Tiranë


Një ushtarak, i cili do t’i bashkohej paradës në sheshin “Skënderbej”, ka plagosur një polic të qarkullimit rrugor. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Pjetër Bogdani”, Tiranë, ku një person i veshur me uniformë ushtarake ka tentuar që të kalojë me makinë, në një zonë që nuk ishte e lejueshme. Efektivi i qarkullimit ka tentuar që të ndalë ushtarakun, por ky i fundit ka kundërshtuar, duke i thënë se duhej t’i bashkohej paradës, sepse ishte tepër vonë. Mes palëve ka lindur një debat i ashpër dhe ushtaraku dyshohet se e ka përplasur qëllimisht punonjësin e policisë rrugore. Fatmirësisht polici ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por pavarësisht kësaj, është dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, për të nisur zbardhjen e ngjarjes. Ndër të tjera, policia ka shoqëruar në rajon autorin e dyshuar për ngjarjen. Mësohet se ai u është nënshtruar pyetjeve intensive rreth asaj që ka ndodhur. Ende nuk dihet nëse ngjarja ka qenë aksidentale, apo e qëllimshme.