SHTETI NË PASQYRË TË MONEDHËS

M.A Monika Shoshori Stafa

I.

“Historia ka vdekur dhe njeriu i mbramë do të bëjë dhe pa të”, shkruan Fransis Fukujama. Mirëpo frika për mbarimin e historicitetit është thjesht një shpikje formulë filozofike. Ekzistojnë mënyra të pafundme se si historia e fsheh dhe e zbulon vetveten. Një prej tyre është monedha.

Shteti shqiptar, nëse nuk numërojmë republikat që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë së tretë, është i fundmi në Ballkan që doli më vete nga një perandori në rrënim. Shqiptarët, ndërkaq, kishin mbajtur peshë themelore në luftërat për lirinë e të tjerëve – në revolucionin kombëtar grek; kishin themeluar Egjiptin e ri të pavarur, kishin qeverisur në emër të sulltanit shumë shtete që do të dilnin prej perandorisë. Portrete të protagonistëve shqiptarë në këto ngjarje kanë vend edhe në monedhat e vendeve që u shërbyen: portretet e Bubulinës, Marko Boçarit, Kapodistrias në monedhën greke; portreti i Ataturkut e i Mehmet pashait në monedhën turke e egjiptiane.

Një shekull në jetën e një shteti është fare pak. Cila është historia e këtij vendi si histori shtetërore? Kjo është një pyetje që përgjigjen mund ta marrë duke iu drejtuar shenjave që e bëjnë shtet shtetin: historisë së kufijve, himnit, flamurit, monedhës, sistemit politik dhe së fundmi protagonistëve.

Në të vërtetë, tradicionalisht të shkruarit e historisë së shtetit shqiptar më së shumti ka nisur prej shenjash të tjera: prej emrave të individëve dominues. Dhe është shkruar kryesisht si histori lufte politike dhe antagonizmi e fare pak si histori qytetërimi. Por historia më sintetike e një shteti shprehet në historinë e monedhës që përdor. Sepse monedha është ajo që ruan ngjyrën dhe gjurmën e kohës, ndryshimin e epokave, gjendjet kalimtare. Prandaj shtetet janë fanatikë për të.

Nuk është e rastit që sot, sa herë që ndërlikohet fati i Europës së Bashkuar, aq herë dalin shpejt e shpejt në përdorim publik emrat e monedhave të vjetra, me të cilat është lidhur historia e popujve të saj: në euro ose në dhrahmi; në euro ose në liretë, “vecchie lire”; në euro ose jashtë Europës. Emrat e monedhave lokale dalin si strehë shpëtimtare në kohë krize. Franca, Gjermania, Italia dhe shumë vende të tjera europiane, e patën shumë më të lehtë të dorëzojnë doganat, kufijtë, pasaportat kombëtare, se monedhat e veta. Britania sapo e ka shtyrë sërish edhe për disa vjet pavarësinë e sterlinës historike dhe tani po kërkohet referendum që sterlina të mos shuhet kurrë. Mbretëria e Bashkuar është anëtare e rendit parësor në Europën politike, por duke e ruajtur me këmbëngulësi “perandorinë” e monedhës së vet, të shtrirë në të pesë kontinentet, ashtu si dhe Comonuelthi.

II.

Shqipëria sivjet mbush një shekull pavarësi dhe nuk ka ndonjë histori shumë të gjatë të monedhës së vet shtetërore. Në vendin ku monedhat e para me fytyra mbretërish u prodhuan dy shekuj e gjysmë më parë, kartëmonedha është ende më pak se në moshën e një jete njerëzore. Por megjithatë shteti shqiptar dhe monedha e tij, parë në pasqyrë të njëri-tjetrit, mund të ndihmojnë madje dhe në rinjohjen e historisë së këtij shekulli.

