Tiranë – Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre pjesëtarët e grupit të prostitucionit që u kapën para pak ditësh në Tiranë, ndërkohë që e dyshuara si prostitutë është lënë e lirë. 41-vjeçari Astrit Preni nga Fushë-Kruja, 26-vjeçari Qemal Hyka nga Tirana, i dënuar më parë për “Mbajtje dhe Shitje të Narkotikëve”, 32-vjeçari Femistokli Çorbaxhi kanë mbetur në burg, ndërsa është dhënë “Detyrim për paraqitje”, për 17-vjeçaren me iniciale S. B. dhe personin tjetër të arrestuar, 22-vjeçarin Elton Hyka nga Babrruja. Tre të dënuarit e kanë pranuar në gjykatë akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Grupi prej pesë personash u arrestua pak ditë më parë, teksa prej kohësh dyshohej për ekzistencën e një grupi që shfrytëzonin vajza të reja, të cilat kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me persona të ndryshëm. Sipas policisë, dyshimet për ekzistencën e grupit që shfrytëzonin vajza të reja me qëllime prostitucioni, kishin nisur prej afro 8 muajsh, deri në momentin që operacioni u finalizua me kapjen e pesë personave. Ata u kapën në flagrancë në hotel “Arland”, në afërsi të Linzës, duke kryer marrëdhënie seksuale. Klientja mendohej se ishte e dedikuar vetëm për personat VIP kundrejt një shume prej 500 eurosh për një natë.
