Nga vitet 1990 janë prekur nga sëmundja 555 persona, numri ka ardhur në rritje, shumica janë meshkuj
Personat e prekur nga HIV/AIDS në vendin tonë kanë ardhur drejt rritjes, nga viti në vit. Por, numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja ka ardhur në ulje, një referencë e mirë për vendin tonë. Të prekurit janë kryesisht nga qytete të zhvilluara, pavarësisht se në hartën e statistikave rezulton të jenë infektuar me HIV/AIDS të gjithë shqiptarët nga Veriu në Jug.
Dje Ministria e Shëndetësisë dhe UNDP kanë mbajtur një takim ku kanë referuar statistikat e fundit lidhur me përhapjen e sëmundjes në vend.
Në Shqipëri, në periudhën janar–nëntor 2012, janë identifikuar 70 raste të reja të diagnostikuara me HIV/AIDS, duke e çuar shifrën totale të rasteve të të prekurve në 555 raste.
Nga personat e prekur me virusin HIV, 30 për qind janë femra. Vetëm këtë vit ka vdekur një person me HIV. Të dhënat bëjnë të ditur se në 93 për qind të këtyre rasteve, infektimi është marrë nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.
Një indikator i rëndësishëm për vlerësimin e peshës specifike që zë HIV/AIDS mbetet numri i testimeve vullnetare për HIV. Në vendin tonë, pavarësisht prevalencës akoma të ulët dhe numrit të ulët të fëmijëve HIV pozitiv, ata përbëjnë një problem shëndetësor dhe shoqëror të rëndësishëm.
Sipas specialistëve, numri në total i të infektuarve në vend mund të jetë mbi një mijë persona
Po kështu, vëmë re një rritje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme të evidentuara gjatë survejancës sindromike dhe prania e infeksionit Klamidia është në prevalencën 5.6%.
Prania e IST (infeksioneve seksualisht të transmetueshme) dhe sidomos Klamidias lehtëson transmetimin e mëtejshëm seksual të HIV ndonëse Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët.
“Dua të theksoj gjithashtu se është e nevojshme që në vijimësi puna jonë të fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të një programi në parandalimit e transmetimit nga nëna te fëmija, i cili është domosdoshmëri për t’u stabilizuar vitin tjetër dhe për të bërë të mundur parandalimin e lindjeve të fëmijëve HIV pozitiv.
Unë shfrytëzoj këtë rast të bëj një apel ndaj së gjithë shoqërisë shqiptare për të qenë më e përgjegjshme në stilin e jetesës në mënyrë që të bëhemi një shoqëri më e shëndetshme dhe të luftojmë sa më shumë këtë sëmundje të shekullit”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Funksionimi i qendrave të këshillimit dhe testimit vullnetar në çdo prefekturë të vendit tonë lejon sot kryerjen e këtij testimi në këto prefektura. Rreth 2137 testime vullnetare janë kryer në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar në Tiranë dhe në të gjitha prefekturat e vendit, shifër kjo që ka pësuar rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.
Fuqizimi i këtyre qendrave duhet të jetë një proces në vazhdimësi dhe ato duhet të ofrojnë shërbimet e tyre në të gjitha komunitetet që i përkasin gjeografikisht.
Terapia me antiretrovirale ofrohet falas në vendin tonë që prej vitit 2004. Këtë terapi aktualisht e marrin 222 pacientë pranë QSUT.
HIV/AIDS mbetet një nga sfidat më madhore të shëndetit, pasi sëmundjet e lidhura me AIDS përbëjnë një nga shkaqet më të rëndësishme të vdekjeve në botë.
Sipas raportit të UNAIDS, vlerësohet se në fund të vitit 2011, afro 34 milionë e njerëzve jetonin me HIV.
Pavarësisht nga kriza ekonomike botërore vihen re rritje e investimeve në drejtim të përgjigjes ndaj AIDS nga vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Lorina Mixha
50% e rasteve janë diagnostikuar shumë vonë
Gjatë 2012-s janë shënuar në statistikat e Institutit të Shëndetit Publik 70 persona të infektuar me HIV/AIDS ndërkohë që vetëm një prej tyre ka gjetur vdekjen. Pavarësisht kësaj, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së OKB-së në Tiranë, rezulton se 50 për qind e rasteve të prekur nga HIV/AIDS janë diagnostikuar shumë vonë.
Një pjesë e pacientëve nuk e dinë që kanë sëmundjen
Mbështetur në numrin e personave të diagnostikuar dhe raportuar, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV. Megjithatë, vërehet një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja dhe vlerësimet sugjerojnë për një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuar
Të dhëna
Meshkujt
Rreth 70 për qind e të prekurve nga HIV/AIDS janë meshkuj dhe vetëm 30 për qind janë femra. Statistikat u referuan dje
Të ardhurat
Pavarësisht krizës vihen re rritje të investimeve në drejtim të përgjigjes ndaj AIDS nga vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare
Testimet
Rreth 2137 testime vullnetare janë kryer në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar në Tiranë dhe në të gjitha prefekturat e vendit