A i pëlqen shtetit shqiptar sot pasqyra që i vihet përpara? Kjo është një çështje e ndërlikuar, sepse shpesh është pasqyra ajo që bëhet fajtore për të këqijat që zbulon: prapambetjen, analfabetizmin, shthurjen administrative, protagonizmin politik. E para gjë që bie në sy nëse krahasojmë historinë e shtetit me historinë e monedhës shqiptare është simetria dhe analogjia e plotë mes tyre: monedha i ka ngjarë kohës politike. “Viti i mbrapshtë” politik që pasoi themelimin e qeverisë kombëtare të I. Qemalit shihet edhe më i mbrapshtë në fytyrën e monedhës. Përpjekjet për një parà shqiptare, që nisën qysh në vitin 1913, dështuan shpejt dhe krahinorizmit politik anakronik iu përgjigjën menjëherë sprovat e para të monedhës: Esad pasha prodhoi pullën apo bonon – një letër me vlerë për të formuar buxhet; Mirdita prodhoi monedhën “vetëkeverritare”, Korça emetonte paralelisht monedhën me emrin “Skënder”, në emrin e katundarisë së krahinës; dhe frangën franceze, në emër të krahinës autonome.

Në pasqyrë të monedhës Shqipëria e atyre viteve mund të lexohet kështu: e çintegruar dhe në kaos nga pikëpamja administrative, e mbushur me republika kanunore dhe çifligare, për shkak të zelleve të shëmtuara për pashallëqe; e shpallur më vete me krahina që donin të ndaheshin nga njëra-tjetra.

Përpjekjet për një monedhë në periudhën shtetërore dëshmohen menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë. Lef Nosi, ministër i postë-telegrafës, urdhëroi që gjithë fondi i pullës osmane që kishte mbetur në Shqipëri të konsiderohej letër me vlerë dhe të rihynte në qarkullim duke u syrsharzhuar me timbrin e qeverisë kombëtare. Esad pasha, me ambicien për të ndërtuar një hekurudhë që do të përshkonte Shqipërinë e Mesme, prodhoi një pullë që duhej t’u shtohej të gjitha mallrave që tregtoheshin në territoret ku ai sundonte, dhe kjo pullë ekziston në katalogët botërorë të historisë së monedhës, megjithëse mund të konsiderohet një para-monedhë.

Me Shpalljen e Pavarësisë, një ndër sfidat e kohës ishte krijimi i sistemit monetar. Në vitin 1913, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe të Bankës Tregtare të Milanos e të një banke austriake nga ana tjetër, nënshkruan një akt-marrëveshje për krijimin e një banke kombëtare shqiptare. Ndër të tjera, në marrëveshje parashikohej që Banka Kombëtare e Shqipërisë do të kishte dhe të drejtën e emetimit të bankënotave. Si dhe monedhë ligjore u shpall frangu. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e bëri të pamundur këtë marrëveshje. Kjo është koha e emetimit të kartëmonedhave të para lokale: Veç bonos së Esad pashës u prodhua “Mirdita Vetkeverritare”, monedha e quajtur “Skënder” e katundarisë së Korçës, franga e republikës autonome të kësaj krahine kontrolluar nga francezët, monedhat e bashkive të Elbasanit, Beratit, të cilat në fakt ishin letra me vlerë me stamposje primitive. “Monedha” e Esad pashës u quajt “grosh”, njësoj si nënfishet e monedhës austro-hungareze, dhe u prodhua në dy prerje: gjysmë dhe një grosh. Franga e Korçës pati dy prerje: 5 dhe 10 franga.

Një nga vendimet më të rëndësishme që mori Kongresi i Lushnjës më 1920-n ishte ai i autorizimit që u dha disa prej prefekturave për të emetuar monedha lokale. E para që e vuri në zbatim këtë ishte bashkia e Shkodrës, e cila hodhi në qarkullim një kartëmonedhë me emrin frang, me katër prerje: 5 qintar, 10, 20 dhe 50 qintar me një vlerë totale prej 50 mijë frangash. Ndërsa Bashkia e Korçës shtypi dy kartëmonedha me dy seri: një seri gjysmë, 1 dhe 2 “Skënder”, duke iu referuar sigurisht emrit të Skënderbeut, dhe një tjetër me tri prerje, me të njëjtin emër.

