Avokati


Emerson: Karla del Ponte të kërkojë falje


Carla Del PonteIsh-kryeministri Ramush Haradinaj iu drejtua qytetarëve të shumtë, të cilët ishin mbledhur në sheshin “Nënë Terezë” në Prishtinë, duke i falënderuar të gjithë për mbështetjen.


Haradinaj deklaroi se ai do të punojë për ngritjen e qeverisjes, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. “E di që nuk jemi parë moti dhe kemi shumëçka të flasim, por unë si gjithmonë do të kursej fjalët, por jo edhe punën”, tha Haradinaj. Fjalimi i Haradinajt u përcoll gjatë me duartrokitje, brohoritje dhe fishekzjarrë.


Në sheshin “Nëna Terezë” foli edhe avokati mbrojtës i Haradinajt, Ben Emerson, i cili tha se i ka kërkuar ish-kryeprokurores së Gjykatës në Hagë, Karla Del Ponte, që t’i kërkojë falje Ramush Haradinajt dhe Kosovës. “Del Ponte më është përgjigjur vetëm me të qeshur”, tha Emerson dhe shtoi se kjo tregon se me sa përgjegjësi e merr ajo një çështje në Tribunalin e Hagës.


Ai njoftoi se do të fillojë një hetim për punën e saj, në mënyrë që ajo të mos mund ta vazhdojë punën në Gjykatën për Krimet në Siri dhe se do të kërkojë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut që ajo të suspendohet. Ramush Haradinaj arriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga Kryeministri Thaçi, Garda e FSK-së dhe qytetarë të shumtë.


Në një konferencë të shkurtër të mbajtur menjëherë pas zbritjes nga aeroplani special, Kryeministri Hashim Thaçi e përshëndeti verdiktin e lirimit të Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës dhe e quajti atë ish-kryeministër. Ish-kryeministri dhe kreu i AAK-së e falënderoi Thaçin dhe Gardën e FSK-së për këtë mikpritje dhe premtoi se do të punojë shumë në proceset që e presin vendin në periudhën e ardhshme.



 


Historia e “Rambos” së Dukagjinit, nga emigracioni, lufta në UÇK dhe politika aktive


Ylli Pata


Nga Ferri në Parajsë – nga burgu, në drejtim të qeverisë. Fati thuajse ka qenë i shkruar në “Rambo”-n shqiptar, 44-vjeçarin nga Gllogjani i Rrafshit të Dukagjinit, i cili ka vrapuar shumë dje sapo mori “vulën e thatë” nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ramush Haradinaj u shpall sërish i pafajshëm për akuzat e krimeve të luftës dhe rinisi udhëtimin e tij, i pritur si një hero, në tapet të kuq në Aeroportin e Prishtinës nga ish-rivali i tij politik, Kryeministri Thaçi, i cili prej kohësh i ka hapur rrugën kreut të AAK-së për një koalicion të përbashkët të të gjithë ish-komandantëve të UÇK-së në qeverinë e Kosovës. Po kush është politikani kontraversal, që hyri në politikë pasi “vari në gozhdë” uniformën ushtarake, të cilën e mbajti gjatë luftës si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, një nga njësitë më të rëndësishme gjatë përplasjes me makinën ushtarake serbe? Ramush Haradanaj lindi më 3 korrik të vitit 1968 në një familje të madhe e të njohur të zonës së Dukagjinit në Kosovën Perëndimore, pranë kufirit me Shqipërinë. Në rininë e hershme, pasi kreu një vit ushtri në armatën jugosllave, Ramushi emigroi në Zvicër, ku falë fizikut dhe karakterit të tij punoi si truprojë në lokalet e natës. Gjatë kësaj kohe ai u trajnua për artin luftarak, armët dhe strategjinë ushtarake. Ka zhvilluar stërvitje të rënda dhe ai ka thënë se ka notuar për 27 orë në det të hapur vetëm për të provuar rezistencën e trupit të tij. Gjatë vitit 1995, Ramushi rikthehet shpesh në Kosovë, duke u ndalur në Shqipëri, ku gjen lidhjet me rezistencën e nisur dhe ka drejtuar operacione për transportimin e armatimit. Rikthehet në vendlindje ku bashkë me vëllezërit e tij dhe familjen e madhe në Gllogjan nis rezistencën ndaj serbëve. Krijon struktura të forta ushtarake me një disiplinë të hekurt dhe kreu operacionet e para të përballjes luftarake me njësitë ushtarako-policore serbe. Suksesi në fushëbetejë ishte i menjëhershëm dhe fama iu rrit në reaksion zinxhir. Ishte kjo kohë kur Haradinaj mori nofkën “Rambo”, pikërisht nga mënyra e luftimit dhe trimëria e treguar ndaj serbëve. Drejtoi Zonën Operative të Dukagjinit dhe u bë një nga krerët më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kreu një dendësi lufte të madhe, pasi në kufirin me Shqipërinë ndodhej pjesë e konsiderueshme e ushtrisë serbe, pasi edhe furnizimet për luftën i merrte dhe i dorëzonte njësia e Ramushit.


