Ekziston frika se Egjipti mund të bëhet një shtet i dominuar nga islamikët
Egjiptianët janë mbledhur në sheshin “Tahrir” të Kajros për të tetën ditë me radhë në demonstrata kundër Presidentit Mohamed Morsi, ndërsa një komision i mbizotëruar nga islamikët miratoi një projektkushtetutë të re që tani duhet të votohet në një referendum mbarëkombëtar.
Komisioni, i bojkotuar nga disa anëtarë liberalë dhe të krishterë, mbajti parimet e ligjit islamik si burimin kryesor të legjislacionit. Grupi miratoi me nxitim të 234 nenet në një takim që zgjati nga e enjtja pasdite deri të premten në orët e para të mëngjesit.
Parlamenti e vuri atë për votim, në mënyrë që të miratohej projektkushtetuta para së dielës, kur Gjykata e Lartë pritet të vendosë nëse do ta shpërndajë komisionin.
Gjatë ditëve të fundit, rreth 30 anëtarë liberalë dhe të krishterë u tërhoqën nga komisioni për të protestuar atë që e quajtën rrëmbim të procesit nga islamikët besnikë të Presidentit Mohamed Morsi.
Udhëheqësi egjiptian shkaktoi një tronditje politike javën e kaluar kur i dha vetes fuqi gjithëpërfshirëse që ndalon sistemin e drejtësisë të sfidojë vendimet e tij. Zoti Morsi tha dje në televizionin shtetëror, se dekreti do të merrte fund menjëherë sapo populli të votonte Kushtetutën e re.
Protestuesit egjiptianë janë të zemëruar nga marrja e pushtetit nga Presidenti dhe e akuzojnë atë se po sillet si një diktator.
Dy persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur në demonstratat mbarëkombëtare.