Shqipëria u shpall shtet i pavarur më 1912, por pavarësia e saj e kushtëzuar u njoh vetëm më 1920. Pikërisht kjo është koha kur republikat e shumta tribale-etnografike fillojnë të ndiejnë ekzistencën e një qeverisjeje qendrore, që shprehej edhe me anë të centralizimit të emisionit të parasë së vendit. Shqiptarët nuk ishin aspak të varfër, duke iu referuar pasurisë në metale të çmuara të llogaritura në duart e tyre (dhe të dëshmuara më vonë), por shteti i tyre nuk kishte as bankë. Nuk kishte madje as emër monedhe. Derisa u themelua paraja me emrin “Lek”, një formë e shkurtër e emrit të Aleksandrit të Madh, paralel me frangën shqiptare kartëmonedhë, që shumë shpejt do të bëhej e famshme në Europë, një nga paratë e rralla të konvertueshme lirisht, edhe sot objekt i koleksionistëve. Franga shqiptare, që jetoi sezonin e vet më të lavdishëm, duke qenë e lakmuar prej Europës ekskursioniste dhe me plot prirje ekzotike.

Si datë referenciale historike e krijimit të një monedhe të vërtetë kombëtare shënjohet viti 1926. Këtu merr fund periudha e kartëmonedhave lokale, të cilat, me larminë e tyre: në përmasa, ngjyra, vlera, simbole, janë shumë të kërkuara nga koleksionistët numizmatë. Ato janë të rralla nga pikëpamja e sasisë, por jo vetëm rrallësia i bën të tilla: kërkohen edhe për elementin informativ.

Më 1922, në parlamentin e kohës u diskutua gjerë e gjatë mbi krijimin e një banke të mirëfilltë qendrore, por nuk arrit të miratohej një ligj. Banka Qendrore arriti të krijohej vetëm në vitin 1925, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Ahmet Zogut dhe një grupi financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti. Në këtë marrëveshje përcaktohej krijimi i bankës shqiptare dhe njihej e drejta e saj për të emetuar bankënota, e drejta për të shtypur monedha ari dhe metalesh të tjera, detyrimi për mbulimin e fondit të kartëmonedhës në qarkullim në masën një e treta me rezerva ari. Monedhë ligjore në Shqipëri u vendos frangu dhe njësi monetare leku. Raporti i këmbimit u caktua 5 lekë për 1 frang ari. Kartëmonedha e parë pati vetëm 5 ditë jetë, sepse qeveria e hoqi nga qarkullimi, pasi në faqen recto të saj ishte stampuar një shqiponjë njëkokëshe. Kjo është arsyeja që monedha e parë kombëtare konsiderohet ajo e vitit 1926, e cila ishte seriale dhe kishte prerjet: 5, 20 dhe 100 franga ari, si dhe prerjet çerek, gjysmë dhe një lek. Në vitet në vijim rezulton periudha e artë e monedhës shqiptare, një prej më të vlerësuarave në tregjet financiare, e këmbyeshme lirisht në të gjithë Europën, për shkak se ajo jo vetëm ishte e garantuar me ar, por konvencionalisht kishte vlerë një për qind më shumë se monedha prej ari. Politika e deflacionit që ndoqi qeveria mbretërore jo vetëm mundësoi formimin e thesarit kombëtar, por fuqizoi menjëherë monedhën e vendit. Dëshmitë dhe statistikat e kohës tregojnë se frangu kuotohej rregullisht në bursat e vendeve të ndryshme të Europës Perëndimore, si në Trieste, Vjenë, Milano apo dhe në Zvicër.

Me pushtimin fashist të Shqipërisë, pikërisht më 20 prill 1939, shfuqizohet akt-marrëveshja e trashëguar dhe nënshkruhet një marrëveshje e re, sipas së cilës nuk do të ishte më ari garant i frangut, por monedha italiane lireta. Raporti i këmbimit u caktua në dëm të monedhës lokale: një frang baras me 6.21 lireta. Kurse me ligjin numër 38, datë 13 janar 1945, u anuluan të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe u krijua Banka e Shtetit Shqiptar. Deri në vitin 1947, fondi i monedhës së periudhës mbretërore hyri në qarkullim e syrsharzhuar. Madje dëshmohet se ajo u qarkullua dhe me një syrzharzhim të Ministrisë së Financave të ish-Jugosllavisë. Pikërisht ky fakt provon se propozimi jugosllav për një marrëveshje të parifikimit të monedhave nuk mbeti thjesht një tentim. Dhe ky është shkak pse leku pësoi një zhvleftësim të dukshëm, duke i dhënë vlerë dinarit të dobët jugosllav.

