Botë Sot votohet për Palestinën në OKB, vota e Shqipërisë, e panjohur

Sot votohet për Palestinën në OKB, vota e Shqipërisë, e panjohur

190
SHPËRNDAJE

Autoriteti Palestines do të paraqesë sot kërkesën për të marrë një vend jo-anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe media ndërkombëtare parashikon që kërkesa të votohet me lehtësi në asamble. Statusi si vend joanëtar do t’i japë Palestinës të drejtën të aplikojë për anëtarësim në Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe rrjedhimisht, të drejtën për të denoncuar veprime të ndryshme të izraelitëve si krime lufte apo krime kundër njerëzimit. Votimi në OKB është kundërshtuar publikisht nga SHBA-të dhe nga disa vende të tjera dhe është mbështetur nga shumica e vendeve Europiane. Shqipëria pritet të votojë gjithashtu në këtë seancë që do të fillojë rreth orës 21 të ditës së sotme, (29 nëntor). Nuk është e qartë nëse Shqipëria do të votojë pro apo kundër pranimit të Palestinës si vend joanëtar, por gjatë muajve të fundit, kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një qëndrim të pastër pro-izraelit dhe kundër Palestinës.

Ambasada e Palestinës në Tiranë publikoi një njoftim për shtyp ku deklaroi se shpresonte që Tirana të votonte pro.

“Asambleja e Përgjithëshme do të zhvillojë sot në orën 21:00 seancën e radhës (me orën lokale të Shqipërisë), ku Presidenti i Shtetit të Palestinës do të mbajë një fjalim, dhe më pas do të votohet për anëtarësimin e Shtetit të Palestinës,” thuhet në njoftimin e ambasadës së Palestinës.

“Shpresojmë nga Qeveria Shqiptare, që të votojë “pro” kërkesës së Palestinës. Gjithashtu falënderojmë Bashkimin Europian, si dhe të gjitha shtetet të cilat deklaruan haptazi përkrahjen e tyre ndaj anëtarësimit të Palestinës. Sipas përllogaritjeve tona, votimi do të jetë me shumicë dërrmuese në favor të Palestinës,” vijon më tej deklarata.