Politika shqiptare ka përshëndetur vendimin e gjykatës së Hagës, e cila shpalli sot të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij. Kryeministri Sali Berisha e ftoi menjëherë në Shqipëri Haradinajn ndërkohë që përgëzime shprehën kryetari i opozitës Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.
“Ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve në këtë ditë. Pafajësia e Ramush Haradinaj, ish- kryeministër i Kosovës e komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar. Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri, të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Dje pata fatin e rastin t’i përcjell urimet më të përzemërta gjeneralit Gotovina, hero kombëtar i popullit mik kroat, vendimin për pafajësinë e të cilit e kam vlerësuar pa masë. Përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.
Ndërsa kreu i opozitës, Edi Rama e konsideroi një moment të jashtëzakonshëm lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj. “Kjo ditë ka një ogur në mënyrën më të bukur të mundshme pas shpalljes së pafajësisë përfundimtare për luftëtarët e UÇK-së. Është një moment i jashtëzakonshëm pasi që prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroikën e luftërave të saj janë fashitur njëherë edhe përgjithmonë”, ka deklaruar Rama.
Ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka vlerësuar lirimin e Haradinaj si sukses i përpjekjeve të popullit shqiptar në afirmimin e tij. “Sot është një ditë e madhe dhe ka filluar mbarë sepse vijnë lajmë shumë të mira nga Tribunali i Hagës ku heroi i gjallë i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka fituar për herë të dytë pafajësinë duke i dhënë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë dhe duke shënuar një arritje, duke shënuar një sukses tjetër përpjekjeve të popullit shqiptar në afirmimin e tij, aq më tepër kur kjo ndodh pas 28 Nëntor dhe më 29 Nëntor”, tha Meta.
29 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)