Projektbuxheti, ja si do të përdoret “qesja” për infrastrukturë, investime e pagesa
Lorina Mixha
Projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2013 është planifikuar të jetë 38.89 miliardë lekë ose 2.7 për qind e PBB. Këto fonde do të shërbejnë kryesisht në arritjen e disa objektivave:
Rritje e aksesit të fëmijëve 5-vjeçar me 5% në klasat përgatitore me 1,600 fëmijë më shumë. Modernizimi i arsimit parashkollor, përmes trajnimit të mësuesve (15-20% në vit), rikonstruksionit dhe ndërtimit (150-200 klasa/vit), të kopshteve dhe pajisjes me bazë materiale didaktike.
“Paratë do të përdoren për garantimin e një arsimi cilësor e gjithëpërfshirës, me synim plotësimin e standardeve evropiane. Parashikohen ndërtime të reja e rehabilitim të objekteve arsimore 550-600 klasa e sigurimi i pajisjeve të nevojshme.
Pajisja e 20-25% e shkollave të arsimit bazë me laboratorë shkencorë, IT, synimi i një kompjuteri për dy nxënës në orë mësimi, laboratorë virtualë e biblioteka dixhitale”, shkruhet në projektbuxhet.
Sipas projektit për vitin 2013, paratë do të përdoren për përmirësimin e standardeve të infrastrukturës në arsimin e mesëm të përgjithshëm, nëpërmjet rehabilitimit të 5-7% të klasave, 5% e klasave do të ndërtohen të reja.
Në Arsimin e Mesëm Profesional synohet të regjistrohen 21% nga totali i nxënësve që regjistrohen në arsimin e mesëm.
Rritja e numrit të nxënësve në Arsimin e Mesëm Profesional edhe nga zonat rurale të vendit, duke i mbështetur me politika favorizuese e sociale.
Një pjesë e parave do të përdoren për favorizimin e nxënësve në nevojë dhe sidomos për degët bujqësi, blegtori e ndërtim, përmes dhënies së 1600 bursave të reja për çdo vit të PBA.
Po ashtu, një pjesë e fondeve për vitin e ardhshëm do të përdoren për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies për arritjen e standardeve të OECD, matur kjo me raportin student/pedagog, përmirësimin e metodave të mësimdhënies, rritjen e numrit të pedagogëve me 400, rritjen e numrit të laboratorëve shkencorë dhe/ose përmirësimin dhe zgjerimin e tyre.
Sigurimi i cilësisë në IAL dhe programeve të studimit që ato ofrojnë, përmes vlerësimit të brendshëm dhe vlerësimit të jashtëm të cilësisë.
“Të zgjerohet sistemi i Arsimit të Lartë përmes: hapjes së rreth 30 kurrikulave të reja të MP/Msc dhe PhD, shtimit të studentëve në teknologji informacioni dhe inxhinieri me 10%; shtimin me 5% të numrit të studentëve në ciklin e dytë.
Rritja e autonomisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) përmes, sigurimit të autonomisë akademike, strukturore, administrative dhe financiare të IAL-ve”, thuhet në projektbuxhetin e Ministrisë së Arsimit.
Parashikohet për vitin e ardhshëm rritja dhe zgjerimi i kërkimit shkencor në Shqipëri, bazuar në treguesit e OECD; ku pjesa e shpenzimeve publike në vitin 2013 të arrijë 0.35% të PBB-së (e përllogaritur për IAL publike e private, ministritë e linjës, institucione të tjera kërkimore shtetërore, Akademia e Shkencave si dhe biznese.
Puna kërkimore
Nxitja e punës kërkimore në IAL publike, nëpërmjet financimit të drejtpërdrejtë të 3,200 kërkuesve, si dhe mbështetje financiare për kërkim fondamental në IAL publike me fonde nga buxheti i shtetit, mbështetje financiare për funksionimin dhe mirëmbajtjen e laboratorëve didaktiko-kërkimorë në IAL publike.
Pedagogët
Parashikohet rritja e numrit të pedagogëve me 400, rritja e numrit të laboratorëve shkencorë, përmirësimi dhe zgjerimi i tyre
Bursat
Një pjesë e parave do të përdoren për favorizimin e nxënësve në nevojë dhe sidomos për degët bujqësi, blegtori e ndërtim, përmes dhënies së 1600 bursave
Parashikimi
Pajisja e 20-25% të shkollave të Arsimit Bazë me laboratorë shkencorë, IT, synimi i një kompjuteri për dy nxënës në orë mësimi, laboratorë virtualë e biblioteka dixhitale