Vritet në atentat mafioz 38-vjeçari, dyshohej për disa vrasje në Shkodër

Hakmarrja

Edmir Koçia është qëlluar me breshëri automatiku gjatë një prite, kur po hynte në banesë

viktima EDMIR KOÇIA

Atentat mafioz në Shkodër ndaj një të dyshuari për disa krime të rënda në Shkodër dhe i njohur si “i forti i qytetit”. 38-vjeçari Edmir Koçia, i njohur edhe si “Miri” ka mbetur i vrarë me pesë plumba në derë të shtëpisë, ndërkohë që vrasësit dyshohet se kanë qenë profesionistë dhe të mirinformuar për kthimin e tij në banesë. Në vitin 2007, ai ishte arrestuar nga policia si i dyshuar për vrasje të dyfishtë, por kjo vepër penale nuk iu vërtetua dhe ai u dënua vetëm për arsenalin e armëve që iu gjet gjatë kontrollit.

Krimi mafioz ka ndodhur në lagjen “Tepe” të Shkodrës, ku Edmir Koçia është vrarë me breshëri automatiku. Viktima ndodhej pranë banesës së tij. Në momentin që po futej brenda, ndaj tij është zbrazur një karikator automatiku. Dyshohet se 38-vjeçari është qëlluar nga dy drejtime të ndryshme dhe atentati ndaj tij ka qenë një pritë. Krismat e armëve janë dëgjuar nga familjarët, të cilët kanë dalë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë të afërmit, duke e dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës. Fillimisht, ai ka shkuar në gjendje të plagosur në spitalin e Shkodrës, ku kishte të paktën pesë plumba, që kishin prekur organet jetësore. Mjekët nuk dhanë siguri as për lëvizjen e tij drejt Tiranës, pasi gjendja shëndetësore nuk mund ta përballonte udhëtimin. Ndërhyrja e mjekëve rajonalë ka qenë tepër e vështirë, pasi i plagosuri ka pasur dëmtime tepër të rënda dhe në orët e mëngjesit, për shkak të plumbave të shumtë, 38-vjeçari ka ndërruar jetë.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, që mendohet se ka ndodhur për hakmarrje, megjithëse ende nuk dihen autorët. Sipas policisë, nga hetimet e para rezulton se nuk kemi të bëjmë me një vrasje të çastit, por me një krim të organizuar nga persona profesionistë. Sipas policisë, autorët kanë pasur informacion të saktë për lëvizjet e viktimës dhe e kanë pritur atë në momentin që ka qenë duke hyrë në shtëpi, i pavëmendshëm ndaj atentatit. Shtëpia e Edmir Koçisë ndodhet në një rrëzë kodre në lagjen periferike të Tepes pranë depove ushtarake. Mendohet se shtëpia e tij ishte ndërtuar pikërisht në atë rrëzë kodre për të shmangur atentatet. Madje ai përdorte dhe tunele e ushtrisë për të fshehur armë. Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 27 gëzhoja automatiku dhe nga këqyrja e kryer, grupi hetimor pohon se nuk është gjetur ndonjë gjurmë me vlerë që do të çonte në identifikimin e autorëve.

Policia e Shkodrës, në komunikatën e saj bën të ditur se viktima ishte person me precedentë, por rezulton se ka qenë i dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Në lidhje me këtë krim, policia ka shoqëruar 11 persona, por nuk është arritur të krijohet një pistë e qartë hetimi. Grupi hetimor pohon se viktima kishte situata të ndërlikuara me persona të ndryshëm dhe për këtë, autorësia mbetet tepër e vështirë për t’u zbuluar. Gjatë së gjithë natës së mbrëmshme, forca të shumta policie dhe ato të FNSH-së, kanë zhvilluar disa aksione dhe krehje zone, ku dyshohej se mund të kenë lëvizur autorët e ngjarjes.

Koçia, më 2 tetor 2007, është arrestuar nga Policia e Shkodrës, bashkë me një person tjetër për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që dyshohej edhe për një vrasje të dyfishtë. Sipas njoftimit të asaj kohe, “arrestimi i tyre u bë pasi dyshohen të jenë autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 8 dhjetor 1999 në qytetin e Shkodrës, ku mbetën të vrarë Artur Talani dhe Fatbardh Truma. Gjatë operacionit, atyre iu gjetën një arsenal me armë, për të cilat u dënuan nga Gjykata e Shkodrës, ndërkohë që akuzat për vrasje nuk u vërtetuan asnjëherë ndaj 38-vjeçarit të vrarë natën e 100-vjetorit të Pavarësisë. A. H.

Autor te 30 Nëntor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry