Martens – Fjalimin e parë e mbajti presidenti i PPE-së, Martens, i cili kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri
Jahjaga – Presidentja e Kosovës foli e dyta në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave, nga kreu i shtetit shqiptar
Nishani – Kreu i shtetit, Nishani, mbajti një fjalim jashtë formalitetit zyrtar, ndryshe nga sa është parashikuar në protokoll
Rama – Në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti i Republikës ka marrë pjesë edhe lideri i opozitës, Edi Rama, dhe deputetë të PS-së
Presidenti, në fjalën zyrtare: Kemi të meta, por synojmë Europën
Kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, në fjalën zyrtare të mbajtur në pritjen solemne për 100-vjetorin e Pavarësisë, ka deklaruar se rruga e vetme për shqiptarët është Europa.
Pritja e Presidentit të Republikës për 100-vjetorin e Pavarësisë hapet me fjalimin e kryetarit të Partive Popullore Europiane, Wilfried Martens. Kjo ka qenë përshëndetja surprizë nga Pallati i Brigadave, ku një përfaqësues i partive të djathta, jo në rang Kryeministri nga shtetet e BE-së, flet në përvjetorin e 100 të shtetit shqiptar. Prania e Martens mund të shihet si një lëvizje politike e mazhorancës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. “Familja politike europiane, me anë të të cilit përfaqësoj sot PPE-në, është krenare që ka anëtare të saj edhe PD-në e Kryeministrit Sali Berisha”, tha në fjalën e tij Martens. Kreu i PPE-së ndërkohë i ka “kujtuar” Kryeministrit Berisha, i pranishëm në këtë pritje, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Më lejoni të citoj fjalën e mbajtur nga ana e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton: Ky jubile nuk është thjesht për të kaluarën, është një sfidë që ju do të bëni për të ardhmen dhe ju i keni potencialet. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian”.
Pritja e Presidentit nisi me tepër vonesë nga sa ishte parashikuar, kjo e kushtëzuar nga aktivitetet e tjera. Ajo nisi një orë e gjysmë me vonesë, në orën 21:50. Pas diskutimit të Martens, fjalën e mori Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga. “Jemi mbledhur këtu së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë që na lidh historia jonë shekullore. Po festojmë këtë ditë të shënuar për vendin tonë, që i dha fund okupimit për të qenë të lirë dhe sovranë në trojet tona. Në këtë 100-vjetor e kthejmë kokën mbrapa për të nderuar veprën e atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit, në mënyrë që të hedhim hapa të sigurt drejt të ardhmes. Shekulli i kaluar nisi me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u mbyll me lirinë e Kosovës.
Populli shqiptar sot është i lirë. Koha e hegjemonisë dhe e urrejtjes përgjithmonë ka përfunduar. Falënderoj Shqipërinë për rolin e saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha ajo. Më pas fjalën e mori “i zoti i shtëpisë”, Presidenti Nishani, i cili mbajti një fjalim ndryshe nga ato zyrtare. Edhe pse u shpreh se do të mburrej me fjalimin e tij, kreu i shtetit nuk ngurroi të fajësojë shqiptarët. “Unë do ta nis fjalimin tim me mburrje. Të mburresh një herë në 100 vjet ia vlen. Shteti ynë është 100 vjeç, jo i vjetër, por ne dhe historia jonë jemi shumë më të hershëm se këta 100 vjet, jemi shekullorë. Kemi rrënjë pellazge, me histori me perandorë dhe mbretër. Kemi gjuhën e mrekullueshme shqipe, më shprehëset, më të zhdërvjellëtat, siç është provuar. Është në vendet e para të klasifikimit të mbi 6 mijë gjuhëve që planeti ynë flet e shkruan”, tha Nishani. Më tej, kreu i shtetit u shpreh në fjalën e tij, se “sigurisht që kemi grindavecët tanë, sherrxhinjtë tanë, dembelët tanë, por e meta kryesore është se jemi pak, dhe trualli ynë është i vogël, kështu thonë të tjerët, por jo ne, për ne është luks, se s’jemi poçe prej balte, por gotë prej qelqi. Ne shqiptarët kemi një avantazh të madh, nuk i bëjmë keq askujt. Por edhe kur bëjmë ndonjë të keqe atë ia bëjmë vetes. Thuhet se e gërryejmë shpesh veten dhe për çdo gjë jemi të fundit. A është kjo e vërtetë? Unë mund të them se është një lloj e mete, por nuk është për fajin tonë. Por ajo që kemi me shumicë është energjia, pa atë nuk do të ishim sot këtu duke festuar këtë ditë të shenjtë. Ne shqiptarët jemi jo pak të çuditshëm. Ne kërkojmë që të kemi çdo gjë personale, secili spitalin e vet, aeroportin, prokurorinë, gjykatën, por dimë edhe të përshtatemi dhe po e bëjmë, jemi vendi me dëshirën më të madhe për t’u bërë pjesë e Europës”. Kreu i shtetit e mbylli fjalimin me një citim të Ismail Qemalit: “Ne këtu do të jemi deri sa mali të bëhet hi dhe hiri mal përsëri”. Në këtë pritje zyrtare ka qenë i pranishëm edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjithashtu ishin të pranishëm personalitete të tjera, si Kryeministri slloven, Presidenti i Malit të Zi etj.