Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shtyrë për në datën 7 Dhjetor shqyrtimin e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masës disiplinore ndaj gjyqtarit të Durrësit, Neritan Tabaku. Shkak për shtyrjen është bërë sërish mungesa e gjyqtarit Tabaku, i cili ka paraqitur një raport mjekësor që justifikon mospjesëmarrje e tij në mbledhjen e sotme, që drejtohej nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Nëse dhe javën e ardhshme Tabaku nuk do të jetë i pranishëm në mbledhje, u vendos që ai duhet të paraqesë avokatin e tij ose përfaqësues për të proceduar me masën disiplinore. “Zoti Tabaku ka risjellë përsëri raport mjekësor dhe kërkon që të shtyhet shqyrtimi i propozimit të ministrit. Raportin e parë e ka paraqitur në datën 5 nëntor, 14 ditë raport, sot është përsëri me 15 ditë të tjera, propozimi im është të detyruar nga procedura dhe ligji për ta pasur prezent shtyhet dhe mbledhja e radhës, do të bëhet të premten e ardhshme në orën 11.00”, -sqaroi Presidenti Nishani. Ndërkohë Ministri Halimi ka kërkuar shkarkimin e tij pasi ka abuzuar me detyrën.
Pak ditë më parë Tabaku është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës ku është paraqitur me një qafore, që sipas tij e kishte vendosur për shkak të problemeve shëndetësore që ka pasur kohët e fundit. Fillimisht ai është i gatshëm të përgjigjet pyetjeve të prokurorisë, por më pas ka kërkuar të rikthehet një ditë tjetër, i shoqëruar nga avokati i tij. Tabaku është pezulluar nga detyra, sepse dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi nga burgu Ilir Xhakja, i cili më 13 shtator të këtij viti ekzekutoi Shefin e Policisë së Shijakut, Kryekomisar Adem Tahiraj. Ilir Xhakja, pati fituar lirinë përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi vendimet e dy shkallëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e dënonin Xhakajn me 21 vjet burg për vrasjen me paramendim të Qerim Malokut, duke e kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e shkallës së Parë të Durrësit për kompetencë. Pikërisht në Gjykatën e Durrësit treshja e gjyqtarëve, e kryesuar nga Neritan Tabaku, e shpalli të pafajshëm të dënuarin e Krimeve të Rënda. Vendimi u apelua menjëherë nga organi i akuzës që kishte kërkuar 25 vjet burg për autorin, por moszbardhja e vendimit nga gjyqtari Tabaku për plot 19 muaj kalendarikë mbajti peng gjykimin në apel të çështjes dhe i dha lirinë Xhakjes.
Në mbledhjen e sotme anëtarët e KLD-së kanë diskutuar mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative, si dhe emërimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Presidenti Bujar Nishani, njëherësh kryetar i KLD-së, theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së trupës gjyqësore, duke siguruar se ky proces do të jetë tërësisht transparent. Pas diskutimeve është vendosur që testimi për gjyqtarët që kërkojnë të jenë pjesë e Gjykatës Administrative në shkallën e parë dhe të Apelit, do të zhvillohet në datat 21-22 janar 2013.
30 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)