Kryesoret Haradinaj kthehet në Prishtinë, pritet me protokoll shtetëror

Haradinaj kthehet në Prishtinë, pritet me protokoll shtetëror

56
SHPËRNDAJE

Ramush Haradinaj ka mbërritur rreth orës 17:30 në aeroportin “Adem Jashari” të  Prishtinës, ku është pritur me protokoll shtetëror nga kryeministri Hashim Thaçi, por edhe nga mijëra njerëz të cilët kishin dalë ta prisnin në aeroport.

Haradinaj ka shprehur falënderimin për pritjen e ngrohtë që i ishte rezervuar, por edhe kënaqësinë që drejtësia ndërkombëtare e vendosi në vend nderin e luftëtarëve kosovarë të lirisë. Ai u shpreh i entuziazmuar për të ardhmen, ndërsa premtoi se do të ishte aktiv dhe do të punonte në shërbim të bashkatdhetarëve të tij.

“Ju falenderoj për pritjen dhe për kujdesin që më bëhet mua dhe bashkëluftëtareve. Jam shumë i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare u shpreh se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë. Të kemi besim që së bashku do të kalojmë sfidat që na presin”, – tha Haradinaj.

Ndërkohë, edhe kryeministri Thaçi, në një fjalë të mbajtur me këtë rast shprehu kënaqësinë që drejtësia ndërkombëtare kishte thënë fjalën e vet dhe theksoi se ky vendim konfirmoi besimin e të gjithëve në drejtësi dhe shpërbleu durimin e Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK.

Bashkë me Haradinajn fluturuan nga Haga, përmes një avioni të vënë posaçërisht për ta, edhe dy bashkëvuajtësit e tij në këtë proces, që u shpallën gjithashtu të pafajshëm, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

29 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)