykata e Tiranës vendosi që Florian Caushi të dënohet me 300 000 lekë gjobë, shumë e cila duhet të paguhet brenda një afati, 1 viti, nga dita që ky vendim do të marrë formë të prerë. S.Muça