Planet për festimin e 200-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1976, filluan dhjetë vjet më herët. Më 4 korrik 1966, Kongresi krijoi Komisionin e Dyqindvjetorit të Revolucionit Amerikan, me detyrën për të organizuar festimet që fillimisht u propozuan të kryheshin vetëm në një qytet, në Filadelfia të Pensilvanisë ose në Boston.
Komisioni nuk arriti të dilte në një konkluzion se ku duhej të mbahej festa. Filadelfia ishte qyteti ku u firmos Deklarata e Pavarësisë dhe kryeqyteti i parë i vendit. Bostoni ishte qyteti ku nisi revolucioni. Pas gjashtë vitesh e gjysmë debati të ashpër, Komisioni rekomandoi që të mos organizohet vetëm një festë dhe Kongresi e shpërndau atë më 11 dhjetor 1973. Në vend të tij u krijua Administrata për Dyqindvjetorin e Revolucionit Amerikan, që u ngarkua me nxitjen dhe koordinimin e festimeve të financuara nga bashkitë, shtetet apo qytetarët në të gjithë Amerikën.
Në tetor 1973, Departamenti i Thesarit njoftoi se do të emetojë monedha me dizenjo speciale, si pjesë e festimeve të dyqindvjetorit. Një garë e hapur për të zgjedhur dizajnon e përshtatshme për çerek dollari, gjysmë dollari dhe dollar argjendi, tërhoqi më shumë se 1 mijë propozime.
Festimet zyrtare të dyqindvjetorit filluan më 1 prill 1975 kur Treni i Lirisë u nis nga Delauere për një udhëtim 21-mujor në 48 shtetet e vazhdueshme të SHBA-së, duke përshkruar 25 mijë milje rrugë.
Më 18 prill 1975, Presidenti Gerald Ford shkoi në Boston për të ndezur një fanar të tretë në Kishën Veriore të Vjetër, për të simbolizuar nisjen e shekullit të tretë të jetës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ditën tjetër ai dha fjalimin e madh të përkujtimit të 200-vjetorit të Betejës së Leksingtonit dhe Konkordit, të cilat ishin nisja ushtarake e Revolucionit Amerikan kundër sundimit kolonial britanik.
Komisioni i festimeve zgjodhi një logo përmes një gare më 1974. Logoja fituese ishte nga Bruce N. Blackburn. Logoja konsistonte në dy yje të ndërthurura blu dhe kuq, rrethuar nga shkrimi Dyqindvjetori i Revolucionit Amerikan 1776-1976.
Logoja u bë flamur dhe u ngrit në shumë ndërtesa qeveritare nëpër të gjithë SHBA-në. Ajo u shfaq edhe në shumë suvenire e pulla poste.
Festimet përfshinë një seri shfaqjesh me fishekzjarrë në qiejt e të gjithë qyteteve të mëdha amerikane. Festimet në Uashington u drejtuan nga Presidenti Ford dhe u transmetuan në televizion në të gjithë kombin. Një flotë e madhe ndërkombëtare me anije me vela u mblodh fillimisht në Nju Jork më 4 Korrik dhe pastaj në Boston, një javë më vonë. Parada detare, u dëshmua nga miliona njerëz dhe u kthyen në një paradë që u përsërit në vitet më vonë.
Anijet hynë nëpër porte dhe lejuan publikun e gjerë të vizitonin anijet në të dyja qytetet, ndërsa marinarët dhanë shfaqje dëfryese në tokë përmes festimeve etnike.
Shumë njerëz hodhën ndërkohë parulla ku shkruhej “Nafta e Gjirit” dhe “Exxon” në gjirin e Bostonit në një opozitë simbolike ndaj fuqive të korporatave.
Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar si dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip, bënë një vizitë speciale zyrtare në SHBA dhe një turne nëpër Amerikë për të marrë pjesë në festimet e dyqindvjetorit. Ata ndaluan në rrugë në qytetet kryesore të revolucionit, ku u luftua kundër stërgjyshërve të tyre për lirinë e Amerikës.
Populli ndoqi festimet shpesh duke lyer kutitë e postës dhe hidrantët kundër zjarrit me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu. Një valë patriotizmi dhe nostalgjie pushtoi të gjithë kombin dhe u krijua përshtypja se epoka irrituese e Luftës së Vietnamit dhe skandalit kushtetues të Uotergeitit më 1974 më në fund ishte mbyllur.
Në Uashington DC, Instituti Smithsonian hapi një ekspozitë në ndërtesën për Artin dhe Industrinë, ku u paraqitën festimet për 100-vjetorin e pavarësisë.
NASA e përkujtoi Dyqindvjetorin e Pavarësisë duke hapur një ekspozitë për shkencën dhe teknologjinë. Ndërtesa e saj gjigante e montimit të anijeve hapësinore u lye nga njëra anë me logon e dyqindvjetorit. Kjo shenjë mbeti aty deri më 1998-n.
NASA planifikoi fillimisht të ulë anijen Viking 1 në planetin mars më 4 Korrik, por ulja u shty për dy javë më vonë, në përkujtim të përvjetorit të “Apollo 11”.
Shumë produkte komerciale u hodhën në treg me paketime festimesh për dyqindvjetorin, por logoja zyrtare u patentua dhe u lejua të përdoret vetëm përmes licencave të paguara.
Shumë hekurudha i lyen lokomotivat e tyre me ngjyrat patriotike dhe shumë njësi ushtarake pikturuan avionët e tyre në përkujtim të dyqindvjetorit.
Disneyland përkohësisht zëvendësoi një nga linjat e veta të dëfrimit me Paradën e Amerikës. Shteti i Nju Xhersit organizoi një lotari për dyqindvjetorin. Fituesit iu dha 1,776 dollarë në javë për njëzet vjet, e barabartë në total me 1,8 milionë dollarë.