Ndërsa mediat helene kanë vijuar edhe sot “sulmin” ndaj kryeministrit Sali Berisha, i cili është etiketuar si promovues i idesë së Shqipërisë së Madhe, kreu i qeverisë shqiptare e ka komentuar shumë thjesht deklaratën që shpërtheu “incidentin diplomatin”.
I pyetur për mungesën e ministrit të jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në ceremoninë e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe nëse në deklaratën e djeshme i referohej një bashkimi me Kosovën, Berisha është përgjigjur: “Francezët kanë një përgjigje: Miqtë shkëlqejnë gjithnjë, me mungesën e tyre. Së dyti motoja e shpallur është: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë mendoj që kjo moto është e drejtë e për të cilën çdo shqiptar duhet të punojë. Ne duhet të punojmë kudo ku jemi në projektin europian, por duhet të punojmë kudo ku jemi për të kapërcyer qindra e qindra ndarje e pengesa që janë vendosur gjatë një shekulli midis shqiptarëve. Njohja e mëtejshme dhe konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, i rolit të saj rajonal e ndërkombëtar mbetet interesi kombëtar i shqiptarëve”.
Pas reagimit të diplomacisë helene, zëdhënësja e kryeministrisë, Erla Mëhilli saktësoi se deklarata e kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes.
Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pyetur për anulimin e vizitës së ministrit grek, ka deklaruar se nuk ka
pasur kurrë pretendime territoriale.
“Momente të tilla të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë apo të përvjetorëve të ndryshëm që lidhen me pavarësinë janë pjesë të rëndësishme të vlerësimit e të kujtesës së historisë sonë. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që në tërë historinë e saj, edhe në çaste shumë të vështira, Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk kanë pasur qëllime për të rrëmbyer territore ndaj fqinjëve. Kurrë nuk kanë pasur tentativë për të goditur fqinjët. Përkundrazi sot më shumë se kurrë, Shqipëria dhe shqiptarët, megjithëse kanë qenë të penalizuar nga koha dhe historia sa u takon trojeve të tyre, kanë promovuar parimet më të larta të bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë.
Nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial nga Shqipëria dhe shqiptarët për vendet fqinje, por natyrisht në raste të referimit të historisë dhe në momente të tilla kur kujtohet historia, dhe më shumë se kurrë në ditët e Pavarësisë dhe të 100-vjetorit mund t’u referohemi ngjarjeve historike dhe unë besoj që nuk përbën asnjë cënim të interesave territoriale apo kombëtare të kërrkujt tjetër. Ne gjithmonë do të kujtojmë e do të vlerësojmë historinë tonë me vuajtjet, sakrificat, shqetësimet, problemet dhe vështirësitë që kemi pasur, por gjithmonë Shqipëria dhe shqiptarët, të gjitha institucionet e tyre kanë deklaruar se shikimi ynë është nga e ardhmja dhe Shqipëria është më e interesuar se kushdo tjetër që këtë të ardhme ta ndërtojë së bashku me fqinjët e saj”, ka thënë presidenti Nishani, pas homazheve që zhvilloi tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, me rastin e ditës së Çlirimit.
29 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)