Shqipëria u bashkohet votave abstenuese që qenë një minorancë në Asamblenë e Përgjithshme


Në një vendim historik, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i dha statusin e vëzhguesit joanëtar Palestinës, një status që është shumë më poshtë se sa të qenët vend sovran anëtar i OKB-së, por që konsiderohet si një hap historik për popullin palestinez, një fitore pas 65 vitesh lufte pothuajse të pandërprerë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Izraeli dhe pak vende të tjera, e kundërshtuan ashpër dhe pa sukses këtë masë.


Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, tha se ky “është shansi i fundit për të shpëtuar propozimin për zgjidhjen e konfliktit përmes formulës së dy shteteve”.


Përfaqësuesi i Izraelit tha se votimi po e shtyn procesin e paqes “prapa”, ndërsa SHBA-ja tha se lëvizja ishte e “padëshirueshme”. Palestinezët mund të marrin pjesë tani në debatet e OKB-së dhe kanë të drejtë të anëtarësohen në organizma të ndryshme si Gjykata Penale Ndërkombëtare.


Asambleja dha 138 vota pro dhe 9 kundër, ndërsa 41 shtete abstenuan. Mes abstenuesve ishte edhe Shqipëria.


Palestinezët festuan nëpër rrugët e Bregut Perëndimor pas njoftimit të rezultatit. Festimet zgjatën deri herët në mëngjes. Fjalimi i Abbas në Nju Jork u ndoq drejtpërsëdrejti në rrugë përmes ekraneve të mëdha. Fishekzjarrët shpërthyen në Ramallah pas dhënies së lajmit për votimin. Ndonëse ky hap nuk do të sjellë përmirësim të jetës së palestinezëve, rëndësia simbolike është shumë e madhe. Shpresa është që pozicioni i ri do të japë më shumë të drejta për popullatën e këtij vendi, të cilit shpesh i duhen gjashtë muaj për të marrë leje për t’u larguar nga Izraeli. Izraeli tani rrezikon të denoncohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për krime lufte apo për pretendime të tjera ligjore.


“Gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, në këtë ditë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 181, e cila e ndau tokën historike të Palestinës në dy shtete dhe u bë certifikata e lindjes për Izraelin”, tha Abbas. “Asambleja thirret sot të lëshojë një certifikatë lindjeje për realitetin e shtetit të Palestinës”, shtoi ai.


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e quajti votimin “të pakuptimtë”, dhe tha se fjalimi i Abbas nuk ishte “i një njeriu që kërkon paqe”.


Kundërshtarët e anëtarësimit thonë se një shtet palestinez duhet të krijohet vetëm përmes bisedimeve dypalëshe të përcaktuara në marrëveshjen e paqes së Oslos më 1993, përmes të cilit u krijua Autoriteti i Palestinës.


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cilësoi votimin “kundërproduktiv”.


Britania e Madhe dhe Gjermania abstenuan. Republika e Çekisë, Kanadaja, ishujt Marshall e Panamaja qenë mes kombeve që votuan kundër. Mes palestinezëve që festuan, njëri prej tyre tha se “për herë të parë do të ekzistojë një shtet i quajtur Palestinë, me njohjen e të gjithë botës”.


Akt simbolik


Palestinezët po kërkojnë njohjen e shtetit të tyre nga OKB-ja, një shtet që do të ketë territorin e tyre në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemin lindor, të gjitha këto, toka të pushtuara nga Izraeli më 1967-n.


“Tashmë loja do të jetë krejt e ndryshme. Izraeli do të ketë përballë një anëtar të bashkësisë ndërkombëtare, një shtet të quajtur Palestinë që ka të drejtat e veta”, deklaroi një zyrtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Izraeli dhe SHBA-ja u përpoqën të lobojnë për të vonuar votimin apo për të ndryshuar tekstin për të fituar garanci se veprime ligjore nuk do të merren kundër Izraelit. Vitin e kaluar, Abbas i kërkoi Këshillit të Sigurisë në OKB të pranojë Palestinën si një vend anëtar, por kjo gjë u kundërshtua nga SHBA.


Izraeli reagon


Reagimi i parë i Izraelit pas votimit duket se ishte vendimi për të lejuar ndërtimin e tre mijë shtëpive në Jerusalemin Lindor, një zonë e pushtuar palestineze. Procedurat janë përshpejtuar edhe për 1 mijë leje të tjera ndërtimi. Vijimi i dërgimit të kolonëve hebrenj në tokat palestineze ka qenë shkaku i bllokimit të bisedimeve të paqes dy vjet më parë. Palestinezët thonë se blloku i ri i banimit pritet të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke ndaluar në këtë mënyrë krijimin e një shteti palestinez me vijimësi territoriale.


Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuara që nga pushtimi i Bregut Lindor. Vendbanimet konsiderohen si ilegale sipas ligjit ndërkombëtar.