Në periudhën mbretërore, në kohën e krizës më të madhe botërore, pikërisht kur ndodhi ai që quhet “depresioni i madh i vitit 1929”, që shkatërroi ndër të tjera edhe dollarin, Shqipëria kishte një monedhë në deflacion, një dukuri e rrallë në historinë botërore të parasë: një frangë ari prej letre kishte më shumë vlerë se një frangë ari prej ari (kursi njihet: 101 pikë me 99 pikë). Ndryshe nga sa mendohet, thesari i Bankës së Shqipërisë nuk u krijua prej kredive modeste italiane, asnjëherë të mjaftueshme për kapital fillestar themelor, por prej politikës deflacioniste të shtetit shqiptar, që bëri të mundur mbledhjen e floririt që kishte populli shqiptar në duar. Thesari i shtetit shqiptar në vitin 1943 kishte 2,6 tonë flori numizmatik. Në historiografinë tradicionale krijimi i thesarit të shtetit shqiptar, një shtet që nuk kishte trashëguar asnjë fillesë të sistemit bankar, është shpjeguar me vasalitetin e qeverisë së dobët të ish-mbretit Zog ndaj kolonizuesve italianë. Kështu, jo vetëm është çmerituar faktori vendës prej një trashëgimie parësore, por i është bërë një dëm i rëndë së vërtetës. Mbështetur në burime të panjohura arkivistike, provohet se thesari i shtetit të ri shqiptar u krijua prej politikës së “arit të cunguar” apo të deflacionit fiktiv të floririt, që u ndoq duke filluar prej vitit 1925 nga A. Zogu, i cili, përmes një kursi privilegjues të kartëmonedhës ndaj monedhës me të njëjtën vlerë nominale në ar, krijoi rezervat shtetërore duke nxjerrë nga sëndukët e shtetasve pasuritë e trashëguara në formën e numizmatikës, stolive, pasurive të çmuara. Politika e deflacionit të stimuluar i ishte propozuar për herë të parë udhëheqësit të komunizmit sovjetik V. I. Lenin nga ekonomisti nobelist John Keynes, në atë kohë vetëm 20 vjeç. Ndërsa sovranit shqiptar ia kishte këshilluar thjesht intuita. Thesari i shtetit shqiptar, në prag të pushtimit fashist, peshonte 2574 kg, ndërsa vlera reale e tij, duke qenë ar numizmatik dhe jo lingotë, mendohet më shumë se dhjetëfishi. Duke qenë se paraja e shtetit shqiptar, një prej devizave më të fuqishme në Europë për kohën, franga e arit në letër, prodhohej në ofiçinën e Banca di Roma dhe ari monetar ruhej në të njëjtë bankë si garanci paguese dhe vetëvepruese.

Në shtator të vitit 1943, gjatë vizitës në Tiranë të legatit të Führer-it për Ballkanin Herman Neubacher, krerët e Regjencës pranuan dorëzimin e thesarit të shtetit shqiptar komandës së ushtrisë naziste, “për qëllime sigurie”, me premtimin se me rivendosjen e paqes ari do t’i kthehej pronarit të ligjshëm, por nuk pranuan dorëzimin e listave të hebrenjve dhe të dy kodikëve të Beratit. Kështu, Shqipëria e humbi një herë e përgjithnjë thesarin e vet, dhe bashkë me të edhe 10 tonë kartëmonedhë të gatshme rezervë, si dhe klishetë e riprodhimit të saj. Kjo sepse në mbarim të luftës antifashiste lindën probleme politike e juridike ndërkombëtare, deri sa më 1993 autoritetet e shtetit shqiptar pranuan përgjegjësinë për incidentin e Korfuzit, njohën vendimin e Gjykatës së Hagës, dhanë pëlqimin që dëmi të shlyhej prej arit të mbajtur peng dhe çështja u mbyll.

