Organi më i lartë i futbollit në vend zbulon se ka denoncuar disa raste në organet e Prokurorisë
Federata Shqiptare e Futbollit reagon pas publikimit të raportit alarmant të agjencisë së monitorimit të ndeshjeve “Sportradar”, e cila e klasifikonte Shqipërinë në krye të listës së vendeve me futbollin më të korruptuar, pasi në një periudhë prej dy vitesh e gjysmë kishte konstatuar 97 ndeshje të trukuara. FSHF shpreh edhe një herë qëndrimin e saj zyrtar. “Federata Shqiptare e Futbollit është distancuar kurdoherë me forcë dhe ka marrë masa përballë dyshimit rreth trukimit apo fiksimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit të kampionateve shqiptare, citohet në deklaratën e djeshme për shtyp. Menjëherë pas shfaqjes së këtij fenomeni, FSHF ka bërë ndryshimet e nevojshme në statut, propozoi Kodin e Etikës dhe emëroi Komisionin e Etikës. Ky Komision, i cili vepron në mënyrë të pavarur heton, mbledh fakte dhe argumente mbi të cilat rrjedh vendimmarrja”. FSHF emëroi oficer-specialistin e integritetit, i cili pret raportet e ardhura nga UEFA dhe bën koordinimin e tyre me Komisionin e Etikës. Po ashtu, zgjeroi nga 2 në 6 numrin e inspektorëve të Disiplinës, të cilët punojnë pavarur në terren për të mbledhur sa më shumë fakte dhe informacione, që ia paraqesin Komisionit të Etikës. “Në këtë situatë, FSHF kërkon nga Komisioni i Etikës një hetim të thellë, gjykim të ftohtë e të paanshëm dhe vërtetimin sa më shpejt të dyshimeve që ngrenë Kompanitë e Basteve Ndërkombëtare”, thekson FSHF, e cila ka bërë të ditur se disa ndeshje të dyshuara janë çuar për hetim në prokurorinë shqiptare, por nuk ka zbuluar se për cilat ndeshje bëhet fjalë. “Brenda të gjitha kërkesave, rregullave e ligjeve aktuale në vendin tonë, FSHF ka dorëzuar për hetim ligjor disa raste të dyshuara për trukim në organin e prokurorisë”, vazhdon më tej komunikata. Ndërsa premton luftë pa kompromis ndaj fenomenit të trukimeve. “Krahas të gjitha masave të cilat konsistojnë në planin organizativ, etik, profesional e ligjor, Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur të mos e ndalojë asnjëherë luftën kundër këtij fenomeni, i cili për fat të keq është përhapur kudo në Europë e në botë”, përfundon FSHF.