E bija e Duncan heton Armstrong, tashmë 91-vjeçare ka vendosur t’i sjellë në Muzeun Historik Kombëtar. Drejtori Luan Malltezi theksoi se do të vendosen në pavijonin që i përket kësaj periudhe
Oliverta Lila
Malcolm Howe ka udhëtuar për të tretën herë drejt Shqipërisë. Anëtar i shoqatës anglo-shqiptare, ai ka ardhur në emër të së bijës së sekretarit të parë të Princ Vidit për t’i dhuruar në Muzeut Historik Kombëtar objektet që i përkisnin. Janë 11 të tilla, përfshirë pjesë gazetash, fotokopje dhe fotografi. Ceremonia e dorëzimit është realizuar dje në ambientet e muzeut, me praninë vetëm të medias. Griselda Adam, e bija e Duncan Heaton Armstrong, sekretarit të Vidit, për arsye moshe(91 vjeçe) nuk kishte mundur dot të udhëtonte drejt Tiranës. Zoti Malcolm, mik i familjes Armstrong, shpjegoi me pak fjalë të gjitha objektet që i ishin dhënë Duncan Armstrongut nga princ Vidi gjatë shërbimit të tij të shkurtër në Shqipëri. E nis nga një kapele e zezë me shqiponjën e artë, me një yll mbi krye. Ajo është pjesë e uniformës, përfytyrimin e së cilës z. Malcolm na e jep përmes një fotografie të z. Armstrong që e ka sjellë me vete. “Familja e kapitenit Duncan ka pasur objekte të trashëguara nga koha e Princ Vidit dhe e bija e tij, Griselda u mundua t’i ruante për t’i dhuruar sot në Muzeun Historik Kombëtar. Princ Vidi ishte nga Gjermania dhe donte një sekretar që të dinte shqip, por që të ishte edhe nga vendi i tij. Duncan Heaton Armstrong e kishte nënën gjermane. Kjo kapelë e zezë që ju shini këtu, ishte pjesë e uniformës së tij, por i mungon penda”, tregon Howe. Sipas tij, pjesa tjetër e uniformës është zhdukur. “Gjatë viteve të luftës, e bija e tij që jetonte në Vjenë, ia veshi shoferit të saj këtë uniformë shqiptare, e cila më pas u zhduk”, shpjegon ai. Pjesë e objekteve është një shpatë ceremoniale. Nuk është përdorur për luftë dhe është mjaft e mirëmbajtur. Sekreti sipas z. Malcom, është fakti që ajo nuk është prekur kurrë me duar. “Pata probleme të mëdha në sjelljen e shpatës së zotit Duncan në Shqipëri. Autoritetet angleze kërkuan një dokumentacion të imtësishëm që të më lejonin ta kaloja”, shton ai. Por shpata ka edhe një tjetër histori. Howe shprehet se objektet e sekretarit të Vidit kanë qenë më shumë, por pas vdekjes së tij iu shpërndanë nipërve, të cilët i kanë shitur. Shpatën që i dhurohet muzeut e ka shpëtuar e bija, e cila ia ka blerë kushëririt të saj, për ta rikthyer në fondin e familjes. Duke kërkuar mes objekteve për të shpjeguar reliken e radhës. Ndalet në një fotografi të nënshkruar nga vetë Princ Vidi. “Kjo është një fotografi, të cilën Princ Vidi ia ka firmosur sekretarit të tij në shenjë mirënjohje për shërbimin. Në gusht të vitit 1914, regjimi i Princ Vidit nuk mund të vazhdonte të jetonte, prandaj për të ishte më e rëndësishme që të largonte fëmijët e vegjël, sepse situata ishte shumë e rrezikshme. Në këtë kohë ka dhuruar edhe këtë fotografi”. Pjesë e dhuratës janë edhe dy medalje, njëra në arë dhe tjetra në argjend, paletat e uniformës, në njërën prej së cilës me tre yje argjendi, një rrip mesi dhe materiale të tjera informuese mbi familjen e Vidit. Cila mund të jetë vlera e këtyre objekteve në ankand? Z. Malcolm mendon se kjo nuk varet nga materiali i tyre, por nga ajo që ofrojnë koleksionuesit. Ai është shprehur entuziast që tani e tutje do të jenë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar. Drejtori i MHK-së, Luan Malltezi, i cili me këtë rast i ka dhënë një Dëshmi Mirënjohje të bijës së sekretarit të Vidit dhe Z. Malcolm Howe që i solli ato në Shqipëri, ka thënë se objektet do të vendosen në pavijonin që i kushtohet kësaj periudhe. ‘Ne thuajse nuk kemi objekte që t’i përkasin periudhës së Princ Vidit ndaj këto janë shumë të çmuara. Armstrong i përket historisë së Shqipërisë. Muzeu është në pasurim dhe përtëritje të vazhdueshme, ndaj do t’u bëja një thirrje të gjithë shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë që të na ndihmojnë për ta pasuruar këtë institucion duke dhuruar relike që ruajnë”, është shprehur Malltezi. Sipas tij, ka një fond për blerje objektesh(të cilin drejtori nuk e ka përcaktuar në shifër të saktë), por ka theksuar se është i vogël dhe një problem i vazhdueshëm për pasurimin e muzeut.
Objektet
1. Foto e D. H Armstrong
2. Foto e familjes Vidi
3. Dekorata (3 copë të lidhura bashkë) të D.H. Armstrong
4. Kapele e zezë me simbolin e shqiponjës dhe yll
5. Shpatë me këllëf
6. Rrip mesi me tokëz
7. Portret i Vidit firmosur prej tij
8. Spaleta të D.H. Armstrong
9. Dekoratë “Besë e Bashkim” e vëllait të D.H. Armstrong
10. Butona uniforme(dy copë me madhësi të ndryshme)
11. Materiale informuese rreth familjes së Vidit (gazeta, fotokopje, foto)