Shanset që thesari i shtetit shqiptar të rikthehej kanë qenë të hapura. Më 2 shkurt 1979, në adresë të Bankës së Shqipërisë ishte urdhëruar një çek me vlerë të përafërt me atë të vlerës nominale të thesarit në flori (8 milionë sterlina), që mbante nënshkrimin e Margaret Thatcher, Kryeministre e Britanisë së Madhe. Pasi u bënë të gjitha verifikimet e nevojshme, doli se çeku ishte i urdhërueshëm pa kushte dhe në çdo kohë qeveria e Shqipërisë mund të përfitonte pa negociata shtesë vleftën e tij. Çeku përmendet me emrin “U porter” dhe iu kthye qeverisë së saj në fund të muajit prill të atij viti si “i papranueshëm”, duke u konsideruar “provokim”.

Në Arkivin Qendror të Shtetit dokumentohet se në vitet e para të vendosjes së qeverisë komuniste, përmes politikës së shtetëzimit dhe konfiskimit, thesari i shtetit u rikrijua, duke akumuluar nga zeroja fillimisht 2.017 kilogramë ar, ndërsa deri në fund të qeverisjes komuniste Banka e Shtetit kishte 3.029 kilogramë. Nga studiues të ndryshëm është shkruar se ka pasur momente kur thesari i Shqipërisë ka kaluar mbi 10 tonë flori.

Krejt ndryshe nga sa është shkruar në histori, akti i parë urdhërues për shtetëzimin e floririt i takon qeverisë bashkëpunuese me rendin nazist, mesit të vitit 1944, dhe përmban një urdhër për tatimet e jashtëzakonshme për fitime në kohë lufte. Qeveria komuniste, kur shpalli ligjin për monopolizimin e floririt, i njohur si Ligji nr. 20 datë 15.12.1944, që e miratoi kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, me fuqinë e të cilit ndalohej eksportimi i arit, argjendit, platinit dhe gurëve të çmuar, në fakt rimori një akt ligjor që e kishin vendosur më parë kundërshtarët e tyre. Dhe kështu historia e monedhës dhe e thesarit na dëshmon se palët që luftuan me armë në dorë kundër njëra-tjetrës në luftë nuk ishin larg njëra-tjetrës sa i takon qëndrimit ndaj monedhës dhe thesarit. Në të dyja periudhat, si në atë mbretërore, konfiskuar nga ushtria naziste, ashtu dhe në atë totalitare, Shqipëria ishte një vend me thesar të fuqishëm.

Monedha nuk është thjesht një mënyrë si shteti shpreh fytyrën e vet. Ajo është shumëfishuesja e vlerave të rralla të qytetërimit të saj. Është promovuesja e historisë, e ngjarjeve dhe protagonistëve të saj. Është kontakti i parë i të huajit me vendin. Është letër me vlerë dhe kartolinë, është pasuri dhe imazh. Është pasaportë dhe kod. Është garante e ekonomisë dhe e vlerave të tjera. Monedha është si një libër që lexohet pa qenë nevoja të dish gjuhën e vendit. Sepse shenjat dhe ngjyrat, portretet dhe kumtet e tjera që përcillen me mjete të tjera komunikimi janë një metagjuhë që përcjell vazhdimisht të dhëna.

III.

Çfarë ka promovuar monedha shqiptare në botë? Cilat janë shenjat që ajo ka emetuar? Si mund të gjykohet qindvjetëshi i shqiptarëve përmes heraldikës që përmban monedha? Lidershipi shqiptar, kryemëvete si gjithë shqiptarët, me etje të pashuar për protagonizëm, a e ka infektuar dhe monedhën me këtë? Kulti i “naltmadhnisë”, ai i individit, kulti i autokracisë, a e kanë lënë “denoncimin” e vet dhe në monedhë”? Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen kur njihesh me galerinë e pafundme të parave shqiptare, të cilat, megjithëse për herë të fundme janë rivlerësuar në vitin 1964, llogariten me “të vjetra”. Madje nuk është stabilizuar as gjuhësisht si duhet të thuhet: lekë të rinj apo lekë të reja.

