Sporti mban frymën për 100-vjetorin

Sportistët i bashkohen festës. Urojnë De Biazi, Cana, Salihi, Shaqiri, Xhaka etj.

Altin Manallari

Sporti kombëtar mbajti frymën më 28 nëntor 2012, në nder të ditës jubilare të kombit, 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.  Ditët e këtij muaji të mbushura me zhvillime të shumta sportive, ku tema kryesore e çdo disipline, që nga futbolli e deri te shahu, pingpongu apo edhe evenimentet sportive për paraplegjikët, ishte “Kupa Pavarësia” kulmuan më 27 nëntor me trofeun mbarëkombëtar të dhënë nga futbolli në Vlorë. Ndërsa më 28 federatat sportive nuk kishin parashikuar asnjë aktivitet, duke i lënë vend kështu festës, të cilës iu bashkuan të gjithë sportistët. Ndjenjat kombëtare në sport janë akoma edhe më të forta, kur bëhet fjalë për kombëtaren e futbollit, e cila në bashkimin e shqiptarëve duket se është shumë përpara fushave të tjera, politikës, ekonomisë etj. Dhe në këtë ditë të shënuar nuk mund të mungonin urimet e futbollistëve kuqezinj dhe të trajnerit Xhani De Biazi, të cilët shfrytëzuan rrjetet sociale për të uruar për 100-vjetorin e Pavarësisë. Tekniku italian, i cili është bërë pjesës e festës së shqiptarëve, e ka postuar urimin e tij të thjeshtë dhe të sinqertë në “Facebook”. “Urime Shqipëri! 100 vjet Pavarësi!”, përgëzon De Biazi. Ndërsa Lorik Cana, i cili konsiderohet si njeriu simbol i kuqezinjve, promotori i idesë “Një komb, një Kombëtare”, që nuk lë rast pa e promovuar atë nuk kishte se si të mungonte. Ai nuk i ka fshehur aspak emocionet në pragfestën e vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. “Po afron Ditëlindja e 100 e Shqipërisë tonë, shkruante kapiteni kuqezi që më 20 nëntor në faqen e tij në ‘Facebook’. Po afron dita që më bën të ndihem akoma edhe me shumë Krenar që jam Shqiptar. Po afron festa e madhe për gjithë shqiptarët anembanë botës. Gëzuar Ditëlindjen Shqipëri!”. Ndërkohë që dje Loriku ka bërë një origjinal. “Urime për 100-vjetorin Shqipni! Urime të gjithë shqiptarëve për këtë festë të madhe! Ka 100 vjet që ka ardhur liria, ku ka ma mirë sesa shqiptari!”, do të shkruante ai rreth orës 11-të, menjëherë pas ngritjes simbolike të flamurit në Vlorë. “U uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë! SHQIPËRI TË DUA!”, do të shkruante vetëm pak më vonë sulmuesi Hamdi Salihi, i cili urimin e tij e ka shoqëruar me foton e deklaratës së Pavarësisë. Mbrojtësi Mërgim Mavraj i bashkohet nismës së bashkimit të shqiptarëve: “Shpresojmë që ta fillojmë këtë shekull të ri me punë më të madhe për bashkim!!! URIME VLLAZËN EDHE MOTRA!”. “Urime 100-vjetori i Pavarësisë të gjithë shqiptarëve kudo që janë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali zi…”, shkruante mesfushori kosovar, Debatik Curri. Edhe pse në prag të ndeshjes me Zvicrën dhe pas saj u bënë pjesë të një polemike të madhe, ku i quajtën “tradhtarë”, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, në ditën e shenjtë të kombit, ka demonstruar mbështetjen e tyre. “Urime 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë krejt shqiptarëve kudo që gjenden”, shkruante Shaqiri. Ndërsa fjalët e zgjedhura të Xhakës ishin: “Urime 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, këtë ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët! Me respekt Granit Xhaka!”.

Xhani De Biazi - Tekniku italian, pjesës e festës së shqiptarëve, e ka postuar urimin e tij të thjeshtë dhe të sinqertë në “Facebook”. “Urime Shqipëri! 100 vjet Pavarësi!”

Lorik Cana - Kapiteni: “Urime për 100-vjetorin Shqipni. Urime të gjithë shqiptarëve për këtë festë të madhe! Ka 100 vjet që ka ardhur liria, ku ka ma mirë sesa shqiptari!”

Granit Xhaka - Fjalët e zgjedhura të Xhakës ishin: “Urime 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, këtë ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët! Me respekt Granit Xhaka!”

 

 

Legjionarët

Mesfushori shkodran arrin kuotën e 5 golave me Liteksin në kampionatin bullgar

Armando Vajushi, goli shqiptar i 100-vjetorit

Data 28 nëntor 2012 është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë festuar në mënyrë të shfrenuar përvjetorin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Por mes futbollistëve shqiptarë, i vetmi që e ka festuar në mënyrën më të mirë këtë ditë, ishte Armando Vajushi, mesfushori i talentuar i bullgarëve të Liteks Loveç. Skuadra e tij ka fituar me rezultatin 2-0 në transfertën ndaj Lokomotivës së Sofjes, në ndeshjen e radhës së kampionatit bullgar, ndërsa golin e parë për formacionin e Hristo Stojçkovit e ka shënuar pikërisht shkodrani. Bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë, e cila ka parë në fushë dy skuadra shumë luftarake dhe me grinte. Por kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, në minutën e 77-të ishte ish-sulmuesi i Vllaznisë ai që prishi ekuilibrat e shifrave, duke shënuar një gol, i cili i hapi rrugën e suksesit skuadrës së tij. Fitorja e Liteksit do të vulosej vetëm 11 minuta më vonë nga Kostandinov. Vajushi tashmë është ngjitur në kuotën e 5 golave në kampionat, ndërkohë që Liteksi e sheh veten në kuotën e 26 pikëve, e cila i mundëson vendin e katërt në renditje. Golat e shkodranit janë shënuar respektivisht në ndeshjet: Liteks-Pirin 5-0, Liteks-Sllavia e Sofjes 5-0, Etar-Liteks 0-4 dhe tash së fundi në Lokomotia e Sofjes-Liteks 0-2. Shkodrani 20-vjeçar po spikat me formën e mirë që po tregon në këtë sezon, gjë e cila nuk i ka shpëtuar as trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Ky i fundit vendosi ta grumbullonte për herë të parë në përfaqësuesen e të rriturve për miqësoren e 14 nëntorit kundër Kamerunit.

Autor te 29 Nëntor 2012. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry