Fryma e Re Demokratike zyrtarizoi degën në Gjirokastër, ku mes drejtuesve kryesorë të saj merrte pjesë edhe kryetari Bamir Topi. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, zoti Topi kritikoi klasën politike për keqqeverisjen e vendit dhe ftoi qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë FRD-në për të sjellë ndryshimin.
“Qytetarë, vriteni frikën dhe jini kurajozë. Mos bini pre e presioneve të politikës për vendet e punës dhe kthehuni tek kutitë e votimit që ta sjellim bashkërisht ndryshimin”, – tha Topi
Kreu i FRD-së shtoi se përfaqësuesit e popullit në parlament janë të padenjë dhe larg standardeve që meriton populli shqiptar. Ai kërkoi dhënien fund të kësaj mazhorance, që sipas tij ka ngecur në vend zhvillimin e vendit tonë.
Duke u ndalur tek politikat fiskale dhe biznesi, kreu i FRD-së sulmoi sërish qeverinë e cila, siç tha ai, aplikon një politikë selektive e privilegjuese për bizneset pranë saj dhe abuzon me gjobat ndaj të tjerëve.
1 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)