Reputacioni i tij ishte i madh, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, ku ai nisi udhëtimin e tij politik pas ndarjes me Hashim Thaçin në vitin 1991. Nuk pranoi të marrë pjesë në PDK, u largua nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dorëzoi uniformën dhe krijoi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, një parti që mblodhi drejt vetes të pakënaqurit e pushtetit që ndanë ish-krerët e UÇK-së kryesisht nga zona e Drenicës dhe shfrytëzoi reputacionin e tij për të marrë vota nga zona e Dukagjinit. Për pak vite AAK-ja kthehet një parti e tretë e Kosovës, në pozita dominuese në qytetet e Pejës dhe Gjakovës. Në vitin 2004 bën një lëvizje të fuqishme politike dhe lidh koalicion me ish-kundërshtarin, Ibrahim Rugova dhe krijon koalicionin me LDK-në. Më 3 dhjetor të këtij viti emërohet Kryeministër. Krijon një qeverisje energjike, por Karla Del Ponte ngre akuza ndaj tij për krime lufte. Në mars të vitit 2005, Haradinaj vetëdorëzohet në Hagë dhe pret gjykimin. Në vitin 2008 rrëzohen akuzat ndaj tij, por prokuroria ndërkombëtare kërkon rigjykimin e pjesshëm të çështjes, duke hedhur pretendimin se janë kërcënuar dëshmitarët. Dje paradite, Gjykata Ndërkombëtare e shpalli përfundimisht të pafajshëm, duke i rikthyer lirinë dhe mundësinë për t’u marrë me politikë. Prej vitit 2008, partia e Haradinaj ka qenë në një periudhë të vështirë qëndrimi në opozitë, por tani që kryetari i AAK-së është i lirë, një nga drejtuesit e saj, Blerim Shala, shpalli së do të hyjë në qeveri, kësaj here me një koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.


 


Familja – Ramush Haradinaj ëshë i martuar me Anita Haradinajn, (në foton sipër) dhe ka tre fëmijë: dy djem: Gjinin dhe Trimin dhe një vajzë: Hanën.


 


Nikoliç e Daçic


Zemërohen serbët: Nuk ishte vendim i drejtë


Kabineti i Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka deklaruar se vendimi i Tribunalit të Hagës, për ta liruar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, “nuk është i bazuar në të drejtën dhe drejtësinë” dhe kjo i vështirëson përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon. “Për krime të tmerrshme ndaj serbëve të Kosovës nuk do të dënohet askush”, thuhet në kumtesë, për të shtuar se “vendimet të tilla nxisin separatizëm, i vështirësojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, i anulojnë përpjekjet e deritashme për normalizimin e raporteve të Beogradit me Prishtinën, dhe e rrisin euroskepticizmin në popullin e Serbisë”.


“Vendimi më i ri i Tribunalit nuk është i bazuar në të drejtën dhe në drejtësinë në të cilën do të duhej të ishte themeli i kësaj gjykate”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, me rastin e lirimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë. Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Millivoje Mihajlloviç, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, “është i turpshëm”. “Kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Mihajlloviç për mediat serbe. Sipas tij, me këtë vendim “do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon”. Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998″.


 


Bruksel


BE: Inkurajojmë dialogun dhe pajtimin


Në reagimet e Komisionit Europian pas vendimit të Tribunalit të Hagës për të liruar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarët e tij, vetëm thuhet se “Komisioni ka marrë në dijeni vendimin e Gjykatës së Tribunalit në rastin ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt. Komisioni nuk komenton vendimet gjyqësore


të Tribunalit”. Më tej në këtë prononcim të Komisionit Europian, raporton nga Brukseli korrespondenti i “Kohës Ditore”, thuhet se “megjithatë ne do të donim të nënvizojmë edhe një herë inkurajimin tonë të fuqishëm për të gjithë partnerët tanë në rajon që të vazhdojnë punën në arritjen e pajtimit dhe forcimin e raporteve të mira fqinjësore”.


 


Jozefina Topalli


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli, përshëndet lirimin e komandantit legjendar të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministrit dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balajn. “Asnjëherë ne nuk kemi dyshuar për pafajësinë e Ramush Haradinaj. Asnjëherë s’kam për të harruar kur Ramush Haradinaj. Ish-kryeministër shkoi në mënyrë vullnetare për të demonstruar pafajësinë e tij. Shpallja e pafajësisë së tij është një lajm i bukur, që vjen menjëherë me Jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë. Tashmë të gjithë ata që u përpoqën të hedhin hije mbi luftën çlirimtare të Kosovës dështuan. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë i bëj urimet më të mira zotit Haradinaj”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.