Pikërisht pse paraja ka këtë cilësi, këtë konservatorizëm, merr rëndësi çdo shenjë që ajo bart e përcjell. Dhe duket se në këtë pikëpamje shteti shqiptar mund të shihet në pasqyrë të monedhës pa u turpëruar për hyjnizim, madhështim a përjetësim të krerëve. Jo gjithnjë, sigurisht. Me paranë, në mos tjetër, ka ndodhur madhështimi i epokës: mbretërisë, totalitarizmit, dekadave të mëvonshme. Secila ka cilësinë e vet jo vetëm në vlerë: deflacion në monarki, hiper-inflacion me letrat pa vlerë dhe shoqëritë rentiere në periudhën posttotalitare, inflacion të fshehtë në komunizëm.

Kartëmonedha në konceptin e vet e ka palimpsestin. Ka rrafshin bashkëkohor në mënyrë të detyrueshme, ka shenjat e shtetit në kohën që e ka prodhuar, por në mënyrë të pashmangshme kartëmonedha ka dhe elementin e evokuar prej së shkuarës. Zakonisht ky element është ikona, një portret i një personaliteti ose një shenjë tjetër identifikuese, një ngjarje e historisë së Shqipërisë. Po ka pasur periudha të monedhës shqiptare që i ka pasur elementet e palimpsestit edhe në kuptimin e përthirrjes së të ardhmes. Për shembull, monedhat e periudhës komuniste kanë një demonstrim të epokës së indrustrializimit, ku duket sikur përpiqen të afrojnë të ardhmen utopike që ishte premtuar. Një rast tipik i monedhës si palimpsest është ajo e prerjes 20-frangëshe e prodhuar në periudhën mbretërore. Kjo monedhë së pari është dygjuhëshe: shqip dhe italisht. Është prodhuar si monedhë e shtetit shqiptar, por me titull emetues ofiçinën e Bankës Kombëtare të Italisë. Ka si ikonë qendrore mbretëreshën Teutë me skeptër në dorë, por, në anën tjetër, ka edhe ujkonjën, që është miti i themelimit të Lacium-it. Vërtet ka Teutën si figurë qendrore, por nën piedestalin e shtatores është shkurtesa “Senatus Populus romanorum”. Evokon senatin romak njëherësh kur evokon Teutën ilire. E njëjta monedhë, e parishtypur, është futur në përdorim nga dy shtete menjëherë pas luftës, duke mbijetuar tri kohë të vështira të historisë: fundin e mbretërisë, periudhën fashiste, periudhën naziste dhe vitet e para të komunizmit. Dy monedha të kësaj prerjeje janë syrsharzhuar për t’u ripërdorur: njëra prej tyre ka vulën e Bankës së Shtetit Shqiptar dhe tjetra ka vulën e Ministrisë së Financave të ish-Federatës Jugosllave.

E parë si imazh dhe promocion, si shenjëzim dhe kod, si heraldikë dhe kronikë e jetës politike e shtetërore të vendit, monedha shpreh njëherësh edhe gjendjen kulturore të klasës që qeveris. “Shpëtova për pak pa humbur kokën prej komandës së ushtrisë naziste, sepse këmbëngula të mos prodhohej para e tepërt, të mbrohej fuqia e frangës; luftova për të mbrojtur paranë kombëtare”, shkruan në kujtimet e veta Mitrush Kuteli, i cili në ato vite ishte në funksionin e këshilltarit kryesor të drejtorit të bankës Melis. Qindra faqe të “Diario di Banca Nazionale” dëshmojnë se si ngulmohej prej tij për fatin e frangës shqiptare: autoritetet naziste kishin marrë bashkë me arin dhe 10 tonë kartëmonedhë dhe donin të shumëfishonin një sasi tjetër frange ari, me klishetë që kishin marrë. Dhe kështu, ajo frangë që thuhej se kishte joshur edhe Albert Einstein-in, do të pësonte të njëjtin fat të dhrahmisë, që fshatarët shqiptarë patën mundësi t’i merrnin me thasë dhe pastaj të vërenin se nuk vlenin as për të ndezur cigaren.

