Emiljano Muja merr përsipër krimin, por pengu fajëson Përparim Halilajn


Pengu do t’i jepte paratë e paguara nga maqedonasit Përparim Halilajt për llogari të vëllezërve Muja


Të arrestuarit e keqtrajtuan 29-vjeçarin në banesën e tij, por ai është shprehur se nuk i kishte paratë


Silvana Muça


Pengmarrja e shqiptarit të Maqedonisë, e cila dyshohet se ka ardhur për shkak të një borxhi nga pazaret e drogës, është urdhëruar nga dy maqedonasit, ndërkohë që tre shqiptarët e kanë keqtrajtuar në sy të vëllait dhe më pas e kanë marrë me forcë në një mjet, duke e hedhur në Paskuqan. Një prej dy vëllezërve Muja, pikërisht Emiljano, i cili është arrestuar, ka marrë përsipër pengmarrjen për të shfajësuar vëllain dhe shokun e tyre, por vetë pengu ka deklaruar se është rrëmbyer nga Përparim Halilaj. Detajet e reja janë zbardhur dje nga grupi hetimor, që po punon për dokumentimin e plotë të pengmarrjes së Enuar Krasniqit, 29-vjeçari i cili u rrëmbye pasditen e së enjtes në Farkë të Tiranës.


Burimet nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se ka qenë vëllai i Krasniqit, ai që ka njoftuar policinë për pengmarrjen. Ai ka thënë se tre persona, pasditen e së enjtes kanë trokitur në banesën e tyre, në Farkë të Tiranës dhe i kanë kërkuar një sasi të konsiderueshme parash vëllait të tij, të cilat pretendohet se ai ua kishte borxh. Sipas policisë, tre personat që janë përfshirë në rrëmbimin e 29-vjeçarit janë Përparim Halilaj, efektiv i Forcave Komando të ushtrisë shqiptare dhe vëllezërit Ermir e Emiljano Muja. Ata janë arrestuar disa orë pas ngjarjes dhe akuzohen për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit”. Fillimisht, është vënë në pranga Halilaj dhe më pas dy vëllezërit Muja. Sipas dëshmisë së vëllait të pengut, dyshohet se pengmarrësit, në kohën që kanë marrë përgjigje negative, për marrjen e parave, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe më pas e kanë marrë me forcë, për ta futur në një makinë. Pas kësaj, janë nisur me shpejtësi drejt zonës periferike të Tiranës, në vendin e quajtur Paskuqan.


Sipas hetimeve paraprake të bëra nga Policia e Tiranës, shkak për marrjen peng të Enuar Krasniqit, është bërë një sasi droge e llojit kanabis, e cila është dërguar nga Shqipëria drejt Maqedonisë. Pengu 29-vjeçar ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes palës maqedonase dhe shqiptare. Ai duhet t’i dorëzonte Përparim Halilajt shumën e parave për sasinë e drogës që ishte porositur nga dy shqiptarët e tjerë të Maqedonisë. Ndërsa Halilaj dyshohet se i kishte marrë paratë për llogari të vëllezërve Muja. Fakti që paratë nuk kanë shkuar në destinacion dyshohet se solli reagimin e tre të arrestuarve, që morën peng Krasniqin, i cili është liruar vetëm pas orës 11:00 të mbrëmjes, falë ndërhyrjes së policisë.


Pengu nuk ka preferuar që të japë detaje, për shkaqet e rrëmbimit të tij, duke u mjaftuar vetëm me disa deklarata të thjeshta. Ndërkaq, personat që janë arrestuar si të dyshuar për rrëmbimin e 29-vjeçarit, u janë nënshtruar pyetjeve nga uniformat blu, të cilët po hetojnë ngjarjen. Emiljano Muja ka marrë përsipër krimin. Ai ka thënë se Enuar Krasniqin e ka rrëmbyer i vetëm dhe ndaj tij ka ushtruar edhe dhunë fizike. Por deklarata e tij është hedhur poshtë nga 29-vjeçari, i cili ka akuzuar drejtpërsëdrejti Përparim Halilajn, personi që punon si efektiv i Komandos, ose të quajtur ndryshe “Beretat e kuqe”.


Dy maqedonasit, emrat e të cilëve ende nuk bëhen me dije, mësohet se nuk janë në Shqipëri. Ata kanë urdhëruar në distancë pengmarrjen e Enuar Krasniqit. Edhe ndaj maqedonasve kanë nisur hetimet, për të sqaruar pozicionin e tyre në lidhje me ngjarjen. Po hetohet edhe aktivitetit i tyre kriminal, për të cilët ka dyshime të forta se janë përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.