Zv/ministri i Transporteve: Bravo u qoftë që punuan me borxhe, por para nuk ka!


ARD KOLA


Në vitin e tretë të krizës, duke hyrë i katërti, të zhytur në borxhe “deri në kockë” (thoshte një ndërtues), firmat private në pritje të parave, kanë marrë nga qeveria asgjë më shumë… por falënderim.


Borxhet e njohura nga Ministria e Financave arrijnë deri në 150 milionë euro, por për shkak se firmat ndërtuese kanë punuar më shumë se plani vjetor i likuidimit, atëherë nuk mund t’i marrin paratë. Pavarësisht se qeveria krenohet me rrugët dhe shkollat e ndërtuara, kur vjen puna te shlyerja e faturave të prapambetura prej gati tre vjetësh, nxjerr justifikime të shumta.


“Nuk u kemi asnjë detyrim ndërtuesve”, deklaroi dje në Kuvend, numri dy i Ministrisë së Transporteve. “Ata kanë punuar më shumë sesa duhet. Një projekt me afat financimi të buxhetit dyvjeçar, firmat e bëjnë për 6 muaj dhe kërkojnë më pas likuidim të plotë. Ky nuk është faji ynë, apo përgjegjësia jonë”, vijoi më tej Noka. Megjithatë, zv/ministri nuk ngurroi të falënderonte firmat për punën e bërë dhe sakrificën. “Gjithashtu, shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar, bravo u qoftë për punën e bërë, që edhe pse me borxhe, e çuan deri në fund. Kështu do të veproja edhe unë po të isha në rastin e tyre”, tha Noka.


Debati për situatën e rrugëve përfshiu edhe të tjera elemente, në kuadër të diskutimeve për buxhetin e vitit 2013, ku i pranishëm ishte drejtori i Rrugëve, Andi Toma, dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, të cilët vetëm mbajtën shënime.


Për vitin e ardhshëm do të jepen rreth 50 miliardë lekë për rrugët, por deputetët e opozitës kërkuan sqarime rreth zbatimit të projekteve për vitin aktual (2012), nisur nga rishikimi i buxhetit. Si 9-mujor, nga 42 miliardë lekë fonde të programuara për rrugësh (ndërtim, mirëmbajtje, asfaltim etj.), janë shpenzuar vetëm 25 miliardë lekë, rreth 60 për qind e buxhetit.


Debat pati edhe nga deputetët e mazhorancës, të cilët u ankuan për mungesën e disa projekteve në zonat që përfaqësojnë, si aksi Fierzë-Koman, rruga e Klosit, apo ajo e Arbrit. Përgjigjja e drejtorit të rrugëve ishte e drejtpërdrejtë. “Nuk e kuptoj pse ankoheni për ecurinë e këtyre projekteve, pasi kur ju pyet ministri, apo kur e shoqëroni gjatë inspektimeve, nuk i ankoheni”, iu drejtua Toma, deputetëve të mazhorancës, të cilët ulën kokën, ndërsa ata të opozitës qeshnin. Edhe një tjetër deputet i PD-së për Librazhdin, kur mori përgjigje se nuk do të ketë financime për ujësjellës në këtë zonë, nuk reagoi.


Debat pati për Rrugën e Arbrit. “Kanë përfunduar tri lote, dhe janë në proces edhe tri të tjera. Jemi duke punuar me aq sa kemi mundësi. Natyrisht, buxheti që kemi në dispozicion nuk e mundëson përfundimin e rrugës brenda vitit tjetër”, deklaroi Toma. Kurse zv/ministri i Transporteve tha se për vijimin e punimeve nevojiten para, të paktën 200 milionë euro, pasi projekti parashikon tunel dhe urë. Sakaq, mësohet se ministria është në negociata me financues kinezë apo të Bankës së Detit të Zi, por asgjë konkrete.


Qeveria krenohet me rrugët dhe shkollat, por nxjerr justifikime kur vjen puna te faturat e prapambetura


Rruga e Arbrit


Projekti për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të vijojë edhe për dy vjet të tjera, pasi qeveria nuk ka mundësi financiare. Nevojiten të paktën 200 milionë euro, pasi projekti parashikon tunel dhe një urë të gjatë e të lartë