Por monedha shpreh edhe cenet e kohërave dhe kufizimet e tyre, gjithaq dhe preferencat. Kur ndodhesh para koleksioneve të mëdha numizmatike të krijuara nga Banka e Shqipërisë vetë, të del përpara vetvetiu pyetja se cilët janë njerëzit e përzgjedhur prej autoriteteve për t’u dhënë njohje popullore, cilat figura janë në protokollin e monedhës. Nuk mund të thuhet se gjithçka është e përsosur. Shteti ka mbajtur shpesh anë. Por ka pasur gjithnjë figura konsistente, që kanë mbetur të tilla edhe në pamjen e monedhës.

Por a janë vetëm njerëzit ata që e bëjnë historinë e një shteti? A ka vlera të tjera që mund t’i shtojnë informacionin dhe peshën kulturore monedhës së vendit? Nga krahasimi që kemi mundur t’i bëjmë monedhës euro, që bashkon Europën, dhe monedhave tradicionale të shteteve të dikurshme tashmë të bashkuar me të, del se vendin e parakalimit të figurave të historisë, të kohërave të lashta dhe sidomos të shekullit të romantizmit, e kanë zënë shenja të reja kryesisht kulturore. Nuk është rastësi që vendin e kështjellave dhe të kalorësve, qofshin historikë apo legjendarë, e kanë zënë urat, simbolet kibernetike, përmasa futuriste e botës, shikimi nga e ardhmja:

Monedha lidh qytetarin me shtetin me një kontratë të pashkruar besimi. Kjo kontratë shprehet në pohimin standard “I paguhen prurësit me të parë”. Mijëra e mijëra herë njeriu kalon nëpër duar kartëmonedhat me këtë slogan dhe po aq herë u duket një shprehje hermetike. Shumica e njerëzve nuk e dinë se kjo është një deklaratë besimi. Që do të thotë se monedha duhet të këmbehet me mall me ta parë, me të shikuar, pa verifikim, pa dyshim, me mirëbesim, me bindje, jo më të parit, atij që paraqitet i pari. “I paguhet prurësit me të parë”, sepse ajo është e garantuar si para dhe si kontratë e pashkruar me vlera të tjera që zotëron një shtet: pasuri, thesar, rezerva ekonomike dhe financiare:

Ne bëmë vetëm një ekskursion të shpejtë në historinë e monedhës shqiptare si pasqyrë e shtetit të vet. Por si shihet shteti në këtë pasqyrë? E pamundur të thuhet gjithçka: shihen ngjyrat e epokave, shihen gjurmët e shpallura të sistemeve politikë; shihen veprimtarët që kanë dominuar jetën e vendit; shihet se Shqipëria nuk ka qenë kurrë aq e varfër sa thuhet; shihen politikat kulturore të vendit dhe gjendja gjuhësore; shihet shkalla e pavarësisë dhe e ndërvarësisë; shihet ndikimi ideologjik dhe ndoshta edhe ai fetar; shihet e shkuara dhe e sotmja; shihet kultura dhe padija, për të mos thënë dhe analfabetizmi. Por gjithçka që ajo monedhë përmban është histori pa fjalë e shtetit shqiptar që pret studiuesit ta deshifrojnë. Ndoshta atje do të ketë më shumë të vërteta se në studime, artikuj e tekste.

Autor te 30 Nëntor 2012. Historia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Pasqyra SALIANO -ZOGISTE

    Zogu , e ka vjedh arin e Shqiperise dhe sot pasqyrohet ne monedhe ari . Pse ? Sepse , edhe ky i sotmi po vjedh si ai , Zogu erdhi ne pushtet ne saje te serbit ashtu sic ka ardhur ky Saloviqi si dhender i Serbise ne krye te shtetit . ( agjentura serbe organizoi 2 Prillin dhe mori revansh Saloviqi , dhe dhunshem e me nje fjalor banal e agresiv flet e merr poza prej aktori komiko – dramatik ) Ne habitemi dhe themi : pse, pse ? Eshte , per mendimin tim , loje pas kuintave. Agjentura serbe gjithmone eshte me drita ndez.