CEZ nis kufizimet, për shkak të dëmtimit të linjave. OST: Për faj të saj, stakime pa shkak


ARD KOLA


Moti i keq me reshje dhe furtunë shkaktoi kufizime masive të energjisë elektrike për një pjesë të vendit, duke u gdhirë data 29 Nëntor. CEZ Shpërndarje pranon situatën e vështirë me linjat, por shton se ishte i pamundur rregullimi i tyre pa stakuar energjinë elektrike. Ndërprerjet kanë nisur prej dy ditësh, duke mos kursyer as të mërkurën kur festohej 100-vjetori i Pavarësisë dhe shkak është bërë amortizimi i linjave që përcjellin rrymën elektrike. Situata e rëndë prej motit të keq ishte regjistruar më parë, më 15 tetor, ku gati gjysma e vendit mbeti pa energji elektrike, përfshi edhe zonat bregdetare, kurse Vlora kaloi në kolaps total.


Kompania CEZ Shpërndarje njoftoi dje, se për motive të kohës së keqe, disa qytete të vendit, përfshi edhe Tiranë, mbetën pa energji elektrike, stakime të cilat vijojnë ende. “Për shkak të motit me shi dhe furtunë gjatë natës janë dëmtuar një numër i madh fidrash në të gjithë vendin”, thotë shoqëria çeke, ku shteti shqiptar zotëron 24 për qind të aksioneve.


Pa energji dhe me probleme të vazhdueshme janë disa zona të Tiranës, si rruga “Myslym Shyri”, fusha e “Ali Demit” deri te Rruga e Elbasanit (krahu i fushës), Porcelani, zona pranë ish-artistikes “Migjeni” etj. Sa u takon qyteteve, të prekurat ishin Durrësi, Vlora, Saranda, Kukësi, Gjirokastra Fieri etj. CEZ deklaron se grupet operacionale janë duke punuar për riparimin e këtyre defekteve, por shoqëria nuk e sqaron gjendjen e situatës, se ku ndodhet me kufizimet.


Një tjetër reagim, në të njëjtën ditë vjen edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), “pronare” e linjave të tensionit të lartë, nga ku varet siguria kombëtare e furnizimit me energji elektrike. OST-ja bën me faj shoqërinë CEZ për mënyrën se si vepron në menaxhimin e situatave me defektet, për shkak të kohës së keqe.


Në mbrëmjen e datës 28 Nëntor, pati avari te linja 110 kV Tirana1-F.Krujë dhe nga kontrolli që iu bë linjës me defekt nga specialistët e OST-së u konstatua që për riparimin, për efekt sigurie duhej stakuar edhe linja 110 kV Tirana1–Traktorë (ish-uzina).


“Për të shmangur ndërprerjet e energjisë së konsumatorëve që furnizohen nga N/st 110 kV Traktorë (pasi ky n/st siç dihet ka një ngarkese të madhe), specialistët e OST-së qëndruan të gatshëm deri sa ngarkesa u ul dhe u plotësuan kushtet për t’u furnizuar pa kufizime nga linja 110 kV Elbasan1-Ibë-Traktorë. Ky veprim u bë në orën 00:15 të datës 29 Nëntor”, thotë Operatori i Transmetimit, ku më tej gjen rastin të kritikojë punën e CEZ-it, shoqëri me të cilën rakordojnë menaxhimin e linjave dhe remontet.


“E kundërta ka ndodhur për konsumatorët e N/st 110 kV Traktorë, të cilët kanë ngelur pa furnizim me energji nga ora 05:40 deri në 06:30. Kjo vonesë, ashtu siç ka ndodhur edhe në rastin e ditës së sotme (dje) me defektin e ndodhur në N/stacionin e Krujës, është shkaktuar për problemet operative të specialisteve të CEZ-it, siç janë paraqitje me vonesë të problemeve dhe vonesa në ndërhyrje për të kryer manovrimet e duhura, pasi këto të fundit kanë në administrim dhe menaxhojnë N/st pranë ish-uzinës së Traktorëve”, ishte deklarata.


Dëmtimi i linjave, për shkak të motit të keq, rikthen në vëmendje situatën në tërësi me kapacitetin e linjave në vend, si dhe investimet e munguara. Kompania çeke, që menaxhon sistemin e shpërndarjes, thotë se rrjeti elektrik është tejet i amortizuar, i ndërtuar rreth viteve ’60, dhe se kërkon investime të konsiderueshme.


 


Rrjeti elektrik është tejet i amortizuar, i ndërtuar rreth viteve ‘60 dhe kërkon investime


Amortizimi


Problem investimet në rrjetin elektrik


Pikërisht investimet në tre vitet e fundit kanë shkaktuar diskutime mes CEZ-it dhe Entit Rregullator, pasi ky i fundit i shqyrton me kujdes planet. CEZ, në vitin 2011, i ndërpreu investimet duke realizuar vetëm gjysmat, me vlerë 2.2 miliardë lekë, ndërsa për këtë vit situata paraqitet akoma edhe më e rëndë, për shkak se ndodhet në gjendje të vështirë financiare. Kompania aplikoi te dy banka të mëdha për të marrë 100 milionë euro kredi, si plan për të zgjeruar investimet, por shuma nuk u garantua e gjitha (vetëm 30 milionë euro), pasi CEZ nuk mori garanci nga ERE se do të respektonte studimin mbi nivelin real të humbjeve në rrjetin elektrik.