Shteti nuk jep paratë. Të rinjtë lënë përgjysmë studimet, kthehen në atdhe
Shpresa Mezini
Fondi i ekselencës nuk është lëvruar ende, ndonëse kjo duhet të kishte ndodhur që në korrik, muaj kur u shpall lista e studentëve të shkëlqyer që përfitojnë nga ky buxhet. Ende sot, afro katër muaj nga afati kur përfituesit duhet të merrnin paratë që u takojnë nga qeveria shqiptare për të paguar studimet e larta në një prej 15 universiteteve më të mira të botës, bllokimi i fondit ka mbetur enigmë. Askush nuk përgjigjet për këtë ngjarje. Përgjegjësit heshtin, si qeveria ashtu edhe Ministria e Arsimit, në një kohë kur me dorën e tyre po ccojnë drejt shkatërrimit të ardhmen e rreth 80 studentëve të shkëlqyer, që në pamundësi për të paguar privatisht, heqin dorë nga studimet e larta dhe kthehen në atdhe. Përballë këtij realiteti të hidhur, i vetmi institucion që ka reaguar është Ministria e Financave. Ajo i ka propozuar qeverisë tri variante për të zgjidhur këtë çështje. Burime në këtë institucion sqarojnë për gazetën “Shqip”, se alternativa e parë është: pagesa njëherësh, siç u premtua; e dyta pagesa me këste, duke qenë se gjasat tregojnë se qeveria është në vështirësi ekonomike dhe së treti dhënie kredish për familjet që kanë mundësi ta paguajnë për çdo muaj në pritje të janarit, kur qeveria ka premtuar se do të bëjë pagesën njëherë e mirë.
Duke qenë se shumë prej familjeve, fëmijët e të cilëve kanë rezultate të shkëlqyera, pjesë e listës së përfituesve nga fondi i ekselencës, nuk kanë mundësi të paguajnë kreditë, varianti i tretë u hodh poshtë automatikisht. Ndërsa kanë mbetur në diskutim dy alternativat e tjera, edhe pse qeveria nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare. Ajo zgjedh heshtjen në vend që të zgjidhë këtë situatë që po shkatërron të ardhmen e 80 studentëve shqiptarë në botë.
Rastet
Përfituesit e fondit të ekselencës janë njëkohësisht studentët më të shkëlqyer të vendit, mesatarja e të cilëve është mbi 9.5. Por, pavarësisht këtij fakti, qeveria i shpall fitues, i premton paratë, fond që arrin në 3 milionë euro në total, i nis për studime në universitetet më të mira të botës dhe në fund nuk u jep paratë. Përballë një fakti si ky, kur prindërit nuk kanë mundësi të paguajnë këstet për studimet në universitete, për shkak të kostos së papërballueshme, i rikthejnë fëmijët në atdhe.
E ndërsa kthimi i parë ndodhi në fillim të muajit nëntor, mësohet se tri ditë më parë është kthyer një tjetër student, djalë, 24 vjeç. Ai kishte zgjedhur të studionte në Universitetin e Harvardit në Amerikë, por duke qenë se kishin kaluar dy javë nga koha kur ai duhet të kryente pagesën për këstin e parë të studimeve, është kthyer i pashpresë në Tiranë, ku banon prej vitesh me familjen e tij, sepse pagesa nuk është kryer, për shkak se qeveria nuk i ka shpërndarë ende lekët. I shkëlqyer, me vizion për të studiuar në një nga universitetet më të njohura të botës, ai neglizhohet nga qeveria, që nuk jep asnjë shpjegim për situatën e krijuar. Të njëjtin fat pati një tjetër studente e shkëlqyer, me rezultate të arrira, pjesë e listës së rreth 80 të rinjve që e kanë fituar këtë të drejtë nga shteti. Paratë nuk i mori asnjëherë, prandaj është kthyer në Shqipëri në fillim të këtij muaji, pasi nuk bënte dot pagesën e studimeve në një nga universitetet më të njohura të Anglisë.
Si vajza, edhe djali, ngurrojnë të identifikohen, pasi kanë frikë se hakmarrja e institucioneve përgjegjëse mund të arrijë deri aty sa t’u djegë atyre mundësinë për ta përfituar bursat vitin e ardhshëm.
Përfituesit
Përfituesit nga ky fond për këtë vit akademik janë rreth 80 të rinj, studentë që kanë përfunduar studimet bachelor apo master, ndërsa duan të ndjekin studimet e mëtejshme jashtë kufijve të Shqipërisë, në një prej 15 universiteteve më të mira të botës. Por për të fituar këtë mundësi duhet të përmbushësh disa kritere, një nga të cilat është nota mesatare, e cila për shkencat natyrore inxhinierike duhet të jetë mbi 9 dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi. Përfitues janë edhe fituesit në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare apo studentët e doktorantët që kanë përfunduar studimet universitare e pasuniversitare me rezultatin shkëlqyer në një universitet të huaj, që renditen në 30 më të mirat e botës.
Situata
Fondi i ekselencës nuk është lëvruar ende pas afro 4 muajve vonesë, që nga shpallja e studentëve fitues
Indiferenca
Si Ministria e Arsimit edhe qeveria shqiptare hesht. Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare për fatin e 80 të rinjve që studiojnë jashtë
Rasti 1
Në fillim të nëntorit, një studente la përgjysmë studimet në Angli, pasi nuk paguante dot paratë e shkollës
Rasti 2
Par tri ditësh, një tjetër student u kthye nga studimet që kishte nisur në Universitetin e Harvardit në Amerikë, po për këtë arsye
Propozimi
Financat i propozojnë qeverisë variantin e pagesës me këste, duke qenë se gjasat tregojnë se shteti është në vështirësi ekonomike